Lando Norris ka triumfuar në Çmimin e Madh të Brazilit, duke regjistruar fitoren e tij të shtatë këtë sezon dhe duke zgjeruar epërsinë në krye të renditjes së përgjithshme të Formula 1.

Piloti britanik i McLarenit mbajti pozicionin e parë që nga fillimi i garës, ndërsa pas tij u rendit Kimi Antonelli i Mercedesit në vendin e dytë dhe Max Verstappen i Red Bull-it në të tretin – një rezultat mbresëlënës duke pasur parasysh se holandezi e nisi garën nga vendi i 19-të, pas një penalizimi.


Menjëherë pas nisjes, makina e sigurisë u aktivizua pasi piloti vendas Gabriel Bortoleto përfundoi në mur. Pas rifillimit, ndodhi një tjetër incident – Oscar Piastri u përplas me Kimi Antonellin, dhe në vazhdim e goditi Charles Leclerc-un, makina e të cilit pësoi dëmtime të rënda, duke e detyruar të tërhiqej.


Për këtë incident, Piastri u penalizua me 10 sekonda, çka ndikoi ndjeshëm në rezultatin e tij final.

Ndërkohë, Max Verstappen zhvilloi një garë të shkëlqyer. Edhe pse pësoi një shpim gome në një fazë të hershme, ai shfrytëzoi në maksimum daljet e makinës së sigurisë dhe arriti të ngjitej në zonën e pikëve. Në xhirot e fundit, kaloi George Russell-in dhe siguroi vendin e tretë, pas një dueli të fortë me Antonellin për pozitën e dytë.


Pas këtij rezultati, Norris udhëheq me 390 pikë, i ndjekur nga Oscar Piastri me 366 pikë, ndërsa Verstappen mban vendin e tretë me 341 pikë.

Gara e ardhshme e kampionatit botëror të Formula 1 do të zhvillohet në Las Vegas, më 23 nëntor. /Telegrafi/

telegrafi sport app