LAJMI I FUNDIT:

Njëqind vjet pas krimit mbi familjen Mahmutaj të Cerkolezit të Istogut

Njëqind vjet pas krimit mbi familjen Mahmutaj të Cerkolezit të Istogut

Vrasësit e dinë ditën, datën e vitin e krimit. Shumë njerëz, për kohë të gjatë kanë mbajtur mend atë natë të përgjakur. U vranë katër burra duke pritur darkën. As të gjallët që i gjeti mëngjesi nuk hëngrën asgjë. Gjithçka u përgjak nga dora e zezë serbe. Njëqind vjet pas, brezi i tashëm ruan akoma kujtimin.

Kush ka menduar atë natë për të shkruar, kur shkolla shqipe ishte ëndërr që nuk prekej dot. Familjarët që shpëtuan atë natë, nuk dinin të shkruanin. Jo fort moti, edhe krimi më i rëndë serb mbi shqiptar kalonte në heshtje. Po dikush do pyeste se çka duhen shkronjat në këtë shënim? Shënimi nuk bëhet dot pa shkronja dhe pa numra. Kur ndodhi krimi? Kur u sulmua familja e Mahmut Hotit në Cerkolez? S’ka as datë me numra, as lajm me shkronja. Nuk ka asnjë dokument të thjeshtë, pos varret e katër burrave që u vranë. S’ka datë të shënuar, por atë e di mirë KOS-i (Kisha Ortodokse Serbe), e cila është kujdesur me shekuj që krimet mbi shqiptarë të mos kenë as datë as vit, të mos kenë as jehonë, e që lajmi të mos dëgjohet më larg se krismat e pushkëve.

Po të dinte të shkruante dikush nga shqiptarët, do të dinim edhe datën, edhe ditën, edhe muajin, edhe vitin. Do të dinte bota për krimin e madh ku u vranë, pa hak as hile, katër djem të Mahmut Hotit në moshën më të mirë të jetës, vetëm pse ishin shqiptarë. S’ka shënuar askush nga shqiptarët asgjë, sepse thjeshtë, askush nuk dinte shkrim-lexim. Ndodhi vrasja në muajin prill, në maj apo në qershor, nuk u mësua kurrë. Mbamendja dhe amaneti jetojnë akoma, por shënimi me shkronja në letër mungon. Është përsëritur në heshtje me vite e dekada, tash plot një shekull, se krimi ndodhi dy javë para apo pas Shëngjergjit. Ishte natë prilli, maji apo qershori? Kishte mugulluar mali pak apo shumë, pjesërisht apo në tërësi? Për disa vjet është mbajtur mend sa javë para apo pas Shëngjergji ndodhi krimi, por u harrua periudha e përafërt që do të mundësonte se paku kujtimin e ditës kur ndodhi krimi.


Po në cilin vit? Me 1918, 1919 apo me 1920, shtrohet dilema edhe sot, pikërisht 100 vjet më vonë. Nuk harrohet ajo mbrëmje. Nuk harrohet kurrë ajo mbrëmje kur mbeten të vrarë katër djem të ri, tre pa martuar akoma, ndërsa i katërti i martuar që u plagos rëndë dhe që plaga ia merr jetën pak ditë më vonë. Në hyrje të fshatit, të nesërmen u hapen katër varre të reja. Pak njerëz kishin marr guximin të shkojnë në varrim. Vrasësit e Ramadanit, Mehes, Smajlit e Osmanit nuk u zbuluan kurrë.

Ishte koha kur Austro-Hungaria ishte tërhequr nga tokat e pushtuara shqiptare dhe nga Ballkani. Ky fakt e përjashton goxha shumë vitin 1918, kur atdheu i shqiptarëve u pushtua serish nga serbët. Vetvetiu shtrohet pyetja se a ishin të gatshëm serbet për këtë krim, që në vitin e parë të pushtimit të dytë të tokave shqiptare? Realisht, pak gjasa kanë pasur për të bërë ndonjë krim, aq të rendë, kur akoma nuk dihej epilogu i Luftës se Parë Botërore. Edhe viti 1919 nuk është aq i sigurt për ndonjë krim të mundshëm serb, duke ditur frikën që kishin gjatë pushtimit austro-hungarez. Krimi më shumë ka të ngjarë të ketë ndodhur në vitin 1920. Pushteti okupues serb i drejtuar nga Kisha Ortodokse Serbe, ishte organizatori dhe ekzekutori i vërtetë i krimit.

