LAJMI I FUNDIT:

Nga t’ja mbajmë? Urra! Mbi arkën e shtetit!

Nga t’ja mbajmë? Urra! Mbi arkën e shtetit!

Nga: Petro Marko (botuar në gazetën “Abc”, mr.1, mars 1936, Tiranë)

– Nga t’ja mbajmë? Kudo dyert janë të mbyllura! Vetëm një është shtegu …


Kështu pëshpërit çdo i ri, çdo njeri që don të jetojë. Dhe me të drejtë. Nga t’ja mbajnë gjithë ata që i kanë fuqitë e tyre mendore e trupore e që u mbetën gjithmonë të virgjërta, siç ka mbetur i vigjërt vendi ynë nga pikëpamja industriale-agrare e përgjithësisht prodhonjëse! T’i derdhemi që të gjithë kërmës së arkës së shtetit!

Që të gjithë t’i vërsulemi kolltukut?

Të bëhet nëpunës çdo njeri që di shkrim e këndim?

Me pak fjalë, deri kur do të vazhdojmë rrugën që na shpie drejt rrënimit të plotë jetik?

Nuk sheh një të ri, një të moçëm, katundar a qytetar, që të mos i jetë ngulur në shpirt e në zemër ideali i kolltukut, dëshira e zjarrtë për nëpunësi! Domethënë vetëm atë shteg shohim për të rrojtur mirë e për të kënaqur të gjitha dëshirat tona.

Këtë e bëjmë se aq na e pret mendja, të tillë lindëm, këtë rrugë na tregojnë edhe gjurmët e rrojtjes në kurrizin e popullit, e po vazhdojmë si trashëgim.

S’ka prind, s’ka njeri që nuk përpiqet të gjejë ndonjë kolltuk. Kështu rron mirë për vete e kështu do të na ndihmojë edhe neve!

S’ka shqiptar që nuk e mendon këtë. Dhe ka të drejtë se, e përsërisim, që vetëm ai shteg ka mbetur i hapët. Shtigjet e tjera, përveç mërgimit, që u mbyll edhe ai, nuk janë hapur fare dhe siç duket kurrë s’kanë për t’u hapur, se jemi mësuar të rrojmë si shushunjat në kurrizin e popullit, jemi mësuar ta shkojmë jetën të përkulur tek njëri e tek tjetri, të shesim ç’ka kemi e nuk kemi, të bëhemi skllevërit e të fuqishmëve, të bëhemi servilë, deri sa të marrim një nëpunësi.

E pastaj?

Pastaj t’i shtrohemi çdo përuljeje e çdo mënxyre, dredhie, në daç spiunazhi, në daç shpifjeve e të tjera poshtërsive, vetëm e vetëm për ta mbajtur atë të shkretë nëpunësi, atë kolltuk të qetë që na verbon e që na bën të humbasim çdo ndjenjë e mbi të gjitha të humbasim karakterin tonë. Dhe kështu ne shpëtuam.

Ne shpëtuam! Do të rrojmë mirë, do të mundohemi të ngrehim pallate dhe salltanete si patronët tanë e më së fundi do të arrijmë të bëhemi armiqtë e popullit.

Se kështu është.

Sot të jesh nëpunës, domethënë të rrosh në kurrizin e atyteve që u mungon kafshata e gojës. Sa më tepër nëpunësa të jenë, aq më tepër gjak i pihet popullit shqiptar, një milionë e kusur njerëz, të urtë, të bindur, të virgjër nga çdo rrymë e parim shoqëror, të varfër e të këputur që janë mësuar të ulen në çdo detyrë shtetërore, që janë mësuar t’i lënë të drejtat e tyre në mëshirën e nëpunësit, që prej më të madhit e deri më të voglit, që janë mësuar të heshtin e të rrojnë si skllevër në një copë toke të madhe e shumë të pasur sipër një dhéu “legjendar”; sot pra, siç duket, nuk dëshirojnë të vdesin për bukë, por nisën të lëvizin, nisën të kërkojnë mënyra jetese, rrugë e shtigje për të rrojtur, se e panë që kolltuqet janë krijuar vetëm për një klasë njerëzish që duan të trashëgojnë brez pas brezi mehmurjetin ( i urdhëruar)!

Një milionë njerëz sipër një toke të virgjërt e të pasur, sot lëkunden e tronditen prej urisë. Rrofshin vetëm pak mijrat e nëpunësve që punojnë ditë e natë duke mbushur togje kartërash me ligje e dekret-ligje, me urdhëra e me qarkore për ta shpëtuar këtë popull!

Një milion njerëz në një horizont tepër të ngushtë nevojash jetese, sot tronditen prej urisë.

