LAJMI I FUNDIT:

Njëzet vjet pas zgjerimit të madh, BE-ja synon ta vazhdojë procesin

Njëzet vjet pas zgjerimit të madh, BE-ja synon ta vazhdojë procesin

Më 1 maj Bashkimi Evropian (BE), shënoi 20-vjetorin e zgjerimit më të madh të bllokut në histori.

Me këtë datë në vitin 2004 përnjëherë në BE, e cila në atë kohë kishte 15 vende anëtare, u pranuan edhe dhjetë shtete të reja, tetë prej tyre nga ish-blloku komunist. Prandaj, ky zgjerim edhe u quajt “vala e madhe e zgjerimit të BE-së”.

Në atë kohë, në Bashkimin Evropian u pranuan Estonia, Lituania, Letonia, Hungaria, Polonia, Çekia, Sllovakia, Sllovenia, Malta dhe Qiproja.


Bashkimi Evropian e ka shënuar këtë përvjetor me disa ngjarje dhe me përsëritjen e zotimeve që procesi i zgjerimit të vazhdohet, pasi është një prej proceseve më të suksesshme që ka kaluar BE-ja në historinë e saj.

Në këtë përvjetor, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk do të jetë komplet pa integrimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë.

Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka përmendur procesin e tashëm të zgjerimit si vazhdim i suksesit që kishte ndodhur në vitin 2004, kur në bllok u anëtarësuan dhjetë vende të reja.

Ajo ka thënë se tash kur shikohet në retrospektivë, se ku ishte BE-ja dhe ku ishin ato vende para 20 vjetësh, mund të thuhet se ky zgjerim solli dobi për të gjithë. Vendet që në atë kohë u pranuan në BE përjetuan një periudhë të madhe të zhvillimit, të lëvizjes së lirë dhe mirëqenies. Por, edhe vendet e vjetra anëtare patën përfitime pasi për to u hap një treg i ri, po ashtu.

Von der Leyen në një prej fjalimeve kushtuar 20-vjetorit të zgjerimit të madh të BE-së, përmendi edhe një deklaratë të paraardhësit të saj nga ajo kohë, ish-presidentit të atëhershëm të Komisionit Evropian, Romano Prodi, i cili pati thënë se “kjo valë e madhe e zgjerimit nuk duhet të jetë e fundit”.

Por, pas 1 majit të vitit 2004 kur ndodhi “zgjerimi i madh” vetëm tri shtete tjera arritën të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Bullgaria dhe Rumania hynë në BE më 1 janar të vitit 2007 dhe ato konsiderohen si vende që i takonin të njëjtës valë të zgjerimit sikur edhe ato që hynë në vitin 2004, por në atë kohë nuk ishin gati dhe u anëtarësuan në BE dy vjet e gjysmë më vonë.

Pas tyre në BE hyri edhe Kroacia më 1 korrik të vitit 2013. Por, që kur Kroacia u bë anëtare e Bashkimit Evropian, nuk pati më zgjerim edhe pse në proces janë disa vende kandidate.

Kështu, edhe 11 vjet pas anëtarësimit në BE, Kroacia vazhdon të jetë vendi më i ri anëtar dhe këtë status do ta mbajë edhe për një kohë të gjatë, pasi realisht nuk pritet që në një të ardhme të afërt të anëtarësohet ndonjë vend tjetër.

Në procesin e zgjerimit të BE-së ndodhen dhjetë shtete. Prej tyre nëntë kanë statusin e vendit kandidat, ndërsa vetëm Kosova nuk e ka atë status. Kosova kishte aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj nuk është shqyrtuar nga Bashkimi Evropian.

Pos gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Kosova) në këtë proces janë edhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia. Turqia vazhdon të ketë formalisht statusin e vendit kandidat, por negociatat e saj për anëtarësim në BE janë ngrirë tash e disa vjet.

Në procesin e zgjerimit ishte edhe Islanda, e cila në mënyrë të njëanshme i pezulloi negociatat e anëtarësimit dhe hoqi dorë nga aspiratat për t’u bërë anëtare e BE-së.

Për herë të parë në histori ndodhi që një vend të largohet nga anëtarësia në Bashkimin Evropian pas daljes nga BE-ja të Britanisë së Madhe.

Në 20-vjetorin e zgjerimit të madh, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka përsëritur thirrjet që edhe BE-ja të kryejë reformat për të pranuar anëtarë të rinj edhe vendet që aspirojnë anëtarësimin, ta kryejnë pjesën e tyre të punës duke i përmbushur kriteret që kërkohen për anëtarësim.

Ai përsëriti se beson që deri në vitin 2030, edhe BE-ja, edhe vendet kandidate, duhet të jenë gati për zgjerim.

Përderisa për BE-në, Michel tha se duhet t’i përmbyllë reformat institucionale dhe të sigurojë kornizën financiare për zgjerim, vendet që synojnë anëtarësimin duhet t’’ zgjidhin mospajtimet e tyre bilaterale.

Liderët e BE-së vazhdojnë të besojnë se vazhdimi i zgjerimit është në dobi të forcimit të BE-së dhe rritjes së rolit të saj në skenën botërore. Prandaj, zgjerimi shihet edhe si një investim në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në tërë kontinentin evropian, por edhe në përballje me sfidat që paraqesin rrethanat e reja gjeopolitike në botë.

Në pritje të vazhdimit të procesit të zgjerimit dhe kërkesave që ky proces të përshpejtohet, BE-ja është duke shqyrtuar mundësitë që vendet kandidate t’i përfshijë në disa politika dhe programe të bllokut edhe para se ato të bëhen vende anëtare formalisht. Por, në të njëjtën kohë zyrtarët e BE-së zotohen se këto aranzhime nuk do të jenë zëvendësim për anëtarësim formal në BE që mbetet synimi përfundimtar i procesit të zgjerimit. /rel/

Në trend Lajme

Më shumë
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

Sociale
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje

Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje

Lajme
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Ish-gjyqtarja e Kushtetueses, Mushkolaj: Serbia me ngulm e ka penguar Asociacionin

Ish-gjyqtarja e Kushtetueses, Mushkolaj: Serbia me ngulm e ka penguar Asociacionin

Lajme
Gjykata Kushtetuese shpall vendimin pas ankimimit të Sali Berishës

Gjykata Kushtetuese shpall vendimin pas ankimimit të Sali Berishës

Lajme
Policia e Kosovës demanton mediat dhe Ministrinë Serbe të Mbrojtjes

Policia e Kosovës demanton mediat dhe Ministrinë Serbe të Mbrojtjes

Siguri
Kalo në kategori