Një unazë misterioze tymi e zezë u shfaq në qiell mbi Kansas, duke shkaktuar teori konspirative se një portë për në ferr mund të ishte hapur në Midwest.

Pamjet e çuditshme u kapën nga motoçiklisti Frankie Camren ndërsa ai ecte në një rrugë të qetë të hënën pasdite në Bonner Springs, transmeton Telegrafi.


"Isha duke ngarë makinën dhe po shkoja në County Road 2 drejt State Avenue, kur vura re se të gjitha makinat po lëviznin ngadalë. Ngrita shikimin dhe pashë këtë unazë të madhe të zezë në qiell", tha Camren.

"Të gjithë të tjerët vazhdonin të kalonin pranë saj - edhe pse po e shikonin qartë - kështu që ndalova dhe fillova të regjistroja një video. Nuk kisha ide se çfarë po ndodhte ose si ndodhi; thjesht dukej super bukur", shtoi ai.

Objekti dukej të ishte një unazë e trashë dhe e zezë tymi, që po zhdukej ngadalë ndërsa Camren regjistroi skenën.

Ai e ndau videon në Facebook, duke u kërkuar miqve të mendonin se çfarë mund të ishte unaza e zezë.

"Është djalli që nxjerr unaza tymi nga ferri", komentoi një përdorues i Facebook-ut.

"Jam shumë i sigurt se është Shtriga e Ligë e Perëndimit që bën një petull", bëri shaka një tjetër.

Meteorologët e FOX Weather analizuan videon e Camren për të përcaktuar një shpjegim të mundshëm për këtë anomali.

Ata thanë se unaza e tymit ka shumë të ngjarë të jetë rezultat i një lloj shpërthimi, i ngjashëm me mënyrën se si formohet një re kërpudhe kur ajri që ngrihet me shpejtësi bllokon tymin në një formacion rrethor sepse lëviz më shpejt se ajri përreth.

Për shembull, mund të jetë shkaktuar nga fishekzjarrët, një lloj procesi industrial i djegies ose shpërthimi i një transformatori elektrik. /Telegrafi/