Vrasësit serbë, me qellim të zi erdhën nëpër errësirë. Shtëpia e Mahmutit gjendej në mal, fort larg nga shtëpitë tjera shqiptare, dhe lejonte të afrohen pa u diktuar. Ishin përgatitur gjatë vrasësit e fqinjëve shqiptarë. Ata kishin ndihmë nga Jabuka e Koloshinit. Përgatitjet as që i kishte paramenduar dikush nga familja shqiptare. Koha e sulmit dëshmon përgatitjen e gjatë e të hollësishme, dëshmon përgjimin e çdo lëvizjeje të burrave. Dhe, kur ishin siguruar se nuk ka mbetur dikush nga djemtë shqiptarë jashtë odës së rrethuar, shkrepin armët. Pa u shtruar darka fare, për pak minuta serbët vranë katër burra.

Banda kishte ndjekur nga afër çdo lëvizje, sidomos të burrave. Kur meshkujt e rritur kishin mbaruar punët ditore dhe po ktheheshin në shtëpi, dikush nga mali, dikush nga arat e dikush nga livadhi, rrethimi ishte ngushtuar deri në numrin e mashkullit të fundit që hyn në odë. Jo vetëm një ditë, por javë e muaj, me vite serbët kishin përgatitur krimin! Ata kishin planifikuar gjatë edhe stinën, motin, kohën dhe orën e sulmit. Ishin përgatitur për të shfarosur një familje të madhe shqiptare, që po forcohej e përparonte me punë të ndershme në grykën e bjeshkës së Kurrillës. Vet pritja e mugullimit të malit për të goditur është dëshmi e fortë për përgatitjen djallëzore të krimit.

Edhe sot, pas 100 vjetësh, ekziston bindje e plotë se në këtë krim morën pjesë jo vetëm serbë nga Cerkolezi, por edhe nga Koloshini. Ishin tubuar shumë ditë përpara dhe kishin arritur në fshat për të goditur në befasi. Në mbrëmje, kur i zoti i shtëpisë ishte ulur në odë dhe kur tetë burra po prisnin darkën, përreth u dëgjuan krisma pushkësh. Katër djem u goditen nga plumbat. Të gjithë të shpëtuarit nga ky sulm kanë theksuar se nga breshëria e armëve pësuan katër burrat që ishin akoma në këmbë. Serbët sulmuan çdo objekt të familjes: odën e burrave, dhomat e fjetjes dhe dy stallat ku sapo ishin kthyer bagëtia nga mali. Ata, pasi vranë katër burra, plaçkiten gjithë gjënë e gjallë të Mahmut Hotit. Mbi njëqind dhi e edha; afër 100 dele dhe 50 krerë lopë, kije e vjeta. Plaçkitën edhe pajën e dy vashave që ishin në vade për martesë. Gjithçka u përmbys e u përgjak atë natë…

Çfarë dite ishte? Cili muaj ishte? Cili vit ishte? Ishte prill, maj apo qershor? Ishte viti 1918, 1919 apo 1920? Atë ditë nuk shënoi askush asgjë. Atë ditë jave dikush e mbajti mend me vite! Atë ditë e mban mend familja Mahmutaj edhe sot, pas plot një shekulli. Medet! Jo që nuk dinin të shkruanin fshatarët shqiptarë, por nuk dinte të shkruante shqip as edhe hoxha i rastit që ka shërbye aso kohe në Syriganë. Po ku të merrte guximin të shkruajë, qoftë edhe arabisht?!

