Krimi ndaj grave dhe vajzave në Shqipëri është i pashembullt, aq sa është përmbysur edhe historia. Gruaja ishte e shtypur, e ndrydhur, e dhunuar, por nuk i merrej jeta. Kriminalistët, gjykatësit, sociologët, psikologët, politika, media, forumet e të drejtave të njeriut e të tjerë duhet të thonë pse ka ndodhur në shoqërinë moderne ky agresivitet i skajshëm psikologjik e fizik ndaj gruas? Të jetë varfëria dhe papunësia shkaku kryesor? Mos familja ka hyrë në një krizë të pashmangshme? Si është e mundur që me gjithë shtrëngesën ligjore, protestat e shoqërisë civile, arma ndaj grave e vajzave vazhdon të shkaktojë një “luftë” të pakuptimtë, ku viktima janë përherë gratë, pavarësisht besimit, të qenit nga qyteti apo fshati, të arsimuara ose jo.
Nëse krimet e tjera ndodhin më tepër në zonën urbane, ku përplasen interesa të ndryshme trafiqesh, dhuna dhe krimi i vrasjes ndaj grave ngjet më shumë në zonat rurale. Shpesh bashkëshortët atje nuk bëjnë jetë familjare, ngaqë burri ka marrë rrugët e emigrimit dhe kthehet rrallë në shtëpi, çka ka krijuar terren për përgojime, xhelozi e gjer krim. Me ndryshimin e sistemit politik në ‘90-n, femra në vend që të gjendej në liri, befas ra pre e krimit në familje dhe jo vetëm, pa qenë as në vendin e as në kohën e gabuar. Në vitin 2000 e tronditi opinionin publik zhdukja e një gruaje 33-vjeçare, nënë e dy fëmijëve, punonjëse e UNICEF-it, që u gjet më pas e vdekur, por jo dhe gjetja e autorit të krimit. Prej asaj kohe e më sot, kronika e zezë me vrasje grash e vajzash ka qenë përherë e më tragjike, jo pak sosh viktima të trafiqeve të prostitucionit.
Mund të duket diçka e largët dhe pa “lidhje”, por e gjitha nisi atëherë, kur një partizane e bukur 21-vjeçare me emrin Ramize Gjebrea, në mars të vitit 1944, vritet në një lëndinë të Vlorës mbuluar me dëborë, para 400 partizanëve, me akuzën se kishte cenuar moralin e luftës. E kishte urdhëruar këtë vrasje gjykata jo ligjore, jo penale e shtabit të Brigadës së V-të Sulmuese, e përbërë nga komandanti, komisari, zëvendëskomisari e të tjerë, të gjithë më pas anëtarë të Byrosë Politike dhe udhëheqës kryesorë të vendit. Nuk e kishin bërë këtë kanunet mesjetare që partizanët do t’i flaknin me të ardhur në pushtet. Ashtu si asnjë gijotinë në Evropë nuk kishte prerë krena vajzash dhe grash. Nderi partizan ishte mbi çdo gjë, dhe mbi vetë njeriun.
Ato njolla gjaku mbi dëborën e atij marsi do të ishin vazhda e krimit të “shokëve të idealit”, që do të çonte në plumb dhe Liri Gegën shtatzënë etj., edhe pse nuk do të peshonin asnjëherë në ndërgjegjen e tyre. Kur nuk ishin kursyer këto gra, që ishin në drejtimin e Luftës, merret me mend se nuk do të kishte kurrfarë pengu për gra jo partizane si Marie Tuci, Sabihat Kasimati e të tjera nacionaliste, që do të vdisnin në qelitë e regjimit ose nga plumbat e tij. Po ashtu, jo pak gra veprimtare të emancipimit të gruas në fillesat e tij (që më pas do të shpalleshin heroina) qenë viktima të përballjes politike, ideologjike mes palëve kundërshtare në periudhën e pasluftës. Pa bërë fjalë për burgimin dhe dënimin e disa grave të shquara të elitës së shekullit XX, si shkrimtares së parë Musine Kokalari, kompozitores së parë Dhora Leka etj.
