Në një video që po qarkullon në rrjetet sociale, një i moshuar shihet një nga hollet e Emergjencës së QKUK-së në Prishtinë, në një gjende të rëndë shëndetësore, përderisa është xhiruar nga një qytetar i cili ka thënë se po shoqëronte një familjar të tij të sëmurë.
Milazim Havolli që i ka postuar disa video në profilin e tij në Facebook, pretendon se mjekët për orë të tëra nuk janë kujdesur për të moshuarin.
Havolli në një prononcim për Telegrafin, thotë se mjekët “e kanë kontrolluar, dhe pastaj e kanë lënë në korridor”.
Ai thotë se rasti ka ndodhur në orët e vona të ditës së mërkurë, ku i moshuari sipas tij ka qëndruar në Emergjencë nga ora 22:00, deri në mëngjesin e ditës së enjte.
“Rasti ka ndodhur mbrëmë në Emergjencë të Prishtinës. Nga ora 22 ka qëndruar aty deri sot në ora 9 e mëngjesit. Mjekët veç sa e kanë kontrolluar e mjeku e ka lënë në korridor”, ka thënë fillimisht Havolli.
Sipas qytetarit që e ka shpërndarë këtë video, ai është dërguar në një spital tjetër sot në mëngjes.
Derisa thotë se nuk ka mundur të diskutojë me të moshuarin, Havolli tregon se nga stafi i Emergjencës i kanë larguar nga ky holl.
“Sot në ora 9 të mëngjesit e ka marr një motër e ka çuar në spital tjetër. Po kam tentu me fol me të por nuk pata shumë mundësi sepse na kan qit jasht nuk na lejonin, i moshuari ka qëndruar në koridor”, ka thënë Havolli për Telegrafin. /Telegrafi/