LAJMI I FUNDIT:

Nga transferimi i madh te debutimi dhe goli me Kombëtaren – viti i Mirlind Dakut, djaloshi nga qyteti i Agim Ramadanit që bëri jehonë me tatuazhin e Katanas

Nga transferimi i madh te debutimi dhe goli me Kombëtaren – viti i Mirlind Dakut, djaloshi nga qyteti i Agim Ramadanit që bëri jehonë me tatuazhin e Katanas

Mirlind Daku ka qenë një nga futbollistët më të përmendur në vitin 2023 në trojet shqiptare.

Sulmuesi gjilanas u përmend për të arriturat në fushë, por emri i tij u bë viral edhe jashtë fushave, fillimisht për zgjedhjen e bërë që të përfaqësojë Shqipërinë dhe pastaj edhe për një tatuazh fantastik që ai bartë në shpinën e tij.

Ka qenë një vit që Daku nuk do ta harrojë kurrë pasi ka bërë hapin e madh në karrierën e tij duke u transferuar në kampionatin rus te Rubin Kazan, por edhe bëri debutimin me kuqezinjtë.


Në një intervistë për Telegrafin, Daku është rrëfyer për të gjitha nga fillimet e vështira në karrierën e tij deri në ditën e sotme kur është një nga futbollistët më të famshëm shqiptarë.

Gjithsesi për të ardhur deri këtu, Daku ka vuajtur shumë, por duke mos u dorëzuar në asnjë moment pasi shpesh herë ka rënënë tokë për tu ngritur shumë më i fortë.

I lindur në Gjilan, por ai nuk ka luajtur kurrë për dy skuadrat e qytetit të cilat nuk i besuan në asnjë moment, edhe pse tifozët e të dy skuadrave Dritës dhe Gjilanit bënin thirrje vazhdimisht që të nënshkruanin me të.

“Nuk kam qenë mirë për Dritën dhe Gjilanin. Së paku kështu më kanë thënë dhe për një djalë të ri ajo është një goditje e madhe”, thotë fillimisht Daku.

Ai debutoi në Superligë me skuadrën e Hajvalisë, por për të shkuar deri aty shkak u bë shoku i tij më i ngushtë Edison Kqiku, i cili kishte siguruar më parë një kontratë te kjo skuadër.

“Hajvalia ishte duke kërkuar sulmues dhe Edisoni ishte aty duke i thënë trajnerit se e kam një shok që luan qendërsulmues, ka një trup të gjatë dhe është i fuqishëm në duele. Atë dit që kam shkuar më është ofruar kontrata dhe pastaj kam filluar të shënoj vazhdimisht gola në Superligë”, thotë Daku për Telegrafin.

Pasi shkëlqeu në Hajvali, Daku iu bashkua Llapit në janar të vitit 2017, ku edhe në atë skuadër shkëlqeu me gola e asistime.

“Te Llapi ka qenë një periudhë shumë e mirë, më kanë pritur shumë mirë të gjithë nga trajneri Tahir Batatina te bashkëlojtarët. Nuk e harroj kurrë atë periudhë pasi më kanë besuar dhe e kam shpërblyer në fushë duke dhënë maksimumin. Më vije vetëm keq që nuk arritëm ta fitonim Kupën e Kosovës ku humbën në finale me penallti nga Besa e Pejës”, tha Daku.

Pas Llapit erdhi koha të transferohej te Osijeku në Superligën e Kroacisë, por ai kishte dy vite shumë të vështira si te klubi kroat ashtu edhe pas huazimit te Kukësi.

“Mendoj se nuk isha gati të largohem në moshë të re në drejtim të Osijekut. Nuk shkoi asgjë siç e kisha menduar as aty e as pas huazimit te Kukësi ku nuk mu dha mundësia të tregoj vlerat e mija”, vazhdon tutje rrëfimin e tij Daku.

Në janar të vitit 2020 u ndërpre huazimi te Kukësi për t’iu bashkuar ai Ballkanit për një vit e gjysmë, ku shkëlqeu me skuadrën suharekase ku kishte paraqitje të shkëlqyera pasi në 45 ndeshje realizoi 36 gola dhe asistoi në dy të tjerë.