Kur njihesh me vrasjet e grave dhe vajzave ndër kohëra, jo vetëm në Shqipëri, nuk ka se si të mos kujtohesh për poezinë e poetes së njohur greke, me origjinë shqiptare, Rita Bumi – Papa, “Një mijë vajza të vrara”, një himn për martirizimin e tyre. Poetja lajmëron se “Në agim e vranë edhe një vajzë / e vranë ata që gjakun lakmojnë”. Ashtu si te Ramize Gjebrea, vrasja e Irinit (mësueses së fshatit), është gjakftohtë. Vetëm natyra është e trishtuar dhe paditëse e krimit: “Vajin e vajzës lumi larg e çoi, / ushtarët morën shenjë në gjoks të saj…” Dhe, ashtu siç pritet, poetja apelon për fatin e vajzës së vrarë – vajzave të vrara, si dhe ndërgjegjen e fjetur të njerëzve ndaj krimit: “Zgjohu moj erë, fryj përmes gjetheve! Dhe ju fytyra të përgjumura / përmbi jastëkë me push, / zgjohuni të shihni një vajzë të vrarë, / të shihni se sa lart e ngriti ajo për ju / si një pishtar të ndritshëm / zemrën e saj të pastër, të paçmuar”. Është thirrur kështu jo vetëm në poezi, por sa herë që është njoftuar krimi i radhës i vrasjes së një gruaje a vajze shqiptare, greke, italiane etj. Nga mesi i janarit, si reagim qytetar mbresëlënës, emrat e 20 rrugëve në Tiranë për 24 orë u dubluan me emrat e grave të vrara gjatë vitit 2021. Vazhdë protestash ka pasur nga koha në kohë.
Dhjetë vjet më parë qe organizuar një marrshim-protestë për vrasjen për gjakmarrje të Maries 17-vjeçare nga Pulti i Dukagjinit, bashkë me gjyshin e saj. Tashmë dihet që 8 Marsi është “festa” e protestës granore, gjithandej. Në Prishtinë në këtë ditë u organizua një protestë kundër vrasjeve dhe dhunës ndaj grave në Kosovë. Mijëra protestues kanë demonstruar dhe në Paris e qytete të tjera franceze kundër dhunës dhe abuzimit seksual të grave. Dramat familjare janë kthyer në drama të shoqërisë dhe ky është një problem i qytetërimit bashkëkohor, që në njërën anë mburret me shifrat e përfshirjes së grave në jetën akademike, politike e sociale dhe nga ana tjetër nuk e ndalon dot dhunën e dorën vrastare mbi to.
Këto janë rrjedhoja të diskriminimit gjinor, shfaqur që në paragjykimin “punë burrash”, “punë grash”, në një kohë që realiteti është ndryshuar nga vetë gratë në favor të tyre, përderisa kemi jo vetëm gra shkrimtare dhe shkencëtare, por dhe pilote, police etj., që konsiderohen profesione të vështira dhe me rrezik. Bile në Shqipëri gratë shpesh bëjnë “punë burrash” tejet të rënda për të mbajtur familjet me stërmundim, në kushtet që burrat e tyre kanë rënë pre e veseve, duke u bërë problem i familjes, bashkësisë ku rrojnë dhe ligjit.
Dukuria e vrasjes së grave e vajzave në vendin tonë, ngjarjet kriminale me viktima gratë, diskutohen herë pas here në kohë reale në studiot televizive, në emisione të drejtpërdrejta të paradites apo ato të debateve në mbrëmje. Media është gjithnjë e ndjeshme ndaj kësaj problematike të nxehtë sociale, ndërkohë që shteti është i pafuqishëm për të parandaluar krimin ndaj grave, përderisa vriten nga (ish)bashkëshortët dhe gra me urdhër mbrojtje nga gjykata.
Asgjë nuk e ka ndalur dorën e zezë goditëse mbi gratë, as fakti që gruaja ka kapur majat e pushtetit, kryetare e Kuvendit dy herë, ministre, deputete, gjykatëse e lartë, kryebashkiake etj. Në këtë situatë ka pasur raste që vetë gratë janë përpjekur ta vënë në vend nderin e tyre, por fatkeqësisht përmes një krimi tjetër, vetëgjyqësisë, si Katerina Blumi e Hajnrih Böl, që e vuri në vend nderin e saj të “humbur” duke vrarë gazetarin që kishte thurur odisenë shkatërruese të dinjitetit të saj. Letërsia, kinematografia etj. është e mbushur me plot “heroina” që nuk janë dorëzuar para krimit të botës mashkullore, nëse mund ta quajmë kështu. E megjithatë realiteti vijon të mbushet me të tjera krime ndaj gruas, ndonjëherë dhe të grave ndaj shoqja-shoqes.
