Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Xh.K, D.K, dhe A.K. për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Detyrimi”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ndaj L.Sh, për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”

Sipas njoftimit për media bëhet e ditur se të pandehurit me dashke dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, nga viti 2020 përdorin kanosjen serioze për të detyruar të dëmtuarin, që të kryej një veprim në dëm të pasurisë së tij.


“Sipas aktakuzës , të pandehurit Xh.K, D.K, A.K., me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, nga viti 2020  përdorin kanosjen serioze për të detyruar të dëmtuarin, që të kryej një veprim në dëm të pasurisë së tij, në atë mënyrë që pasi i dëmtuari kishte blerë një patundshmëri nga ish pronari, detyrojnë për të paguar shuma të konsiderueshme të parave, fillimisht shumën prej 20.000 (njëzetmijë) euro, me pas edhe 30.000 (tridhjetëmijë) euro, deri sa janë arrestuar në flagrancë nga Policia e Kosovës, përmes zbatimit të masave të veçanta hetimore”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim bëhet e ditur se i pandehuri L.Sh, akuzohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim e paautorizuar e armëve”, sipas KPRK-së.

“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit  kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruara si me lartë. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila ju vihen në barrë”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/