Gjykata Themelore në Mitrovicë njofton se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të dyshuarit M.B., për shkak të veprës penale “Vrasje e rëndë”.
I pandehuri M.B., dyshohet që me 27 maj 2022, për motive tani për tani të panjohura ka vrarë me thikë babanë e tij M.B., dhe vëllain binjak U.B.
Sipas gjykatës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 5 – 5.30 të mëngjesit, në banesën e tyre në rrugën “Krajl Petri“ në Mitrovicën e Veriut.
Detaje lidhur me këtë rast ka dhënë edhe Policia e Kosovës.
“Raportohet se ka ndodhur një rrahje në mes dy vëllezërve dhe babait, ku janë përdorur edhe mjete të mprehta. Si pasojë, babai dhe njëri djalë kanë mbetur të vdekur, ndërsa djali tjetër është arrestuar. Me vendim të prokurorit, trupat e pa jetë të viktimave janë dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. /Telegrafi/