“Te Ballkani e riktheva besimin që më kishte humbur… Normalisht unë në asnjë moment nuk jam dorëzuar pasi i kam vendosur vetës një qëllim dhe pa marrë parasysh barrierave që kisha përpara nuk do të ndalohesha për asnjë gjë. Periudha në Suharekë më ka bërë shumë mirë, pasi shënoja thuajse në çdo ndeshje dhe fitonim ndeshjet, kështu që Osijeku vendosi pas një viti e gjysmë të më rikthente dhe të më besonte në ekipin e parë”, vazhdon tutje Daku.

Daku qëndroi te Osijeku për gjashtë muaj dhe sërish u huazua, kësaj radhe te skuadra sllovene NS Mura ku qëndroi një vit e gjysmë dhe ishte sulmuesi më i mirë në elitën e futbollit slloven. Në 53 ndeshje zyrtare me Muran, Daku realizoi 27 gola dhe dhuroi shtatë asistime.

“Ka qenë një periudhë e artë për mua te Mura. Ishte vendim shumë i mirë që të shkoj në Slloveni, në një skuadër që më ka besuar me tifozë fantastik që më kanë mbështetur dhe unë kam dhënë më të mirën nga vetja ime. Nuk do ta harroj kurrë atë kohë në Slloveni, ka qenë kohë e artë për mua”, tha Daku.

Falë shkëlqimit te Mura vlera e Dakut u rrit ndjeshëm dhe ofertat atë e kishin vërshuar nga gjithë Evropë, megjithatë ai zgjodhi të transferohet te Rubin Kazan për 1,2 milionë euro. Një djalosh që e refuzuan skuadrat e qytetit arriti të bënte transferim prej 1,2 milionë eurosh dhe kjo nuk është pak për Dakun.

“Rubini ishte skuadra që më donte më shumë, në fakt ata insistonin për transferimin tim. Jam shumë i lumtur që ndodhem në këtë skuadër, por unë besoj se ende nuk ka ardhur më e mira nga unë. Qëllimi im është që një ditë të luaj në top pesë ligat më të forta në Evropë dhe me punë dhe përkushtim jam i bindur se do t’ia arrijë”, thotë Daku.

Daku ka shkëlqyer edhe në Rusi, pasi ka realizuar katër gola e ka asistuar në një tjetër me fanellën e Rubinit.

“Është një kampionat shumë i fortë me skuadra të mëdha dhe futbollistë fantastik që luajnë këtu. Jam përshtatur shumë mirë dhe besoj se do të kem një vit edhe më të mirë në vitin 2024”, tha Daku për Telegrafin.

Injorimi i Kosovës dhe ftesa e Shqipërisë

Si një nga talentët më të mëdhenj në Kosovë, Daku luajti për Përfaqësuesen U21 duke zhvilluar ndeshjen e parë me 19 vite e 10 muaj.

Sulmuesi gjilanas ka luajtur ndeshje miqësore edhe për Përfaqësuesen A të Kosovës, por ai u la në harresë përkundër shkëlqimit në Slloveni me Murën.

Por përderisa te Kosova nuk e donin dhe nuk e ftonin, trajneri i Shqipërisë, Sylvinho vendosi ta ftonte dhe Daku bëri zgjedhjen e duhur duke iu bashkuar kuqezinjve.

“Unë jam një shqiptar i Kosovës që kam lindur në Gjilan dhe kam nisur karrierën në Kosovë. Sigurisht që kam pasur dëshirë të jem pjesë e Kosovës, por nuk më donin dhe nuk më ftonin. Nuk e kisha menduar se do të më vinte ftesa e Shqipërisë dhe atëherë kur më kontaktoi Sylvinho isha vërtet shumë i lumtur pasi të gjithë jemi rritur duke parë ndeshjet e Kombëtares kuqezi pasi vetëm atë kishim deri në vitin 2014 kur Kosova filloi të luante ndeshjet miqësore”, thotë Daku.

Ai është krenar që bart fanellën e Kombëtares së Shqipërisë, teksa debutimin e bëri më 7 shtator në sfidën përballë Republikës Çeke në udhëtim ku Shqipëria barazoi 1-1.

Vetëm tre ditë më vonë për Dakun erdhi goli i parë, pasi ai realizoi në fitoren 2-0 ndaj Polonisë.

