LAJMI I FUNDIT:

Neymar: Nuk e di se cilat janë planet e PSG, por dua të qëndroj në këtë ekip

Neymar: Nuk e di se cilat janë planet e PSG, por dua të qëndroj në këtë ekip

Braziliani Neymar ka thënë se nuk është i njohur me planet e Paris Saint-Germain për të ardhmen e tij në klub, por se dëshiron të mbetet anëtar i kësaj skuadre dhe se dëshiron të luajë sërish në të njëjtën fanellë sezonin e ardhshëm.

Një sërë mediash franceze shkruan rreth 20 ditë më parë se drejtuesit e PSG-së e kaluan Neymarin jashtë planeve të klubit dhe se do të përpiqen t’i gjejnë atij një ambient të ri ku do të luajë sezonin e ardhshëm.

Por, që nga ajo kohë e deri më sot asgjë nuk ka ndryshuar dhe Neymar është ende anëtar i ekipit francez.


Kur u pyet nga një gazetar i AFP-së për të ardhmen e tij në PSG, Neymar tha se planet e tij janë të qarta.

“Dua të qëndroj në PSG. Askush nga klubi nuk më ka thënë asgjë për planet për të ardhmen time, domethënë se si janë gjërat”.

“Nuk e di se çfarë planesh kanë për mua, por e di që dua të qëndroj në klub”, ka thënë Neymar për AFP.

Kujtojmë se Neymar ka luajtur 28 ndeshje për PSG-në sezonin e kaluar, ka shënuar 13 gola dhe ka pasur tetë asistime.

Braziliani, i cili mbërriti në Parc des Princes nga Barcelona në vitin 2017 si transferimi më i shtrenjtë në histori, nuk i përmbushi pritshmëritë, domethënë nuk e ndihmoi PSG-në të fitonte Ligën e Kampionëve, që ishte synimi kryesor kur francezët paguan 222 milionë euro për ta sjellë atë. /Telegrafi/