LAJMI I FUNDIT:

Nis numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta

Nis numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon verifikimi i të dhënave, dhe pas përfundimit të tyre do të fillojë edhe numërimi i fletëvotimeve me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta.

Edhe pse numërimi ishte paralajmëruar të fillonte në orën 18:00, zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi ka bërë të ditur se kjo vonesë është bërë pasi që nevojitet më shumë kohë për vlerësimin dhe verifikimin e të dhënave të fletëvotimeve nga diaspora.

“Aktualisht shërbimi votues është duke bërë një verifikim të të dhënave dhe pas përfundimit të tij do të mund të fillojmë me numërimin e fletëvotimeve me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta. Po bëjmë përpjekje që ta përmbyllim sa më shpejt këtë proces në mënyrë që të mund të nisim me numërimin e votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta. Shpresojmë se do të arrijmë që sonte të nisim këtë numërim. Numri i zarfeve të fletëvotimeve me kusht është 31 mijë e 427, ndërsa i zarfeve të fletëvotimeve të personave me nevoja të veçanta është 2 mijë e 766”, tha ai.


Sipas të dhënave, numri më i madh i fletëvotimeve me kusht, pra me numër katërshifror, u takojnë komunave:

Prishtinë 7 mijë e 520, Prizren 2 mijë e 953, Fushë Kosovë 1 mijë e 562, Suharekë 1 mijë e 538, Mitrovicë e Jugut 1 mijë e 528 dhe Gjakovë 1 mijë e 521.