“Nuk do ta harroj kurrë atë moment. Ka qenë momenti më i mirë në karrierën time dhe sa të jetoj do ta kujtoj”, tregon Daku për Telegrafin.

26-vjeçari ka zhvilluar pesë ndeshje me kuqezinjtë ku ka realizuar një gol dhe ka asistuar në një tjetër.

I lindur në qytetin e Agim Ramadanit, tatuazhi i tij bëri jehonë në gjithë botën

Gjilani është një qytet që jeton me futbollin pasi ka dy klube të shkëlqyeshme si Drita dhe Gjilani, por sa herë përmendet ky qytet atëherë të gjithëve mendja ju shkon te heroi kombëtar Agim Ramadani.

Komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës theu kufirin shqiptaro-shqiptar në Koshare, derisa ai është një nga figurat më të shquara të Kosovës, derisa kishte pseudonimin ‘Katana’.

Mirlind Daku ka në shpinë tatuazhin ku shihet këmba e legjendarit Agim Ramadani mbi kufirin e thyer, derisa shkruan ‘Katana 138’ ku ishte edhe brigada që udhëhiqte tanimë komandanti i ndjerë.

Me të shënuar gol ndaj Polonisë, Daku hoqi fanellën derisa tatuazhi i tij i zbuluar bëri xhiron e botës, derisa sulmuesi gjilanas thotë se këtë tatuazh e mbanë me krenari.

“Agim Ramadani është heroi i gjithë shqiptarëve. Për gjilanasit krenaria më e madhe e jona është komandanti legjendar Agim Ramadani dhe ai është një frymëzim i yni”.

“Unë me krenari e barti tatuazhin me emrin ‘Katana’ dhe ku shihet këmba e komandantit duke thyer kufirin shqiptaro-shqiptar, pasi ai moment ka ndryshuar historinë tonë”, thotë Daku i emocionuar.

Në Euro 2024 për të shkaktuar befasi

Mirlind Daku është një nga më meritorët që Shqipëria ka siguruar plasmanin në Kampionatin Evropian ‘Euro 2024’.

“Për mua është krenari e madhe që luaj për Kombëtaren e Shqipërisë dhe që kam dhënë kontribut për këtë sukses historik të kualifikohemi në Kampionatin Evropian”, thotë Daku.

Ai pret që Shqipëria të lë gjurmë edhe në Gjermani, përkundër grupit të vështirë me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë si kundërshtar.

“Sigurisht që është një grup i vështirë, është grup i vdekjes, por ne nuk shkojmë në Gjermani për vizitë. Në Gjermani shkojmë për të lënë gjurmë, për t’i befasuar të mëdhenjtë pasi do të kemi përkrahje të jashtëzakonshme nga tifozët tanë”, tha Mirlind Daku. /Telegrafi/

Në trend Sport

Më shumë
“Tani kam luks”, talenti i zbuluar nga Ferguson u largua nga futbolli për të qenë postier

“Tani kam luks”, talenti i zbuluar nga Ferguson u largua nga futbolli për të qenë postier

Ndërkombëtare
Guardiola zbulon arsyen e çuditshme pse rinovoi kontratën me Man Cityn

Guardiola zbulon arsyen e çuditshme pse rinovoi kontratën me Man Cityn

Premier League
Rodri: Kur të thërret Real Madridi, është një nder

Rodri: Kur të thërret Real Madridi, është një nder

Ndërkombëtare
Sylvinho drejt largimit nga Shqipëria, mësohet skuadra që pritet ta drejtojë

Sylvinho drejt largimit nga Shqipëria, mësohet skuadra që pritet ta drejtojë

Kombëtarja e Shqipërisë
Kosova mëson sot kundërshtarin për ndeshjen ‘play-off’ në Ligën e Kombeve

Kosova mëson sot kundërshtarin për ndeshjen ‘play-off’ në Ligën e Kombeve

Përfaqësuesja e Kosovës
As nuk deshën të dëgjonin për Pogban - vjen refuzimi i parë nga një klub i madh në Evropë

As nuk deshën të dëgjonin për Pogban - vjen refuzimi i parë nga një klub i madh në Evropë

La Liga
Kalo në kategori