LAJMI I FUNDIT:

Një kukull që nuk është kukull

Një kukull që nuk është kukull

Teodor Keko (1958-2002)

Ishte një ditë e ngrohtë prilli e vitit 1976, kur lindi mes të qarave gërvishtëse një vajzë e bukur, si nëna e saj. Lindja qëlloi e vështirë nga pozicioni ters i foshnjës në bark dhe, me gjithë përpjekjet e ethshme të mjekëve e të mamive, nëna e të porsalindurës dha shpirt, fill pasi nxori në dritë krijesën e saj të parë e të fundit. Kishte humbur shumë gjak dhe nuk mund t’i bëhej një transfuzion i menjëhershëm, pasi grupi i saj i gjakut ishte shumë i rrallë.

Në atë panik, mjekët menduan se si do t’ia jepnin lajmin e kobshëm të afërmve të së ndjerës, por e kishin vrarë mendjen kot. Vetëm kur ata filluan të kërkojnë prindërit e saj, apo bashkëshortin, fillimisht për të kërkuar kampione nga gjaku i tyre e më pas për t’iu dhënë lajmin e tmerrshëm, e kuptuan se adresa e shënuar në bllokun e trashë të regjistrimeve ishte e rreme. Nuk figuronte në asnjë zyrë të gjendjes civile as emri, as adresa e saj. Ajo nuk kishte lënë pas as edhe një shenjëz të vetme orientimi.


Me foshnjën në duar, mamitë u sollën një kohë vërdallë. Foshnja qante, pasi donte të pinte, kështu që, pak nga se nënat e reja kishin nevojë për një thithëse qumështi, që mos t’iu mblidhte gjiri, derisa t’iu sillnin foshnjat e tyre dhe më shumë nga keqardhja për këtë fëmijë të braktisur kaq mizorisht nga fati i mbrapshtë, filluan ta bredhin gji më gji të fryrë, sa herë i tekej të pinte.

Atëherë nuk kishte kushte për t’i strehuar në Shtëpinë e Fëmijës foshnjat e porsalindura, kështu që vajzën e mbajtën dy muaj në maternitet. Kjo foshnjë, e cila çuditërisht nuk bënte naze sa herë ia ndërronin gjirin e kësisoj edhe llojin e qumështit, u bë sakaq fëmija më i dashur për të gjithë.

Pak para se të transferohej në Shtëpinë e Fëmijës, Flora, gruaja e një kirurgu të njohur abortoi për herë të tretë, këtë herë pas gjashtë muajsh shtatzanie e regjimi të rreptë shtrati. Por, mes lotëve, ajo sakaq u kujtua për jetimen e bukur me të cilën kishte nja dy muaj që luante, sa herë që ajo qante dhe mamitë ishin të zëna me urgjenca.

– Pse mos ta adoptojmë ne, – iu lut të shoqit me ankth në sy.

I shoqi druhej mos foshnja ishte sakate, nga ndonjë tentativë e natyrshme aborti e nënës së saj të ndjerë, por, si e vizitoi me kolegët e tij me kujdes, nuk dalloi asgjë shqetësuese te vajza.

– Kjo vetëm sëmundje nuk ka në trup! – i vuri vulën një kolegu i tij.

Kaq mjaftoi për t’ia mbushur mendjen kirurgut.

– Po e marrim ne këtë fëmijë! – e vendosi ai, a thua ndodhej në pazar dhe kështu vajza ndërroi adresë.

Vajzën e quajtën Ema. Ajo rritej mes kujdesit dhe shumë shpejt dha shenjat e një zgjuarsie të mprehtë natyrore. Kishte një karakter të fortë, nuk dorëzohej lehtë dhe, kur të shihte me sytë e saj jeshilë, të turbullonte.

– Si shtrigë më duket! – psherëtinte Flora, që çmendej pas saj dhe i qe bërë si hije trupi.

Në shkollë, Ema dallohej për dy gjëra: për zënkat e egra me kundërshtaret e saj dhe për ecurinë e shkëlqyer në mësime. Derisa mbushi 10 vjeç, fytyrën e kishte gjithmonë plot me gricje, aq sa të kujtonte hartën fizike të botës. Të merrte malli ta shihje të ulej një herë në tavolinë me libër në dorë, megjithatë, askush nuk arrinte rezultatet e saj në mësime dhe, pa mbaruar shkollën 8-vjeçare, vetëm duke dëgjuar radio e parë televizor, kishte përvetësuar shkëlqyeshëm gjuhët italiane dhe angleze.

