LAJMI I FUNDIT:

NJERIU PREJ TAPE

NJERIU PREJ TAPE

Nga: Roberto Arlt
Përktheu: Erion Karabolli

… Njeriu prej tape, njeriu që nuk fundoset kurrë, cilado qofshin punët e errëta ku është përzier, është tipi më interesant i faunës së dinakëve.

Ndoshta edhe më i zgjuari edhe më i rrezikshmi. Sepse, unë nuk njoh tip më të rrezikshëm se ky individ, i cili, kur vjen e ju tregon për çështjen e tij, ju thotë:


– Unë dola i pafajshëm ndaj çdo akuze në atë proces gjyqësor, me vërtetimin që si emri dhe nderi im i pastër ngelën të panjollosur.

Epo, kur një keqbërës i tillë apo i çdo kategorie tjetër ju thotë se “emri dhe nderi i tij i pastër dolën të panjollosur nga procesi gjyqësor”, i futni duart në xhepa dhe i hapni sytë mirë, sepse ndryshe do pendoheni më vonë.

Qysh në shkollë, ai qe një nga ata nxënësit tinëzar, me buzëqeshje të rreme dhe sjellje të shkëlqyer, i cili, kur bëhej fjalë për të qëlluar me gur ia zgjaste gurin shokut.

Përherë ka qenë i tillë, i djallëzuar, hileqar dhe shtiracak i pashoq …