Nga Liga e Kampionëve me Shkëndijën, te aventura në Zvicër – Gjelbrim Taipi, mysafir në Arena e Yjeve

Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, prodhim i Telegrafit, mysafir është futbollisti i njohur Gjelbrim Taipi. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle dhe Air Munich.
Në një rrëfim të hapur dhe emocional, Taipi tregon rrugëtimin e tij nga liga e pestë e Serbisë deri te suksesi në Maqedoni, duke zbuluar edhe prapaskenat e transferimeve të tij.
Ai tregon se si nënshkroi dy kontrata me dy klube të ndryshme brenda tre ditëve në Zvicër – njëra në Challenge League dhe tjetra në Superligë dhe si trajneri e zbriti nga aeroplani për t’ia bërë të qartë se do të transferohej në një klub tjetër.
“Jam vëllai i Xherdan Shaqirit, duam të transferojmë në Evropë”, tregon Taipi, duke rrëfyer sfidat dhe emocionet pas çdo ndeshjeje dhe çdo vendimi të rëndësishëm në karrierën e tij.

Ai ndalet te momentet e vështira dhe emocionuese, përfshirë ndjesinë kur ëndrra e tij për t’u bërë pjesë e një klubi evropian u realizua, dhe si secila përvojë e ka ndihmuar të formojë karakterin dhe profesionalizmin që e dallon sot.
Përmes rrëfimeve të sinqerta dhe kujtimeve të veçanta, Taipi sjell një udhëtim të rrallë në kohë – nga fillimet në Serbi, sfidat në Zvicër, dhe deri te sukseset në Shkëndijën – duke treguar gjithashtu si ka ndikuar mbi të si futbollist dhe si njeri.
Episodin e plotë me Gjelbrim Taipin mund ta ndiqni të shtunën në ora 16:00 në RTV Dukagjini, si dhe në kanalin zyrtar në YouTube të Telegrafit./Telegrafi/
- YouTube www.youtube.com


















