Duke u rritur, ky fëmijë nisi t’i fitojë një nga një olimpiadat, herë në matematikë, herë në fizikë e herë në kimi. Tmerr i fuste vetëm letërsia. Po të lexonte një libër të kësaj natyre e zinte gjumi sakaq.

Në gjimnaz erdhi e u bë një vajzë e bukur, me trup atleteje, me flokë kaçurrelë të dendur, që nuk kishte krehër t’ia bënte zap. Meshkujt i silleshin vërdallë nëpër këmbë, si minj, dhe ajo filloi të ngalasej nga pak me ta, derisa e futi mikun e parë në shtrat. Nga ajo ditë, filloi t’i ndërronte partnerët. Nuk trembej nga asgjë dhe, me po atë lehtësi që u dorëzohej meshkujve, i flakte nga jeta e saj. Kush i afrohej asaj, rrezikonte shumë. Jo pak djemve u mbeti peng këputja e lidhjeve me Emën, gjithmonë sipas trilleve të saj, dhe filluan të trokasin ilegalisht nëpër dyert e psikiatërve për të marrë qetësues.

Ema e mori vesh shpejt, që ishte fëmijë e adoptuar. Që në zënkat e para me fëmijët e rrugës, ku banonte, atë e shanë “kopile”, por kjo gjë nuk i bëri asnjëherë përshtypje. Shoqeve dhe shokëve të porsanjohur ua komunikonte këtë lajm e para me një barrë krenarie. Nuk u bë kurrë kureshtare të kërkonte babanë dhe nëse dëgjonte dikë, këta ishin prindërit e saj.

Kur mbaroi gjimnazin, prindërit e ndanë mendjen ta nisnin jashtë shtetit për studime. Atë kohë, ajo merrej me volejboll dhe ata shfrytëzuan një turne të skuadrës së saj në SHBA për ta nisur përfundimisht andej. I premtuan se do t’i shkonin shumë shpejt mbrapa, sapo të gjenin vizat e të shisnin shtëpinë, dhe ajo iku pa bërë zë. Në SHBA erdhi vërdallë nja një vit, duke menduar se për çfarë dege duhej të studionte, pastaj e ndau mendjen të studionte për financë dhe kështu bëri. Brenda tre vjetësh i përfundoi shkëlqyeshëm studimet universitare 5-vjeçare dhe menjëherë filloi punë në një bankë të Nju Jorkut. Nga dita e largimit, ajo nuk kërkoi kurrë dollarë nga prindërit. Pa punë kishte qenë, dollarë nuk kërkonte… Kaq duhej që Flora të profetizonte, duke thënë:

– Kush e di ç’pisllëk do të jetë duke bërë andej!…

I kishte rënë pikës! Një muaj pasi kishte shkelur në tokën e premtuar, Ema u afrua me një amerikan të kamur. E njohu krejt rastësisht, teksa shihte me kureshtje nga vitrina në rrugë bizhutë në një dyqan me emër. Tjetri iu afrua jo pa ndrojtje përbri dhe e ftoi të zgjidhte diçka në dyqan, meqë atë ditë kishte ditëlindjen. Ema pranoi menjëherë. I vuri gishtin një unaze me çmim astronomik, pastaj pranoi ftesën e të panjohurit për të darkuar së bashku, hëngri e piu atje sa iu veshën sytë dhe po atë natë e gdhinë në një hotel, në periferi të qytetit. I fali aq kënaqësi atë natë në shtrat, sa e bëri tjetrin t’i binte në gjunjë dhe e rropi pa pikë mëshire, aq sa mundi dhe pastaj, kur iu mërzit, e la pa e vrarë mendjen fare. E mbetur sërish vetëm, ajo vendosi të shohë një herë tamam rreth vetes se ç’bëhej e si jetohej në këtë botë. Pasi peshoi gjithçka, e gjykoi si më të mirën të ushtronte striptizën në një lokal mondan nate. Kur e bënte këtë punë një bullgare, shoqe e saj e dhomës, që më shumë ngjante me një zhapik sesa me një femër, si mos e bënte ajo që ua rrotullonte kokat meshkujve, si të qenë luledielli!

Sa e panë bosët e lokalit të parë, ku trokiti, e pranuan në çast dhe ylli i ri mblodhi sakaq rreth vetes aq fansa, teksa iu zhvishej para hundëve, sa nuk i dhembi më koka për të siguruar jetesën.

Me këtë punë u mor derisa përfundoi studimet universitare. Klientët ia mbushnin gjimbajtëset e holla e rripat e mbathjeve me dollarë dhe ajo, hera-herës, zgjidhte ndër më dorëlëshuarit për partnerë në shtrat. Për këtë gjë askush nuk kursehej, nëse ajo vendoste.

