Nga prania drejt ndikimit real: Roli i grave nga komunitetet jo-shumicë në vendimmarrjen politike në Kosovë

Ines Aljović Mihajlović, zyrtare programore në ACDC
Pjesëmarrja e grave në politikë në Kosovë më së shpeshti matet përmes treguesve formalë - përqindjes së kandidateve në listat zgjedhore, numrit të këshilltareve dhe deputeteve të zgjedhura, si dhe përmbushjes së kuotave gjinore të përcaktuara me ligj. Megjithatë, për gratë nga komunitetet jo-shumicë, çështja e pjesëmarrjes politike shkon shumë përtej përfaqësimit të thjeshtë. Pozita e tyre reale matet sipas shkallës së ndikimit që kanë në proceset e vendimmarrjes, mundësisë për të formësuar politikat publike dhe lirisë për të përfaqësuar interesat e komuniteteve të tyre.
Veprimtaria politike e grave nga komunitetet jo-shumicë zhvillohet në një kontekst të ndërlikuar shoqëroro-politik, të shënuar nga ndarjet etnike, besimi i ulët në institucione dhe normat patriarkale të rrënjosura thellë. Edhe pse korniza legjislative në Kosovë parashikon mekanizma të veçantë për përfaqësimin e komuniteteve jo-shumicë, si dhe barazinë gjinore, në praktikë shpesh rezulton se gratë mbeten në margjinat e pushtetit politik, edhe kur formalisht mbajnë funksione politike.
Pikërisht përballë këtyre sfidave, organizata Qendra për Avokim të Kulturës Demokratike (ACDC) prej vitesh punon në terren, veçanërisht në mjedise me popullsi kryesisht jo-shumicë. Përmes hulumtimeve, debateve publike, punëtorive dhe nismave avokuese, ACDC-ja thekson vazhdimisht hendekun midis përfaqësimit formal të grave dhe përfshirjes së tyre reale në proceset e vendimmarrjes. Fokus i veçantë i kushtohet fuqizimit të grave për të kuptuar mekanizmat institucionalë, por edhe për të zhvilluar vetëbesimin dhe dukshmërinë politike në mjedise që shpesh nuk janë nxitëse për angazhimin e tyre publik.
Një nga sfidat kyçe me të cilat përballen gratë nga komunitetet jo-shumicë gjendet brenda vetë partive politike. Proceset e kandidimit dhe të vendimmarrjes shpesh janë të mbyllura dhe të bazuara në rrjete joformale ndikimi, në të cilat gratë kanë qasje të kufizuar. Pjesëmarrja e tyre shpesh reduktohet në përmbushjen e detyrimeve ligjore, pa mbështetje reale për veprimtari politike, zhvillim të lidershipit apo marrje të përgjegjësive drejtuese.
Në një mjedis të tillë, gratë shpesh gjenden në një situatë paradoksale: formalisht janë pjesë e institucioneve, por pa fuqi reale për të ndikuar në prioritete, vendime buxhetore apo drejtime strategjike. Prej tyre pritet lojalitet ndaj strukturave partiake dhe përmbajtje, ndërsa zëri kritik dhe iniciativa e pavarur perceptohen si kërcënim për stabilitetin brenda partisë.
ACDC-ja, përmes projekteve të saj - përfshirë programet e edukimit politik dhe mbështetjen mentoruese - i ka identifikuar pikërisht këto barriera si pengesa kyçe për pjesëmarrje politike të qëndrueshme të grave. Përmes punës së drejtpërdrejtë me këshilltare, aktiviste dhe gra të reja që po shqyrtojnë angazhimin politik, organizata ka hapur hapësirë për shkëmbimin e përvojave mbi presionet brenda partive, mekanizmat e përjashtimit dhe mënyrat se si gratë mund të pozicionohen si aktore të barabarta, e jo vetëm si përfaqësuese formale.
Përveç pengesave brenda partive, gratë nga komunitetet jo-shumicë përballen edhe me presione nga mjedisi më i gjerë shoqëror. Angazhimi i tyre politik shpesh shihet me dyshim, ndërsa kompetencat e tyre vihen në pikëpyetje shumë më shpesh sesa ato të kolegëve meshkuj. Në mjedise më të vogla, ku lidhjet shoqërore janë të forta, gratë politikisht aktive i nënshtrohen mbikëqyrjes së shtuar publike, kritikave dhe presioneve joformale.
Mungesa e mbështetjes së hapur nga komuniteti dhe mediat e vështirëson më tej pozitën e tyre. Në vend që të njihen si bartëse të ndryshimeve pozitive, gratë në politikë shpesh bëhen objekt i narrativave negative, gjë që mund të çojë në tërheqje nga jeta publike dhe dekurajim të kandidateve të ardhshme.
Në këtë kontekst, ACDC-ja, përmes fushatave publike, tryezave të rrumbullakëta dhe aktiviteteve mediatike, ka synuar të kontribuojë në ndryshimin e narrativës për gratë në politikë, duke theksuar kontributet e tyre konkrete për komunitetin dhe duke normalizuar praninë e tyre në hapësirën publike. Vëmendje e veçantë i është kushtuar përfshirjes së mediave lokale dhe të rinjve, me qëllim që në afat të gjatë të ndikohet në ndryshimin e perceptimeve dhe uljen e presioneve shoqërore.
Pavarësisht sfidave të shumta, përvojat nga niveli lokal dhe qendror tregojnë qartë se pjesëmarrja e grave në proceset e vendimmarrjes sjell përfitime konkrete dhe afatgjata. Gratë në politikë më shpesh ngrenë çështje që lidhen me jetën e përditshme të qytetarëve - mbrojtjen sociale, shëndetësinë, arsimin, sigurinë, të drejtat e punës dhe mbrojtjen e grupeve të cenueshme.
Për komunitetet jo-shumicë, prania e grave në institucione ka një vlerë shtesë. Ato shpesh veprojnë si urë lidhëse mes qytetarëve dhe institucioneve, duke kontribuar në një kuptim më të mirë të nevojave lokale dhe përfshirjen e tyre në politikat publike. Një qasje e tillë kontribuon në dialog më gjithëpërfshirës, transparencë më të madhe dhe forcim të besimit në proceset demokratike.
Rezultatet e hulumtimeve dhe punës në terren të ACDC-së konfirmojnë se atje ku gratë nga komunitetet jo-shumicë janë të përfshira në mënyrë aktive në vendimmarrje, ekziston një nivel më i lartë i përgjegjshmërisë së institucioneve ndaj nevojave lokale, si dhe një gatishmëri më e madhe e qytetarëve për të marrë pjesë në debate dhe iniciativa publike. Këto gjetje tregojnë më tej se fuqizimi politik i grave ka një efekt shumëfishues në pjesëmarrjen më të gjerë shoqërore.
Sfidat ekzistuese nuk duhet të jenë pengesë, por pikënisje për përmirësimin e sistemit politik. Forcimi i demokracisë së brendshme në partitë politike, zbatimi real i barazisë gjinore, programet e mentorimit dhe ato edukative për gratë nga komunitetet jo-shumicë, si dhe mbështetja publike më e dukshme për punën e tyre, përfaqësojnë hapa kyç drejt pjesëmarrjes politike të qëndrueshme.
Fuqizimi politik i grave nga komunitetet jo-shumicë nuk është vetëm çështje e barazisë gjinore, por çështje e cilësisë së demokracisë dhe kohezionit shoqëror. Një shoqëri që u mundëson grave hapësirë të barabartë në vendimmarrje krijon themele për institucione më të drejta, më të qëndrueshme dhe më gjithëpërfshirëse - në dobi të të gjithë qytetarëve.
(Ky shkrim është hartuar në kuadër të projektit “Ajo Udhëheq: Luftimi i Gjuhës së Urrejtjes dhe Promovimi i Grave në Udhëheqjen Lokale”, që implementohet nga Demokraci për zhvillim (D4D) dhe mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë. Përmbajtja pasqyron mendimet dhe qëndrimet e autores dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e organizatës/donatorit)














































