Nga dëmtimi i organeve deri te lodhja kronike: Pasojat e mundshme të post-Covidit

Ndonëse COVID-19 shihet si një sëmundje që prek kryesisht mushkëritë, nga ana tjetër mund të dëmtojë edhe shumë organe të tjera
Ky dëmtim i organit mund të rrisë rrezikun e problemeve shëndetësore afatgjata.
Organet që mund të preken nga COVID-19 përfshijnë:
Zemra: Testet e imazheve të marra muaj pas rikuperimit nga Covid-19 kanë treguar dëmtime të qëndrueshme të muskulit të zemrës, madje edhe tek njerëzit që përjetuan vetëm simptoma të lehta. Kjo mund të rrisë rrezikun e ndërlikimeve të tjera në të ardhmen.
Mushkëritë: Lloji i pneumonisë që shpesh shoqërohet me COVID-19 mund të shkaktojë dëmtime të gjata në qeskat e vogla të ajrit (alveola) në mushkëri.
Truri: Edhe te të rinjtë, COVID-19 mund të shkaktojë goditje, kriza dhe sindromën Guillain-Barre, një gjendje që shkakton paralizë të përkohshme. Covid-19 gjithashtu mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të sëmundjes Parkinson dhe sëmundjes Alzheimer.
COVID-19 mund të bëjë që qelizat e gjakut të grumbullohen më shumë dhe të formojnë mpiksje. Ndërsa mpiksjet e mëdha mund të shkaktojnë sulme në zemër dhe goditje në tru, shumë nga dëmtimet e zemrës të shkaktuara nga COVID-19 besohet se rrjedhin nga mpiksjet shumë të vogla që bllokojnë enët e vogla të gjakut (kapilarët) në muskulin e zemrës.
Pjesë të tjera të trupit të prekura nga mpiksjet e gjakut përfshijnë mushkëritë, këmbët, mëlçinë dhe veshkat. COVID-19 gjithashtu mund të dobësojë enët e gjakut dhe të shkaktojë rrjedhje të tyre, gjë që kontribuon në probleme afatgjata me mëlçinë dhe veshkat.
Njerëzit të cilët kanë simptoma të rënda të COVID-19 shpesh duhet të trajtohen me kujdes intensiv. Thjesht të përjetuarit e kësaj eksperience mund ta bëjë që një person të zhvillojë më vonë sindromën e stresit post-traumatik, depresionin dhe ankthin.
Për shkak se është e vështirë të parashikosh rezultate afatgjata nga virusi i ri COVID-19, shkencëtarët po shikojnë efektet afatgjata që shihen në viruset e lidhura, të tilla si virusi që shkakton sindromën e rëndë të frymëmarrjes akute (SARS).
Shumë njerëz që janë rikuperuar nga SARS kanë zhvilluar sindromën e lodhjes kronike, një çrregullim kompleks i karakterizuar nga lodhje ekstreme që përkeqësohet me aktivitetin fizik ose mendor, por nuk përmirësohet me pushimin. E njëjta gjë mund të jetë e vërtetë për njerëzit që kanë pasur COVID-19.
Shumë efekte afatgjata COVID-19 janë ende të panjohura
Ende nuk dihet se si COVID-19 do të ndikojë te njerëzit me kalimin e kohës. Sidoqoftë, studiuesit rekomandojnë që mjekët të monitorojnë nga afër njerëzit që kanë pasur COVID-19 për të parë se si funksionojnë organet e tyre pas shërimit.











































