LAJMI I FUNDIT:

Një tokë, një popull, një ëndërr

Një tokë, një popull, një ëndërr

“Një tokë, një popull, një ëndërr”, kjo ishte motoja e organizimit, zhvillimit dhe finalizimit të mbledhjes së dytë të përbashkët të dy qeverive, asaj të Tiranës dhe të Prishtinës. Një tokë, një popull një ëndërr, është pa asnjë vërejtje, një e vërtetë historike. Ajo parakupton bashkimin si objektiv të drejtpërdrejtë dhe të realizueshëm. Por përdorimi i “ëndrrës” në vend të fjalës një “objektiv”, me ose pa një cilësor, si i afërt apo real, mendoj se nuk i ndihmon afrimit por i shkon përshtati mjegullimit të bashkimit të një kombi në trojet e veta etnike.

Ëndrra është produkt i inkoshiencës (gjumit, ekzaltimit emocional, dehjes, mbilodhjes etj.) dhe për ta kuptuar mesazhin e saj kërkon shpjegues. Kurse objektivi i një veprimi, qoftë ai individual, komunitar, rajonal, shtetëror dhe ca më tepër ndërshtetëror, natyrshëm dhe detyrimisht është i mirëmenduar, i peshuar dhe më së paku në mbi 50 për qind të mundësive, i realizueshëm. Ëndërra na sundon në dëshira; objektivi na detyron në angazhim dhe veprim.


E pres reagimin mospëlqyes të këtij paragrafi nga gjithë ata që duartrokitën me entuziazëm rezultatet e takimit mes dy qeverive në Tiranë. E mirëkuptoj pëlqimin prej tyre të ceremonialit të pritjes, të simbolikës figurative të zhvillimit të mbledhjes mes dy qeverive dhe të firmosjeve së pesë marrëveshjeve, katër memorandumeve dhe dy protokolleve të bashkëpunimit në fushat e sigurisë, arsimit, kulturës, bujqësisë dhe ekonomisë e financave. Nga të gjitha këto është tejet e vështirë të mos gëzohesh dhe entuziasmohesh.

Para ca kohësh, nisur nga një frazë e akademik Rexhep Qosjes, kam shkruar për bashkimin si ëndërr shekullore dhe aktuale e shqiptarëve. Doja të them ndër të tjera, se ëndrra para se të shndërrohet në një objektiv të realizueshëm, kërkon veprim, kohë dhe mundësi parapërgatitore të gjithanshme, deri në ato krahinore, gjuhësore, kulturore e psikologjike. Marrëveshjet e nënshkruara në Tiranë, më 23 mars 2015, u hapin rrugë institucionale realizimit të të gjithë këtyre synimeve. Uroj dhe dëshiroj më gjithë shpirt, që mbledhja e dy qeverive tona në Tiranë të lulëzojë dhe të japë frytet që dëshiron çdo shqiptar kudo, në Ballkan, Evropë dhe në Botë.

Për këtë që do të them, po kërkoj paraprakisht të falur. Fjalën e kam për simbolikën e përdorur në fillesë dhe përmbyllje të mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive. Pas takimit të parë në Prizren, në kryeqytetin e Lidhjes Shqiptare, mbledhja e dytë u premtua në kryeqytetin e Pavarësisë, në Vlorë. Koha iku. Pas mëse një viti, Vlora u këmbye me Tiranën. Simboli historik, Vlora u këmbye me atë politik, kryeqytetin e Shqipërisë. Por kjo shmangie u kompensua me simbolikën dekorative të tavolinës së mbledhjes së dy qeverive në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Simbolika është përherë domethënëse.

Zhvillimi i mbledhjes rreth tavolinës me simbolet e BE-së, që qarkonte flamurin e kombit shqiptar, përcillte qartë idenë e bashkimit të dy shteteve duke qenë të anëtarësuara në BE. Për aq sa mund të flasë simboli, foli. Beogradi zyrtar e “lexoi mesazhin” dhe reagoi menjëherë. Ky symbol foli dhe u kuptua. Ra në sy ceremoniali dinjitoz dhe i merituar i kryeministrave tanë dhe i kabinetit në takim, por është vështirë të anashkalohet diferenca mes deklarimeve publike, gjatë dhe pas mbledhjes së përbashkët mes qeverive, kur Tirana u shfaq (kuptohet në funksion të ardhmërisë sonë) si tutore e Kosovës në raportet ndërkombëtare. Nuk u shfaq Prishtina, por Tirana akuzuese ndaj Brukselit për mosnjohjen e vizave nga BE-ja për Kosovën.

Tirana vuri vulat në pesë-marrëveshjet e firmosura, që unë i përshëndes, por a i garantojnë këto marrëveshje, bie fjala, patatet e Kosovës të hyjnë e të konkurrojnë në Shqipëri përballë patateve të Shishtavecit dhe të Korcës?! E kam ëndërruar gjithë jetën bashkimin. Jam angazhuar e sakrifikuar për t’i kontribuar këtij objektivi. Kam besuar dhe besoj që arritja e tij është e pashmangshme. Ndaj dëshiroj dhe uroj që marrëveshjet, memorandumet dhe protokollet e nënshkruara më 23 mars në Tiranë të zbatohen. Sigurisht ato do t’i shërbejnë dhe do t’i shtrojnë rrugën një kombi me një tokë, por dyshoj pak në realizimin e afërt të ëndrrës, në shfaqjen politike-mediatike të saj dhe në përdorimin vend e pa vend të simbolikës, në arritjen e këtij objektivi madhor.

(Autori është nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës)