Piloti i Mercedesit, George Russell, fitoi Çmimin e Madh të Kanadasë që u zhvillua në Montreal, por më interesante ishte përplasja në finish midis pilotit të McLarenit, Oscar Piastri, dhe Lando Norris. 

Russell shfrytëzoi pozicionin e parë të një dite më parë dhe festoi përpara Max Verstappen (Red Bull), ndërsa vendi i tretë i shkoi një tjetër piloti të Mercedes, Kimi Antonelli. 


Megjithatë, drama e vërtetë u pa katër xhiro para fundit në luftën midis Piastri dhe Norris për pozicionin e katërt.  

Norris u përpoq të kalonte shokun e tij të skuadrës, me të cilin po lufton edhe për pozicionin kryesues në renditjen e përgjithshme, por bëri një gabim naiv. 

Në një pjesë të pistës ku nuk kishte vend për parakalime, ai kreu një manovër të pasuksesshme dhe përfundoi në murin mbrojtës, dhe iu desh të hiqte dorë. 

Në këtë mënyrë, për herë të parë këtë sezon, asnjë nga pilotët e McLaren nuk arriti në podium, dhe Piastri mbeti lider në renditjen e përgjithshme me 22 pikë më shumë se Norris dhe 44 më shumë se Verstappen i vendit të tretë. 

Dyshja e Ferrarit, Charles Leclerc dhe Lewis Hamilton, zunë vendin e pestë dhe të gjashtë. /Telegrafi/  

telegrafi sport app