Prishtina u shndërrua në kryeqendrën evropiane të lojërave elektronike, duke pritur një ngjarje madhështore që bashkoi pasionin dhe garën. Nga 9 deri më 13 korrik, palestra “1 Tetori” mirëpriti Kampionatin Evropian të lojërave “Counter Strike 2” dhe “Dota 2”, ku morën pjesë plot 35 ekipe nga 24 shtete të Evropës. Për këtë organizim madhështor në një intervistë për Telegrafin ka folur presidenti i Federatës Esports Kosova, Altin Preniqi, i cili ka rrëfyer se si u bë e mundur që kjo ngjarje t’i besohet kryeqytetit. “Nuk ishte aspak i lehtë organizimi i Evropianit. Kemi punuar me muaj të tërë për t’u bërë gati për në ngjarje të këtyre përmasave. Kemi bashkëpunuar ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare”. “Po ashtu ka pasur angazhim të jashtëzakonshëm nga ekipi ynë organizativ. Me shumë punë dhe përkushtim, arritëm që çdo detaj të funksiononte në mënyrën më profesionale, sepse e kishim misionin e qartë, ta vendosim Kosovën në hartën e Evropës”, ka deklaruar fillimisht Preniqi. 

Në vazhdim, ai tha se është ndarë i kënaqur me mënyrën se si shkoi organizimi si dhe me paraqitjen e lojtarëve dhe atmosferën e krijuar nga tifozët.


 “Ka shkuar gjithçka sipas planit. Absolutisht, jemi shumë të kënaqur në të gjitha aspektet, si organizative ashtu edhe me paraqitjen e lojtarëve. Me të vërtetë ishte një pasqyrë e vërtetë e potencialit që kemi si vend”. Për ta organizuar sa më mirë këtë ngjarje, Preniqi tha se nuk ka munguar as përkrahja nga autoritetet shtetërore. 

“Përkrahja nuk na ka munguar nga institucionet e vendit dhe u jemi thellësisht mirënjohës. Qeveria, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe sponsorët kanë qenë një partner të rëndësishëm për federatën”.

 Sipas presidentit Preniqi, kjo ngjarje nuk do të jetë e fundit e cila do të organizohet në Kosovë. “Qëllimi që kishim, u arrit. Kemi treguar se Kosova dhe ne si Federatë kemi kapacitet të organizojmë ngjarje të nivelit të lartë ndërkombëtar. Jemi të vendosur ta vazhdojmë këtë rrugë dhe sigurisht që do të aplikojmë që edhe në të ardhmen të fitojmë të drejtën e organizimit të ngjarjeve të mëdha të lojërave të pëlqyera elektronike”. 

Federata Esports Kosova ka arritur gjithashtu një Memorandum bashkëpunimi me Federatën Portugeze të eSports, Preniqi jep më shumë detaje nga kjo marrëveshje.

 “Siç edhe e keni parë, arritëm një marrëveshje shumë të rëndësishme me Federatën Portugeze të eSports. Ky bashkëpunim synon forcimin e pozitës së Kosovës në skenën globale të esports-it përmes partneriteteve strategjike”.  “Është një hap domethënës drejt ndërtimit të një rrjeti të fortë partnerësh strategjikë që mbështesin zhvillimin e esports-it në Kosovë dhe më gjerë”, përfundoi ai./Telegrafi/

telegrafi sport app