Nevojë për reflektim

Mundësia e pjesëmarrjes së Shqipërisë në operacionin e demontimit të lëndëve kimike helmuese të Sirisë, dëshira e qeverisë për të kontribuar në të, si dhe refuzimi i kësaj pjesëmarrjeje nga presioni popullor, bëri që vendi ynë të jetë prezent në shtypin kryesor botëror.
Të shumta ishin argumentet e të huajve që dinin më shumë se ne për çështjen, të pakta ishin argumentet tona “të çorientuara” në terrin informativ dhe të kufizuara nga nevoja e “konfidencialitetit” të çështjes, që për ironi të fatit përfshiu edhe institucionet vendimmarrëse.
Ajo që hedh paksa dritë për këtë çështje të rëndësishme është fjalimi i vonuar i Kryeministrit Rama për opinionin publik. Një fjalim patetik, një fajësim për të gjithë ata - media, shoqëri civile, analistë, studentë - që e kishin ndaluar të merrte një vendim; ata derra dhe naivë që nuk kuptonin sensin e zhvillimit të historisë, ku lideri i tyre pranonte dhe vetofrohej; një opozitë që kur ishte në pushtet i kishte mësuar se si të sillej me amerikanët, por tani mbështeste për oportunitet politik masat popullore; një kërcënim për të gjithë ata që e kishin lënë vetëm me pushtetin e tij “të paadministrueshëm”.
Një retorikë mark-antoniane e përdorur në sens të kundërt të qëllimit të saj, jo për të fituar veprimin e ardhshëm, por për të justifikuar mos bërjen e tij. Në esencë, fjalimi tregonte lojën pasionante të një lideri që pushtetin absolut kërkon ta ndërtojë nga personalizimi i një veprimi që mund të prodhojë mbështetje, për të shitur mungesën e eksperiencës dhe vendimmarrjes si një mundësi të humbur për shqiptarët.
Kjo ishte sinteza e një veprimi që qeveria shqiptare u ndesh me Diplomacinë amerikane vetëm dy muaj pasi mori pushtetin. Sot flitet për shumë shkak-pasoja që nxirren nga këndvështrimet e ndryshme të veprimit të munguar të qeverisë shqiptare, si mungesa e një lidershipi, rasti i humbur në marrëdhëniet midis SHBA-Shqipëri, opozitë antiamerikane, fitore e opinionit publik, pjekuri e shoqërisë demokratike shqiptare etj. Por, pyetja më e rëndësishme është: A u dëmtuan marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe SHBA-ve në këtë rast?
Së pari, marrëdhëniet midis dy vendeve tona qëndrojnë solide dhe të rrënjosura më thellë sesa marrëdhëniet midis dy administratave. Mosveprimi i Kryeministrit Rama pas një vetofrimi dhe një “po”-je në parim, sigurisht ka krijuar minimalisht një qëndrim dyshues për seriozitetin dhe besueshmërinë e administratës shqiptare. E thënë më diplomatikisht, marrëdhëniet midis dy administratave do të jenë politikisht korrekte në qëndrimet e hapura mediatike, por do të mungojë “zelli” për t’i bërë ato më të efektshme dhe rezultative. Së dyti, mungesa e transparencës nga qeveria për institucionet vendimmarrëse dhe opinionin publik dëshmoi personalizimin e çështjes për kapital politik, duke treguar qartë mungesën e një demokracie funksionale në vend, që përfshin transparencën përpara qytetarëve, përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien, si dhe bëri të njohura tendencat për krijimin e një pushteti autoritar.
Njohja e opinionit publik me faktin se qeveria shqiptare kishte kohë që punonte me administratën amerikane për ta realizuar këtë operacion, nëpërmjet shtypit të huaj dhe rrjeteve sociale, krijoi një ndjenjë irritimi në opinionin publik shqiptar se ai po anashkalohej. Së treti, paraqitja e çështjes nga qeveria shqiptare si një kërkesë “insistuese” nga pala amerikane, kërkesë që qeveria “Rama” po e shqyrtonte me vëmendje duke respektuar “interesat e popullit” (duke harruar dhe mos bërë transparente faktin që kishte thënë “po” në parim, apo siç thotë shtypi ndërkombëtar, që Kryeministri shqiptar ishte i etur (eager) ta plotësonte”), krijoi indirekt një ndjenjë antiamerikane në vend, e cila për fat të mirë ishte më tepër një reagim spontan ndaj presionit të perceptuar nga publiku, sesa një ndjenjë reale.
Shqipëria është dhe do të mbetet një vend pro-amerikan, që beson në vlerat e padiskutueshme të kombit dhe shoqërisë amerikane. Për një demokraci të qëndrueshme, çështje të tilla, të cilat prekin interesat me partnerin strategjik, duhet të shikohen me seriozitetin më të madh. Minimalisht deputetët e mazhorancës dhe minorancës, të përgjegjshëm për interesat e mëdha të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet të kërkojnë investigimin e kësaj çështjeje përmes një komisioni parlamentar ku të ketë një investigim të thellë dhe të dalin përgjegjësitë. Shqiptarët kanë të drejtë të informohen se si është marrë vendimi, si kanë vepruar në mënyrë institucionale dhe çfarë kanë sugjeruar institucionet përgjegjëse të politikës së jashtme, si ka qenë procesi i negocimit, pse ka munguar transparenca etj., si dhe t’i japin përgjigje shtypit ndërkombëtar që mendon se mungesa e PR-it (marrëdhënieve publike) shkaktoi refuzimin e kësaj marrëveshjeje dhe jo mosbesimi te SHBA-të.
Ngritja e këtij komisioni investigimi të përbashkët parlamentar, nxjerrja në pah e përgjegjësive brenda qeverisë, do të jenë veprimet e duhura dhe të përgjegjshme për të reflektuar ndaj një çështjeje me rëndësi jo vetëm për të ardhmen e kësaj qeverie, por edhe për marrëdhëniet shumë të rëndësishme midis dy vendeve. Së paku, të tregojmë se përveç faktit se kemi dëshirë të tejskajshme për protagonizëm, kemi aftësi dhe mund të reflektojmë për shkaqet e një beteje të humbur. Kjo është forca e ringritjes.
(Marrë nga: Panorama)




















