Lidhjet kalimtare, Emës i vinin për shtat dhe të ardhurat që fitonte, i siguruan një jetë më se komode. Sa për turp, as bëhej fjalë! Këtë ndjenjë Ema nuk e njihte!

Ditën që kaloi në Bankë, ajo e mbylli kapitullin e striptizmit. Asnjëherë nuk kishte qenë femër epshore, që vdiste po të mos bënte seks. Madje, lidhjet e shumta kalimtare e kishin bërë të humbiste kuriozitetin edhe ndaj hallateve të partnerëve!

Askush nuk mund të parashikonte se si do të rridhte jeta e saj, nëse nuk do t’i vdiste i ati nga një infarkt i papritur. Ema mori leje, prenotoi avionin më të parë dhe zbriti një natë të ftohtë dimri në Tiranë. Kur Flora e pa në derë, sa nuk pësoi fatin e të shoqit!

– Po ti ?! – thirri nën zë.

– Vetëm do të të lija?! – ia ktheu gjithë inat Ema, duke lëshuar valixhen në korridor.

Flora filloi të vëzhgonte me kujdes vajzën e saj marruke e yll të bukur dhe iu duk se më në fund ajo ishte shtruar. Tani nuk kishte ndonjë dëshirë të madhe të dilte e për t’u shoqëruar me meshkuj as bëhej fjalë. Por shtëpia po e mbyste. Atëherë vendosi të gjejë ndonjë punë, sa për të kaluar kohën, se për lek as bëhej fjalë të kishte nevojë.

Një mbrëmje, teksa pinte kafe me një shoqe në një verandë lokali, njohu rastësisht një mesoburrë te të 50-at me pamje fisnike. Ishte një i njohur i shoqes së saj dhe, kur Ema mori vesh se tjetri kërkonte një financiere të mirë për të drejtuar financat e kompanisë së tij, i shprehu dëshirën ta provonte një herë atë punë. Tjetri e pa gjithë dyshim. Kjo vajzë kaq seksi nuk dukej të kishte lindur për të punuar qoftë edhe një ditë të vetme. Por nuk ia prishi. Në fakt, ai nuk e dinte me kë kishte të bënte.

Nëse Ema mund ta kryente ashtu siç duhej detyrën, do të paguhej 300 dollarë në muaj, por një muaj më pas, kur Fredi, pronari i kompanisë, pa rregullin e vendosur menjëherë në financat e tij, e thirri në zyrë.

– Jam shumë i kënaqur nga ty, – i tha, – nëse dëshiron të lidhim kontratë bashkë, rrogën do ta kesh 600 dollarë në muaj!…

Emës i pëlqeu vlerësimi i tjetrit, siç i pëlqeu fakti, që ky njeri nuk do ta bezdiste me ato vështrimet epshore, të cilat ia prishnin humorin në çast.

– Dakord! – ia ktheu ajo, duke shtuar se duhej të njihej edhe me ligjet financiare të Shqipërisë, nëse Fredi nuk donte të kishte kokëçarje nga tatimorët.

Nga ajo ditë, Emës sikur iu mbush jeta. Ditën ajo merrej me pagesat e porositë e Fredit, kurse mbrëmjeve shfletonte Fletoret Zyrtare, duke parë ligjet në fuqi e duke u tallur me ligjvënësit anadollakë, që nuk kishin haber nga biznesi e evazioni fiskal. Dy muaj më pas, kur tatimorët do të trokisnin te zyrat e Fredit, sipas ritualit, për të bërë kontrollin rutinë, për t’u kapur diku e për të futur në xhepa ndonjë shuk me lekë, siç ishte bërë rrugë të ndodhte, Ema shkoi në zyrën e Fredit.

– Kanë ardhur tatimorët! – foli shkurt. – Ua dhashë të gjithë dokumentacionin që kërkuan, por ti nuk do t’u japësh asnjë lek! Puna e tyre është të kontrollojnë dhe të vendosin gjoba, po gjetën ndonjë parregullsi ligjore. Po gjetën gjë, gjobën e paguaj vetë, por atyre nuk do t‘u japësh asnjë kokërr leku! Janë mësuar keq këta parazitë!…

Fredi nuk ia ndau sytë kësaj bishe të egër me pamje engjëlli. Nuk donte telashe e ishte gati të paguante sa të kërkonin, mirëpo as Emës nuk ia prishte dot.

– Ti e di këtë punë! – ia preu shkurt.

Një javë tatimorët derdhën djersë mbi letrat e kopsitura nga Ema, por nuk gjetën asgjë, përveç vështrimit ironik të kësaj femre të panjohur për ta, që dukej sikur thoshte nën zë: gërmo, Tare, gërmo, se varrin e qenit të ngordhur do të gjesh !…

Kur ata e kuptuan se nuk do të kapnin asnjë lek e se qenë rropatur kot gjithë ato ditë e po bëheshin gati t’ia mbathnin, ajo iu dha një këshillë me zë engjëllor:

– Mos hajdeni më kot këtu, se nuk do të gjeni kurrë shkelje ligjore! Po deshët ndonjë lek, investoni! Blini aksione te ne, sepse jemi shoqëri aksionere!…

Të gjithë e shanë KURVË me vete, ndërkohë që Fredi u mbyll në zyrë. Nuk donte ta shihnin ata morracakë duke qeshur me këshillën e Emës të shqiptuar aq butësisht.

Atë mbrëmje Fredi e ftoi për darkë Emën. E njoftoi, se do të darkonin në restorantin më mondan të peshkut dhe se do ta priste atje në orën tetë të mbrëmjes. Kur ajo u shfaq në derë, klientëve iu ranë pirunët nga duart. Kishte veshur një fustan të kuq, të gjatë deri në fund të këmbëve, me një dekolte të thellë, që ia zbulonte gjoksin e mrekullueshëm.

– Ua zure bukën në fyt, – pëshpëriti Fredi, kur ajo iu ul pranë.

– As më kërcet për këta të palarë! – ia ktheu shpërfillshëm ajo, pa marrë mundimin të hedhë një herë sytë përreth. – Nuk është faji im që hanë akoma fasule me pilaf dhe mbajnë çitjanet si shenjë tradite!…

– Kaq e egër ke qenë gjithmonë? – e pyeti Fredi.

– Asnjëherë nuk kam qenë e egër! Konformizmin, po! Atë e urrej!

– Bëhu pak më realiste! Tani jeton në Shqipëri!…

– Se mos erdha nga qejfi këtu! Nga halli erdha! Kështu që nuk kam asnjë detyrim ndaj këtij realiteti! Kur të më teket, iki prapë! Nga kjo shoqëri, unë nuk kërkoj ndryshim. Atëherë pse duhet të kërkojë shoqëria shqiptare ndryshim prej meje?!…

– Bëj si të duash! – u dorëzua Fredi. – Unë të kam thirrur për darkë për tjetër gjë… Ti më ke bërë të mos kem më frikë nga tatimorët me punën tënde. Më ke kursyer kështu mbi 50000 dollarë, plus që tani unë nuk e gdhij syhapur nga frika e ndonjë denoncimi prej tyre. Këto para nuk mund të hyjnë të gjitha në xhepin tim. Mua më mjafton, që nuk kam më frikë!…

Ema e pa gjatë në sy tjetrin, pastaj filloi të buzëqeshë lehtas.

– Unë nuk fillova punë te ty ngaqë po vdisja për bukë. Por, edhe po na dhe ndonjë lek, nuk bën keq! Në këtë botë fiton ai që di të shpërblejë ndihmën!…

Shqiptoi krejt të kundërtën e asaj që po mendonte: të ngrihej e ta linte tjetrin si të dhjerë në tavolinë!

Ishte e bindur se edhe Fredi ishte me mendjen e saj, prandaj e habiti qetësia e tjetrit, kur futi dorën në xhepin e brendshëm të xhaketës, nxori që aty një zarf të trashë dhe ia vendosi ngadalë përpara.

– Janë të tuat! – shqiptoi me po atë qetësi olimpike.

Ema e mori zarfin dhe, pa e hapur, e futi në çantën e dorës.

– Faleminderit! – tha pa ia ndarë sytë.

I pat lindur menjëherë dëshira ta fuste Fredin në shtratin e saj. Tani po e brente kurioziteti për këtë njeri me maskë.

Gjithë darkën, ajo e shtyu me këtë mendim dhe nuk e pati të vështirë ta tundonte tjetrin. Aq gjë e kishte mësuar përtej oqeanit.

Kur dolën, ajo ia futi krahun tjetrit dhe i pëshpëriti lehtë në vesh:

– Ku do të më çosh tani?

– Ku të duash!

– Ikim në Durrës! – tha ajo, duke shtuar se andej ka ca hotele të mira.

Nuk ishte e thënë të përfundonte deri në Durrës. Pa kaluar sheshin “Skënderbej”, ajo propozoi të ktheheshin tek ish-“Vjosa”. Tani i qe zgjuar gjaku i parë i padurimit dhe në të tilla raste nuk kishte Zot t’ia prishte!…

Në dhomë, ajo u përkujdes që Fredi mos ndihej keq, dhe, pasi mbaroi gjithçka e Fredi po bëhej gati të kotej, Ema tha ngadalë:

– Nuk desha lekë nga ty, por, i mora, sepse nuk kisha qejf të ta prishja!… Edhe diçka. Po deshe ta kalojmë mirë bashkë, mos e ço nëpër mend se jam prona jote dhe mos e merr kurrë iniciativën në marrëdhëniet tona private.

I ktheu shpinën e lakuriqtë tjetrit dhe sakaq fjeti.

Fredin e trembi akullsia e tonit të Emës. Ia kishte shqiptuar fare thatë e pa emocion mendimet e saj, ndërkohë që ajo nuk kishte asnjë ide, se çfarë shume përmbante zarfi në çantën e saj. E trembi edhe trilli i beftë i tjetrës për t’u kthyer në këtë hotel e për t’iu dhënë me një pasion të vërtetë, ndërkohë që deri para pak orësh nuk kishte ofruar asnjë shenjë për këtë bashkim.

E nesërmja i riktheu në pozitat e mëparshme. Ema dukej qartë që e kishte harruar ndodhinë e një nate më parë, ndërkohë që Fredi sepse pati një ide, që ajo po e vëzhgonte nga larg. Në këtë rutinë vazhduan marrëdhëniet e tyre, derisa një ditë Ema u rishfaq në zyrën e tij.

– Ke ndonjë plan për sonte? – e pyeti.

Mori një përgjigje mohuese nga Fredi.

– Hamë ndonjë darkë bashkë? Paguaj unë! – tha Ema.

Fredi e vëzhgoi gjatë.

– Pse më shikon?

– Më duket se më ngatërron me ndonjë tjetër, – ia ktheu ai. – Unë kërkoj nga të tjerët po atë respekt që iu jap! Nuk të kam trajtuar si shërbëtore dhe po këtë gjë duhet të bësh edhe ti, me mua!…

– Më fal! – mërmëriti Ema.

Sakaq kishte ikur.

Emën e fyeu sjellja e Fredit, por, në darkë vonë, teksa turfullonte me veten e saj, thellë-thellë, i dha të drejtë tjetrit. E kishte trajtuar si ndonjë mashkull të përvëluar pas saj, si ata jargashët, që psherëtinin lloj-lloj banalitetesh kur ajo kalonte në rrugë…

Të nesërmen, ajo trokiti sërish në zyrën e Fredit. Raportoi për punën e saj, pastaj, teksa po dilte, i kërkoi edhe një herë të falur tjetrit.

– U ndodha shumë bosh dje, por kjo nuk do të ndodhë më kurrë!…

– Kështu mund të bisedohet, – tha Fredi, – por jo me vendime të njëanshme. Si the atë natë? Ty nuk të pëlqenin iniciativat e njëanshme në këtë punë… Sonte, apo një ditë tjetër, mund të ma ofrosh atë darkën…

Atë natë përfunduan në Lezhë, në një hotel të drunjtë buzë detit.

– E di, – murmuriti ajo pas mesnate e strukur në gjoksin e tij ku kishte filluar të ndihej mirë, – nuk të dua për seks, po për shok! Ti, më jep besim!… Nuk di si ta shpjegoj…

– E kam kuptuar këtë gjë, – ia ktheu ai.

– Nga e ke kuptuar?!

– Ti je një femër me bukuri të rrallë, je e rrethuar nga shumë meshkuj të rinj e me vlera, që do të shkrinin pasurinë të bëheshin të dashurit e tu, kurse ti më zgjodhe mua, krejt të kundërtën e tyre…

– Janë shumë provincialë, Fred! – tha Ema. – Ata nuk e kanë idenë se cila jam unë, çfarë kam parë e provuar, çfarë di… Ata mendojnë se unë jam një kukull budallaqe… Janë njerëz që paragjykojnë dhe ky paragjykim i ka fiksuar prej shekujsh në provincializëm!… Ti u solle që në fillim ndryshe me mua, megjithëse ishe i bindur se unë isha vetëm një lodër seksi. Ama, ti e munde vetveten, kur pranove ta provoje një herë të punonim bashkë…

– Më trego se çfarë ke parë! – iu lut befas ai.

Ema u mendua një hop, pastaj tha qetësisht:

– Lere, Fred! Mos na e prish sonte gjakun!

Po, tjetri nuk iu nda. Ishte vërtet kureshtar të mësonte se çfarë dinte kjo vajzë nga jeta, kjo vajzë e re e pa përvojë, e pamësuar me skamjen e me intrigat e këtij vendi…

Maj 2001