Nico Hülkenberg, më në fund në podium – fundi i një pritjeje historike në Formula 1

Nico Hülkenberg ka hyrë më në fund në historinë personale të Formula 1, duke u ngjitur për herë të parë në podium pas një karriere të gjatë dhe të durueshme.
Piloti gjerman 37-vjeçar siguroi vendin e tretë në Çmimin e Madh të Britanisë në Silverstone – një rezultat i papritur, por plotësisht i merituar.
Pas 238 garash pa podium, Hülkenberg arriti ta thyejë më në fund mallkimin në garën e tij të 239-të, duke u ngjitur në shkallën e tretë të podiumit me makinën e tij të Kick Sauber.
Gara u karakterizua nga kaosi i shkaktuar nga shiu dhe incidentet e shumta, të cilat krijuan mundësinë që veterani gjerman të përfitonte dhe të ngjitej në pozitat kryesore.
Ajo që e bën edhe më të veçantë suksesin e Hülkenbergut është fakti se ai e nisi garën nga vendi i 19-të, me pritshmëri të ulëta edhe për zona pikësh.
Por falë një strategjie të zgjuar, kohës së duhur për ndërrimin e gomave dhe menaxhimit perfekt të situatave kaotike me makinat e sigurisë, ai u ngjit në vendin e tretë dhe në fund e mbrojti me sukses këtë pozicion përballë Lewis Hamiltonit, i cili e ndoqi ngushtë me Ferrarin e tij, por u detyrua të kënaqet me vendin e katërt.
Kjo është hera e parë që Hülkenberg hyn në Top 3, pasi më parë rekordi i tij më i mirë kishte qenë vendi i katërt, i arritur në tre gara të ndryshme gjatë karrierës së tij. /Telegrafi/











































