"Nëse s’i kemi bërë kujdes vetes deri sot, është koha ta bëjmë për fëmijët tanë” – neurologu Myftiu tregon si parandalohet demenca

Gjatë bisedës në podcastin “Shëndeti në rend të parë” i përkrahur nga United Hospital ,neurologu i Blerim Myftiu flet për një nga temat më demenca dhe Alzheimeri.
Myftiu mori një shembull duke sqaruar dallimin mes harresës së zakonshme dhe asaj që paralajmëron një gjendje neurologjike më serioze.
“Nana ka ndryshu në gjashtë muajt e fundit. Nuk po komunikon shumë, nuk po flet si më parë... Diçka mungon në sytë e saj. Nëse i bëjmë një pyetje, e kthen përgjigjen, por pastaj e harron. Sot e pyeti një shoqe ‘Ku jeton ti?’, kur në fakt ajo jeton në të njëjtën lagje prej 20 vitesh...”.
Sipas Myftiut, harresa është kur një person fillon të humbasë fjalët, rrjedhshmërinë në të folur, orientohet më vështirë në ambientet e përditshme dhe tregon një ndryshim të dukshëm në sjellje dhe disponim.
“Kur harresa fillon të ndikojë në aftësinë për të dalë të blesh, për të komunikuar normalisht apo për t’u kujdesur për veten – atëherë nuk është më thjesht harresë. Këto janë shenja të hershme të demencës, e ndoshta edhe të Alzheimerit”.
I pyetur se a mund të parandalohet demenca, ai tha: “Parandalimi i hershëm, që nga fëmijëria. Nëse fëmijët tanë rriten me zakone të shëndetshme – ushqim të balancuar, aktivitet fizik, shmangie të sheqernave e ushqimeve të përpunuara – atëherë reduktojmë rrezikun për Alzheimer kur të plaken. Menaxhimi në moshë të rritur: edhe pse sëmundja është progresive dhe nuk ka kthim, disa masa mund të ndihmojnë ta ngadalësojnë përkeqësimin, nëse merren në fazë të hershme. Këto përfshijnë kontrollin e diabetit, hipertensionit, depresionit, dëgjimit, aktivitetit fizik dhe mbajtjen e një truri aktiv”.
Myftiu tregoi se janë katër barna që përdoren në mbarë botën për Alzheimerin, si dhe dy të reja – antitrupa monoklonalë – që kanë dalë së fundmi në SHBA, por efektiviteti i tyre është ende i kufizuar.
Qëllimi i terapisë, sipas Myftiu, nuk është shërimi, por zgjatja e cilësisë së jetës, në mënyrë që pacienti të mbetet më gjatë në gjendje funksionale.
Ai tha se nëse s’i kemi bërë kujdes për veten deri më sot, është koha t’i bëjmë për fëmijët tanë.
“Sepse ata mësojnë nga ne – nga mënyra si ushqehemi, sa lëvizim dhe si kujdesemi për shëndetin tonë mendor e fizik. Nuk ka kuptim të ndalojmë Coca-Cola-n në moshën 55 vjeçare, kur dëmi është bërë. Edukimi dhe kujdesi fillojnë shumë më herët”. /Telegrafi/


















































