Në Komunën e Malishevës ka nisur aksioni njëmujor për pastrimin e ambientit me moton “Për Malishevën e pastër”, i cili do të zgjasë gjatë gjithë muajit prill.

Hapja simbolike e këtij aksioni është bërë nga kryetari i komunës, Ekrem Kastrati, i cili ka theksuar rëndësinë e ngritjes së vetëdijes për ruajtjen e ambientit dhe angazhimin institucional për një mjedis më të pastër.


“Sot ka filluar aksioni i përgjithshëm i pastrimit të ambientit në territorin e Komunës së Malishevës. Përveç ngritjes së vetëdijes për ruajtjen e ambientit, muaji prill është shpallur edhe muaj i pastrimit të ambientit”, ka deklaruar Kastrati.

Ai ka bërë të ditur se synimi i këtij aksioni është që Malisheva të shndërrohet në komunën më të pastër në vend.

“Synojmë që Malisheva të bëhet komuna më e pastër në vend”, ka theksuar ai.

Sipas tij, për realizimin e këtij qëllimi është formuar edhe një task-forcë e posaçme, e drejtuar nga nënkryetari i komunës, Vesel Krasniqi, e cila përfshin institucionet përgjegjëse në nivel lokal.

Aksionit të pastrimit i janë bashkuar drejtorë të drejtorive komunale, zyrtarë, përfaqësues të institucioneve lokale, shkollave dhe Bashkësisë Islame, ndërsa mbështetje ka ofruar edhe njësia e “Eko-Regjionit” në Malishevë.

Në kuadër të këtij aksioni ka nisur edhe largimi i një deponie ilegale të mbeturinave inerte në rrugën Banjë–Senik, ku është vendosur edhe tabelë ndaluese për hedhjen e mbeturinave.

Kryetari Kastrati ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit dhe bizneset që kanë kontribuar në këtë iniciativë, duke ofruar mbështetje me makineri për pastrimin e hapësirave publike. /Telegrafi/