Në hyrje të Cerkolezit ka plot varre. Aty dihet ku janë varrosur Ramadani, Meha, Smajli e Osmani, të vrarë barbarisht. Asnjë prej këtyre burrave nuk ka shenjë, as pllakë varri e as muranë, edhe sot pas 100 vjetësh. Sot varret duhet të meremetohen. Nga kujtimet e transmetuara brez pas brezi, dihet saktë ku janë varret e katër djemve të familjes së Mahmut Hotit. Historia e krimit është ruajtur në mendje tash 100 vjet. Historia e fakteve të gjalla jeton akoma. Varret e katër djemve, të katër burrave të vrarë, duhet të kenë nga një pllakë për të mos mbuluar dheu edhe kujtimin.

Jo pak herë në histori krimin e ka regjistruar bima në vendngjarje. Edhe në Cerkolez, afër murit të odës së burrave ku u vranë katër burra në moshën më të mirë të jetës, ishte një shtog që rritet edhe sot, si dëshmitar. Sa herë është biseduar për vendin e krimit, për burrat e vrarë, dëshmitarëve nuk u ka shpëtuar nga goja pa përmendur drurin e shtogut i cili akoma rritet aty. Natyra nuk e harron krimin. Aty ku dikur ishte oda kur u vranë, edhe sot rritet shtogu. Ai dru atë natë ishte lagur me gjakun e pafajshëm. Druri nuk flet, por e ruan kujtimin për djemtë që nuk kanë shenjë varri. Po paja (çejzi) e dy vashave që u plaçkit atë natë, ku mbeti? Ishin shumë veshje të Dukagjinit, që nuk i veshën kurrë dy vashat shqiptare që u martuan pas kasaphanës që përjetoi kjo familje. U martuan pa pajë (çejz) e pa dasmë. Dasma e gëzimit e dy vashave u vra nga dora e zezë.

Historia e kujtimit është zor të ruhet me metodën e vjetër, pa shkronja, pa letër, me varre pa shenjë, pa muranë. Askush asnjëherë nuk u mor me zbardhjen e këtij krimi. Heshti pushteti serb i kohës. Bile edhe në varrim shumë njerëz nuk patën guxim të duken. Dihet vendvarrimi i katër burrave të familjes Mahmutaj, po kurrë nuk mjaftojnë vetëm fjalët për të zbardhur krimin. E dinë serbet e fshatit Cerkolez se kush i vrau ata. Për krimin dhe kriminelët, më mirë se çdo kush di kleri serb. Po të analizohet si duhet ky krim, shihet fare lehtë se si zbatohej plani i njohur i Çubrilloviqit për shfarosjen e shqiptarëve, sipas metodës: Nëse shqiptarët nuk largohen vet nga dhuna e përditshme, të vriten.

Kujtimi ruhet akoma jo vetëm nga familjaret, por edhe nga shumë njerëz të kësaj ane. Edhe në luftën e fundit u plaçkiten e u dogjën deri në themel pesë shtëpi dhe të gjitha objektet tjera përcjellëse të lagjes Mahmutaj.

P.S. Në rrëfimet e dëshmitarëve është përmendur çdo herë dueli verbal mes vrasësve dhe të zotit të familjes shqiptare, Mahmut Hotit. Serbët e armatosur, pasi rrethuan shtëpinë, e kanë ftuar Mahmutin që ta hapë derën e odës. Po të hapej dera do të vriteshin të gjithë burrat që ndodheshin brenda. I bindur se do të masakroheshin tetë burrat brenda odës, Mahmuti nuk pranon. Thuhet se i zoti i familjes shqiptare iu ofroi vrasësve gjithë pasurinë për të shpëtuar burrat, por kjo nuk u pranua. Burrat e mbetur gjallë kanë pohuar se krimin e kryen fqinjët serbë. Vetëm serbët e fshatit kanë ditur e përgjuar çdo lëvizje të kësaj familje që jetonte e gjallëronte në Cerkolez, në gryken bjeshkës së Kurrillës.

Në trend

Më shumë
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”

Botë
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town

Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town

Premier League
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme

"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'

Botë
Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A

Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A

La Liga
Sulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus

Sulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus

Evropa
Kalo në kategori