Gjinia e dobët shihet si i tillë ndonjëherë dhe nga vetë gratë. Nuk është e rastit që si për të bërë njëfarë kompensimi thuhet ajo është një grua si burrë!? Ky “burrëzim” i gruas hyri qysh atëherë kur gra të maleve tona rrokën pushkën dhe shkuan në luftën për pavarësi krahas burrave. Tjetër është një rrethanë e caktuar historike, kur gratë u shndërruan në luftëtare dhe tjetër stilema bashkëkohore e “gruas si burrë”. Në pamje të parë, nuk ka asgjë të përbashkët mes gruas kryetare kooperative e sekretare e parë dje me gratë në karrierë sot. Mirëpo, pa përgjithësuar, ç’mund të thuash kur në tribunat politike apo në Kuvend ndihen më shumë ca gra të “forta”, të reja në moshë dhe pa përvojë në jetë, po që dallohen për agresivitetin ndaj kundërshtarëve politikë dhe përulësinë ndaj shefave qeveritarë.
Dashje pa dashje publikut i serviret ky model kalimtar gruaje në politikë dhe jo soji e granisë profesioniste shqiptare, punëbukura, të heshtura dhe me kryet plot. Gratë, që as e kishin menduar ngjitjen aq lart në pushtet, nuk mund të marrin parullat dhe të dalin në shesh në mbrojtje të të drejtave të grave të tjera pa pushtet, pa punë, pa para, pa mbrojtje ligjore, të nëpërkëmbura nga tranzicioni dhe bashkëshortët dhunues. Një shoqëri nuk mund të funksionojë si një trup i vetëm ndaj krimit, aq më tepër atij të vrasjes, nëse të gjithë aktorët e saj nuk janë në këmbë të përbashkuar. Ajo që të shëndoshet e civilizohet ka nevojë për zëra të fuqishëm e të pjekur intelektualë, burrash dhe grash, fjala e të cilëve dëgjohet. Shqipëria ka plot gra mësuese, pedagoge, mjeke, artiste, gazetare, gjykatëse, prokurore, pushtetare, biznesmene etj., me ndikim në jetën publike, por, për çudi, dhe në u thirrshin ndonjëherë në studio, ato “vijnë” pas grave të politikës, edhe kur këto të fundit kanë dalë deputete nga listat e partive dhe jo se i ka votuar populli!?…
Mbi të gjitha, një shoqëri që nuk e padit të shkuarën e vet kriminale, doemos që do ta përsërisë atë në një formë a në një tjetër. Dosjet e pazbardhura të vrasjes së grave vetëm sa e favorizojnë atë. E para dosje, ajo e Ramize Gjebresë, nuk u zbardh kurrë, nuk u akuzuan asnjëherë urdhëruesit e vrasjes së saj, prandaj janë vrarë për të njëjtin motiv, kinse nderin e shkelur dhe “një mijë vajza” të tjera. Sa nuk është vënë në vend nderi i marrë politikisht i një partizaneje, sa nuk i është ngritur diku busti si një paralajmërim për të mos i vrarë gratë, prapë krimi ndaj tyre do të vazhdojë. Vrasja e Ramizesë ka qenë një krim i veshur me pushtet, ndaj shteti mund të ndërmarrë sot një akt “rehabilitimi”, një minutë heshtje në Kuvendin e Shqipërisë, një pelegrinazh kujtese në venin ku ajo u vra etj., si një kushtim ndaj gjithë grave dhe vajzave të vrara.
Krimi është krim kudo që ndodh, në luftë apo në paqe. Nuk duhet të druhemi se duke vënë në vend nderin e humbur të Ramizesë, i marrim “nderin” luftës.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Fejohet Majk, publikon fotografi nga propozimi që i bëri partneres
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Edhe një problem për Trumpin, policia konfirmon dyshimet për sulm seksual të kandidatit për Sekretar të Mbrojtjes
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje