E plotësuar: Dëshmitari i tretë në rastin e Salih Mustafës ka thënë se në Zllashë është mbajtur 18 ditë, ku sipas tij është rrahur e maltretuar vazhdimisht.
Nën masa mbrojtëse të sigurisë, ai i është përgjigjur në pyetje përfaqësueses së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Silvia D’Ascoli në seancën e sotme gjyqësore ku ka thënë se është rrahur nga katër apo pesë persona.
Dëshmitari: Në Zllashë më kanë mbajtur 18 ditë
“Aty kam ndejt 17 netë, 18-n ditë jam liruar prej atij vendi, aty ka ndodh çdo ditë lloj-lloj torturash, kemi ndejt aty dhe kemi ndejt duke prit kush po vjen me të rreh, me të marrë me të dërgu në ahur dhe me të rreh, sa më kujtohet[…]Na kanë rrahur shkelma, boksa, stupca, shufra ka pasur diçka të hekurt, na kanë djeg me qiri ta mbanin qirin në shpinë, të djegshin në lloj-lloj mënyre, me rrymë, e kanë pasur një si kuti me rrymë t’i lidhnin këmbët, ka pasur lloj-lloj torturë”, ka thënë dëshmitari.
Ndërsa prokurorja e ka pyetur dëshmitarin nëse është abuzuar seksualisht por një gjë të tillë ai e ka mohuar.
Ai ka thënë se është rrahur pothuajse çdo ditë, nga katër apo pesë persona, emrat dhe pseudonimet e të cilëve pretendon se i mban mend. Ka thënë se është rrahur pothuajse çdo ditë.
Dëshmitari: Jemi keqtrajtuar nga pesë persona
“Sa e mbaj mend ka qenë një pseudonim Tabuti, ka qenë Vela, një Afrimi, një tjetër me emër Dardan, një Fatmiri berberi i thonin në atë kohë, ka qenë një Bini. Këta janë kanë torturuesit që më kanë mbet në krye, këta janë kanë maltretuesit që kanë ekzistuar aty më të mëdhenjtë, ka pasur edhe të tjerë Avnia, Bujari, por nuk kemi pasur keqtrajtime prej tyre, keqtrajtimet kanë qenë nga këta që i përmenda”, ka thënë dëshmitari.
Sipas tij, të njëjtit në rroba kanë pasur mbishkrimin BIA.
Gjatë seancës së sotme, dëshmitari është pyetur për kushtet të cilat i ka pasur në objektin ku pretendon të jetë mbajtur për 18 ditë.
Dëshmitari: Kushtet e gjumit në tokë, kemi pasur nëse nuk gaboj tri qebe, ka pasur pak kashtë aty këtu dhe në tokë, dhe, ka ndodh ato qebe ja kemi dhënë njëri tjetrit për me u mbulu kapak që kanë qenë më keq, në tokë në dhe e lagështi, këto kanë qenë disa kushte çka mundem me i mbajt mend.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: A mund të laheshit gjatë atyre ditëve që ju kanë mbajtur në ahur?
Dëshmitari: Jo, ujë me pi nuk na kanë dhënë lerë më me u la.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: Po me shku në toalet?
Dëshmitari: Për këtë pjesë e kemi pasur një kovë aty brenda në shtallë.
Jam ndjerë shumë keq dhe ke pritur vetëm vdekjen kur po të jen, nuk ke pas çka me u ndje apo çka me mëndu tjetër veç ke prit sot, nesër kur po të mbysin.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: Si ndodhi që ju liruan
Dëshmitari: E hapën atë derën dhe na thanë mu edhe dy personave të tjerë na thanë hajde dilni dhe tre persona janë brenda.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: Pra erdhën, e hapën derën dhe ju thanë me dalë jashtë, kush erdhën, kush ishte personi që ju tha të dilni jashtë nëse të kujtohet?
Dëshmitari: Ka qenë nëse nuk gaboj Fatmir dhe Bini, veç e ka hap derën ka thënë ti, ti, ti dilni jashtë dhe kemi vazhduar para kësaj shtëpisë aty dhe Bini tha shkoni kah të doni.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: A kishte persona të tjerë jashtë, qofshin ushtarë apo civil, ra jashtë ahurit kur ju liruan?
Dëshmitari: Ushtarë të tyre që kanë qenë më poshtë ose më lartë, ka pasur njerëz.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: A ju treguan arsyet pse po ju lironin?
Dëshmitari: Jo unë e pyeta këtë Binin thash a mundeni me më tregu pse më keni mbajtur deri sot këtu, tha babën e ke të keq dhe mos fol mos e zgjat më shumë, dhe vazhduam.
Gjykimi i Salih Mustafës, i cili po ndjek atë përmes video lidhjes në Hagë, po vazhdon me dëshminë e dëshmitarit të tretë të ZPS-së.
Dëshmitari i parë i mbrojtur ka dëshmuar nga data 20 deri më 23 shtator, ndërsa dëshmitari i dytë ka dëshmuar nga 23 deri më 27 shtator. Të gjithë nën masa mbrojtëse të sigurisë. /KP/
—–
Dëshmitari i tretë në Hagë: Në Zllashë më dërguan të komandant Cali, aty më keqtrajtuan
E plotësuar: Dëshmitari i tretë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër Salih Mustafës në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka thënë se në kohën kur i ishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK), është marrë nga disa persona dhe është dërguar në një objekt në fshatin Zllashë, që sipas tij, aty është keqtrajtuar nga një person që ai e quan komandant Cali.
Dëshmitari i cili po dëshmon duke ju fshehur identiteti, sot ka thënë se fillimisht nuk e ka ditur kush është personi e pastaj ka dëgjuar të tjerët duke ju drejtuar “komandant Cali”, por i njëjti në një dëshmi dhënë prokuronit të ZPS-së më 2019 kishte thënë se personi i ishte prezantuar vet si komandant Cali.
Dëshmitari i tretë i ZPS-së në rastin ku ish-pjesëtari i UÇK-së Salih Mustafa po gjykohet për krime lufte, duke u përgjigjur në pyetjet e përfaqësues së ZPS-së ka thënë se bashkë me disa persona të tjera kanë shkuar në fshatin Zllashë për të gjetur shtabin e UÇK-së dhe sipas tij, për t’u bërë pjesë e saj.
Dëshmitari: Në Mramor shkuam të një shkollë, aty kish pasur njerëz, aty qëndruam një natë, i pyetëm njerëzit e tjerë se ku është UÇK-ja se po duam me u kyç në luftë dhe të nesërmen na treguam dhe vazhduam për një fshat Zllashë.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: Çfarë bëre pastaj, pasi shkuat në Zllashë?
Dëshmitari: Pasi shkuam në Zllashë shkuam të një shkollë tjetër, aty u lajmëruam, aty kish pas disa ushtarë, një komandant, një epror ku ta di unë, u lajmëruam aty, na i morën shënimet krejt dhe ok mbetëm aty.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: A të kujtohet emri i këtij komandanti, eprori?
Dëshmitari: Fatmir Sopi, Adem Shehu dhe një Triumfi.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: The që shkove tek ata, të morën të dhënat dhe qëndrove aty, çfarë bëre aty të shkolla e Zllashit?
Dëshmitari: Çdo ditë dilnim, kemi pasur disa stërvitje, disa ushtrime, kemi bërë me Adem Shehun dhe Triumfin dhe pas katër pesë ditësh erdhën një njësi tjetër.
Dëshmitari ka thënë se në Zllashë ndodhej Brigada 153 të cilës shton se shkuan t’i bashkohen dhe sipas tij aty ishin edhe rreth 50 persona të tjerë, të rinj që stërviteshin për t’u bërë pjesë e UÇK-së.
Ai ka thënë se kanë qëndruar katër ditë në shkollë dhe ditën e pestë, sipas tij, atë e kanë marrë disa persona të tjerë, që ai thotë të kenë qenë Skifterët.
Dëshmitari: Nuk i kam njohur, erdhën katër ushtarë, me tesha të zeza, Skifterët qysh e kam kuptuar pastaj u quajtën, si një lloj njësi speciale diçka.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: Pra thatë që ishin katër ushtarë që ishin të veshur me tesha të zeza, me uniformë të zezë, a ishin të armatosur këta persona, a kishin ndonjë shenjë dalluese në uniformat e tyre?
Dëshmitari: Emblema, pastaj e kam kuptuar lexojke BIA, diçka me tre shkronja, BIA.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: A pat ndonjë shkrim në këto emblemat ose pjesët dalluese që kishin personat?
Dëshmitari: Krejt çka kam dalluar ka qenë ajo BIA.
Sipas dëshmitarit, personat i janë afruar në oborrin e shkollës ku po qëndronte dhe i kanë thënë të shkojë me ta të takojë komandantin.
Dëshmitari: Ata që më dërguan në Zllashë më thanë komandanti do të bisedojë me ty
“Vetëm më thanë ka me bisedu komandanti dhe u nisa me ta, unë nuk kam menduar asgjë, dhe nuk ke pas çka me me mendu ti me katër vetë të armatosur, edhe me të shku mendja diçka ti nuk ke mujt. Vetëm më thanë me ardh me neve ka me të pyet komandanti diçka, kaq, më shumë nuk më kanë thënë asgjë. Vetëm kanë thënë që jemi njësi speciale, Skifterët diçka më kanë thënë dhe duhet me vazhdu me ardh me neve, asgjë më shumë”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur.
Ai ka thënë se kanë shkuar në këmbë në objektin ku pretendon se është mbajtur e keqtrajtuar.
Dëshmitari: Më kanë vënë thes të zi në kokë
“Ne vazhduam atë rrugë një farë pjese goxha njëfarë cope, vazhduam ashtu në këmbë me ecë, shkuam me një vend që nuk e se di as vet sepse hera e parë në jetën time që isha në atë vend, ku u afruam afër diku ata më thanë ule kryet edhe më nuk dija as ku po më dërgojnë as çka po bëhet, kur jemi afruar krejt afër do objekteve diku, një thes i zi në se nuk gaboj ma vendosen në krye dhe më dërguan në një objekt brenda”, ka thënë dëshmitari.
Sipas dëshmitarit, brenda në ndërtesë ndodhej komandanti.
Dëshmitari: Kur më dërguan brenda kësaj ndërtesë aty kish qenë një komandant i tyre edhe kish qenë ulë përballë dhe më tha kush je, i tregova, tha për çka ke ardhur këtu, i tregova i thash kam ardhur me u kyç në ushtri me kontribu najsen, tha pse po rren, e qesi sene, nisi me ngritë zërin me ato senet e veta me ato bërtitma e mëdha, u çu dhe ma mëshoj edhe filluan me më rreh krejt.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: Komandanti, a u prezantua se kush ishte, a e kuptuat ju se si quhej komandanti?
Dëshmitari: Nuk e kam kuptuar menjëherë por pastaj e kam kuptuar kush është dhe duke ju drejtu komandant Cali.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: A dëgjuat ushtarë të tjerë që i drejtoheshin komandantit në ndonjë mënyrë?
Dëshmitari: Në fillim kur më kanë dërgu i thanë komandant e prunëm këtë djalin dhe e kam pa që ai është komandant aty, se u drejtojshin të ai krejt.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: Çfarë do të thuash kur thua që unë më vonë e kam mësuar që ai ishte komandant?
Dëshmitari: Unë e dita që shkova para një komandanti, e dita si më kanë dërguar por emër ose diçka të tij nuk dita për momentin, as nuk u prezantua as asgjë, vetëm më dërguan para tij.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: Pasi u dërguat brenda kësaj dhome, sytë i kishit të mbuluar, apo jo?
Dëshmitari: Sikur me juve qitu
Prokurorja Silvia D’Ascoli: A të kujtohet se çfarë kishte veshur komandanti?
Dëshmitari: Një jakne të ushtrisë si me lara
Ai ka thënë se nuk mban mend ndonjë detaj tjetër nga pamja e personit që ai thotë të ketë qenë komandanti.
Dëshmitari: Ai më pyeti për çka ke ardhur këtu, unë i tregova, kam ardhur me u këqyr në ushtri me kontribu najsen sikur shumë të tjerë. Ai tha po rren se ti ke ardhur për qëllime të tjera.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: A ju shpjegoi ai ju arsyet pse ju kishin çuar në atë vend
Dëshmitari: Jo, absolut. U çu më sulmoi, ja nisi me më rreh edhe filluan këta të tjerët pastaj.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: A dëgjuat ndonjë person që u ipte të tjerëve urdhra që të rrihnin ty ?
Dëshmitari: Kam dëgjuar që kur ky ma ka mëshuar shuplakë ka thënë mbyteni krejt se po rren. E rrahura përfundoi deri në alivanosje, më kapën zhagë më qitën, më gjakosen krejt.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: Ku të tërhoqën zvarrë?
Dëshmitari: Prej asaj dhomës aty më qitën jashtë më dërguan në një ahur, stallë të lopëve.
Gjatë marrjes në pyetje, prokurorja e ka pyetur dëshmitarin rreth kësaj ngjarje dhe atë se çka ka deklaruar ai në një dëshmi për një prokuror të ZPS-së në vitin 2019.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: A të thanë ata ty se për çfarë bëhet fjalë, dhe këtu prokurori ju bënë juve një pyetje, ndërkohë përgjigja juaj është kjo ‘veç më thanë që komandanti ka diçka për të të pyetur, pra ia do të ju pyes për diçka’. Tani vijoj me pyetjen e prokurorit ‘ a ju kanë maltretuar, a ju kanë keqtrajtuar juve ndërkohë që jeni dërguar në ndërtesën tjetër’, përgjigja juaj është ‘jo’. Pyetje ‘kur ti mbërrite të kjo ndërtesë çfarë të ndodhi më pas’, përgjigja që ti ke dhënë është kjo ‘më shtinë brenda, kishte disa shkallë, unë shkova në kati ne dytë të asaj ndërtesa dhe hyra brenda në dhomë, atje ishte një person, komandanti i ashtuquajtur i tyre dhe ai tha unë jam komandant Cali’. Zoti dëshmitar, a e mbani mend këtë pjesë të dëshmisë suaj?
Dëshmitari: Po tash kur po e shoh po e mbaj mend, këto kanë qenë edhe që nuk kemi mundur me u kuptu mirë. Tash kur po e shoh po më kujtohet por është puna që nuk kam mundur mirë sherri i deklaratës së vjetër diçka pyetje që mi bënte prokurori nuk kam mundur me u kuptu mirë me të. Kam pasur problem me u kuptu me disa gjëra dhe kjo është e vërtetë çka shkruhet këtu dhe më kanë dërguar të një komandant, kjo ka ndodhur.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: A mbani mend që kur u dërguar në këtë dhomë, komandanti u prezantua se ishte komandant Cali
Dëshmitari: Aty e kam ditë që është komandant Cali, edhe kam dëgju kolegët e tij duke e thirrë Cal, e kam ditë që është ky komandant Cali.
Gjykimi i Salih Mustafës, i cili po ndjek atë përmes video lidhjes në Hagë, po vazhdon me dëshminë e dëshmitarit të tretë të ZPS-së.
Dëshmitari i parë i mbrojtur ka dëshmuar nga data 20 deri më 23 shtator, ndërsa dëshmitari i dytë ka dëshmuar nga 23 deri më 27 shtator. Të gjithë nën masa mbrojtëse të sigurisë.
Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.
Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.
Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm./kp/
—–
Nis seanca ndaj Mustafës, sot do të dëgjohet dëshmitari i tretë
Ka nisur seanca e radhës ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.
Ky i fundit është duke përcjellë seancën përmes video-lidhjes, derisa sot pritet të dëgjohet dëshmitari i tretë.
Dëshmitarët e ZPS-së kanë filluar të dëshmojnë në këtë rast nga data 20 shtator, ku deri tani janë dëgjuar dy prej tyre.
Gjykimi filloi më 15 shtator 2021 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësueses së viktimave.
KËTU mund ta përcjellni live gjykimin ndaj Mustafës. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Transportuesit privat sërish në rrugët e Shkupit, por jo me kapacitet të plotë
Akuzoi Prokurorinë Speciale për luftë ndaj Kurtit, KPK i reagon Muratit: Përpjekjet për të minuar kredibilitetin janë të dështuara
Bastisje në Kumanovë, ndalohet një person për posedim të armëve
Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës
Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër
Tragjedi në Prizren: I bie profili i metalit në kokë, punëtori humb jetën gjatë renovimit të një ndërtese
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town
Ngjarja me Drilonin dhe Edin - Sarës i përkeqësohet gjendja në Big Brother VIP Kosova?
Pochettino e injoroi dhe bëri sikur nuk e njeh, ish-ylli i Chelseat ka një përgjigje për argjentinasin
Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A