Gjynah! Tepër mëkatë se ky popull nuk është ai i një qyteti të jashtëm që rregullohet vetëm prej një kryetari bashkie! Është populli shqiptar më i kollajshëm për t’u qeverisur, se ka arën, ka shtëpinë, ka vendin, ka kasollen ku të punojë e të rrojë. Ka dëshirën e mirë edhe ai për të jetuar.

Po çfarë nuk ka?

Nuk ka asnjë drejtim, nuk ka asnje shteg, asnjë mbrojtje e udhëheqje për punë, ka vetëm detyrën e taksave, ka vetëm detyrën që të jetë i bindur dhe vuvër. Nëpunësi atë i tregon, atë i jep si shembëll, e po t’i shmanget asaj rruge, futet edhe në burg.

Dhe, kur takon të mbahet ndonjë konferencë prej ndonjë të mënçuri, ai u flet prapë shokëve të tij se trupi i kalbur i popullit nuk do që të dëgjojë më pallavra. Do bukë, do punë. Çdo fjalë tjetër, çdo urdhër, premtim e ndryshim gënjeshtre është hiç!

Ka punë? Ka mënyra si të çelen prapë punët e të nisë prapë jeta? Dhe, kush do ta japë këtë punë? Cili do t’i çelë ndonjë shteg jetese këtij populli që bëhet vetëm prej një million frymësh të pastërta e trupash të sëmura?

Domosdo nëpunësve nuk ua thotë as një ligj këto nene, prandaj edhe ata bëjnë detyrën e tyre: kolltuqe, pallate e salltanete.

Kështu bëjnë edhe të pasurit e bejlerët. Dhe kapitalistët e pakët dhe fajdexhinjtë, të hollat e tyre i kanë burgosur, të shumtat, e të tjerat i kanë shpërndarë nëpër skeletet e të mjeruarve, që t’u thëthijnë edhe atë gjakun e pakët që u ka mbetur.

Po si do vejë halli? Ku do të dalim? A duhet shumë mendje që ta parashikoi njeriu se ku do të arrijmë?

Jo!

Kemi zënë të zbresim shkallët që na shpien drejt rrënimit të plotë ekonomik e shoqëror. Dhe kur t’i mbarojmë shkallët që me shpejtësi rrokullisemi mbi to, atëhere kemi për të dalur në fushën e tmerrshme të blerjes, të shkatërrimit e të kryengritjeve të ndryshme të shpirtit e të barkut.

Dhe, do të jetë tepër vonë për shpëtimin, se atëhere gjaku do të lëvizë, do të turbullohet, e mbas derdhjes që do të bëjë do të lypset kohë e pastaj të nisim prapë t’u ngjitemi shkallëve për të arritur në nivelin e merituar, sipas punës e mundimit.

Pra, që të mos vijë ajo orë tragjike e mbritjes sonë në atë lëmë shkatërrimtar, duhet ndalur hovi dhe kamxhiku i urisë, i papunësisë dhe i zisë që na rreh pa mëshirë dhe që na ka vënë përpara, duke na rrokullisur për në greminën fatale.

Duhet të ndalemi. Dhe, nuk është shumë zor! Por, dhe as shumë kolllaj.

Se sot ata që kanë paratë në dorë, ata që kanë tokën në dorë dhe gjithë mjetet e tjerë të prodhimit për përmbushjen e nevojave të shoqërisë së sotme, janë njerëz që duan vetëm të spekullojnë, të pinë gjak. Të rrjepin dhe të sundojnë.

Mungon puna.

Punën e ka të virgjër populli, që pret inisiativa, pret Bankën Bujqësore, pret Reformën Agrare, të plotë, pret që të krijohen shoqëri private prej njerëzish e kapitalesh të ndershme, pret të hapen shtigje të ra, horizonte të lira për jetesë, pret të caktohet simbas kohës çmimi i shtrenjtë i sendeve të para të jetesës së përditëshme të katundarit, bujkut të varfër e të rrënuar kryekëput e të qytetarit të robëruar prej kapitalistëve fajdexhinj e të pashpirtë; pret punë dhe vetëm punë, se puna do ta shpëtojë popullin që don të rrojë dhe që duhet medoemos të jetojë.

Në trend Kultura

Më shumë
AMANTE

AMANTE

Përshkrim i vitit 1898, për Shqipërinë dhe shqiptarët

Përshkrim i vitit 1898, për Shqipërinë dhe shqiptarët

NANA JEM’

NANA JEM’

DASHURIA

DASHURIA

Fjala+
EROTIKË

EROTIKË

DASHURIA IME

DASHURIA IME

Kalo në kategori