LAJMI I FUNDIT:

Nëse mayat ia kanë qëlluar

Në kohën kur shqiptarët të traumatizuar nga skandalet e qeverisë, pritën me siklet një lëvizje nga ana e saj, të paktën edhe një falje do të përtypej disi me një copë bukë e një gotë çaj rusi të fortë nga mbrapa, lëvizja vjen si boks mu në mushkëri, me një aleancë të re PDK-AAK e cila shihet se ka krijuar panik në opinionin e gjerë.

Po kush po i frikësohet koalicionit PDK-AAK? Në fakt pyetja më e qëlluar do të ishte: a po i frikësohemi vërtetë këtij koalicioni apo po duam të ruajmë fytyrën e Ramush Haradinajt të pastër nga qeverisja aktuale, ashtu siç doli edhe nga Haga? Pasi kemi frikë se po mbetemi pa lider, pa alternativë.

Këto dy forca politike, PDK dhe AAK, kanë ndjekur të njëjtën rrugë apo dy rrugë paralele që nga lufta deri më sot. Te dyja rrëmbyen armët e pastaj pushtetin, të dyja patën fitoret e dështimet e tyre si palë qeverisëse e, mbi të gjitha, të dyja patën skandale bukur eklatante në publik. PDK me Hashim Thaçin i ka provuar të gjitha aleancat, përveç AAK-së, e po e njëjta gjë vlen edhe për AAK-në e Haradinajt. Pak a shumë është si puna e qejfliut te katundit që nuk mundet me i mbyll sytë pa i provuar të gjitha gratë. Ups… të më falin palët e tjera që mund të preken nga kjo ironi, por është e vërtetë që ashtu jeni sjellë. Mezi keni pritur që qejflinjtë e pushtetit t’ju ftojnë në shtrat, e pasi e keni dhënë krejt veten dhe e keni parë se si e keni humbur tërësisht interesin te bosët, atëherë ia keni nis me kukatë. E ne populli kukatim po ashtu bashkë me ju, pasi nuk po dimë më se cili është krahu i majtë e cili i djathti, ashtu siç ndodh në gjithë botën e civilizuar e që është aq normale sa edhe vete fizionomia e trupit të njeriut.

A mundet një njeri me u orientu kur së pari ka humbur dy krahët bazë të funksionimit të trupit të vetë? Ja, kështu kemi mbetur në Kosovë: një trup që ka humbur ekuilibrin e sillet sipas drejtimit të erës se histerisë qeverisëse.

Nga kjo “orgji seksuale” e politikës sonë duhet të veçoj Vetëvendosjen, pasi si një forcë e re politike, por që u dëshmua mjaft e suksesshme në zgjedhjet e fundit, ajo po ndihet gjithnjë e më shumë kokëforte, gjithnjë e më shumë e vetmuar në këtë aferë. A ndodh kjo pse VV-së ende nuk i ka ardhur propozimi i radhës apo se ajo është delja e bardhë e kopesë së zezë, mbetet të shihet në të ardhmen, se si do të veprojë.

Megjithatë le të kthehemi te pyetja jonë: kush i frikësohet koalicionit PDK-AAK? Opozita apo populli? Opozita ka arsye t’i frikësohet, sepse ky koalicion do të jetë thikë me dy presa: o do ta nxjerrë në knock-out opozitën, o vetveten. Jam e prirur të besojë këtë të dytën, nisur thjeshtë nga ligji i fizikës që dy forca të ngjashme kanë tendencë të shtyhen mes vetes. Por, a do të funksionojë ky ligj edhe kur je në pushtet e mund ta dredhësh fizikën e matematikën sipas oreksit, kjo më jep një frikë legjitime.
A do ta dëmtojë ky koalicion opozitën? Nëse kjo opozitë e ka marrë veten nga pasojat e orgjisë së shkuar qeverisëse dhe dëshiron të rimëkëmbet e kthjellur, besoj se ky koalicion do t’i shërbejë edhe më shumë sesa mosbërja e tij. Vetëm kështu opozita do të tronditet një herë e mirë për të kuptuar se, nëse një ditë duan ta marrin pushtetin, duhet të veprojnë me mend në kokë e t’i lënë interesat e tyre individuale meskine, të paktën deri sa të çohen vërtetë në këmbë.

Po a i frikësohet populli këtij koalicioni? Pikërisht sapo lexova një mesazh të Avni Zogianit ku ironizonte: Jam i bindur që as Haradinaj s’un e bon ka keq, kështu që jam optimist që veç më mirë ka me u bo… Por, a është vërtetë populli i shqetësuar për këtë punë? Populli sot, jo vetëm që është i anashkaluar, por mbi të gjitha ndihet i tradhtuar. Ai voton, jep besimin, paren, shpresën te kjo klasë politike për jetën e vete, e ajo e përbuzë, gati njëjtë si koalicionet e mëhershme. E mashtron derisa i merr te mallkuarën e votës e pastaj i jep shkelmin për katër vjetë. Nuk jam aspak ekstremiste kur mendoj kështu, pasi dëshpërimi i popullit është edhe më ekstrem se ky konstatim.

Populli përcjell skandalet e qeverive, njëri pas tjetrit e pret së paku një kërkim falje, mos të flasim për dorëheqje se kjo është tabu në politikën tonë. Jo vetëm që kjo falje e uruar nuk i dhurohet kurrë këtij populli të përbuzur, por kapriçoja e politikës e vë përballë me një bos të ri, të cilin ai jo vetëm që nuk e ka votuar, por as që e ka ëndërruar ndonjëherë këto vitet e fundit se mund të bëhen bashkë këto dy parti që deri dje janë zënë me lesh koke si gratë e këqija.

Meqenëse klasa jonë politike nuk ka asnjë fije morali, ajo shfrytëzon koalicionet për të dalë nga krizat ku vetë e ka shpënë vendin dhe, kuptohet, që asnjëherë nuk i shkon në mend të formojë një qeveri teknike, të ndjekë modelet e shteteve të cilët i ka kapluar kriza dhe kanë hequr dorë përkohësisht nga karrigia për të mirën e vendit, atëherë i mbetet popullit topi në fushë, dhe duhet ta mas forcën mirë para se ta gjuajë: a do pranojë ai gjithmonë pa bërë zë çfarëdo qeverisje, apo ndonjëherë edhe do të ngre zërin për të kërkuar llogarinë që këta bosë e kanë për detyrë t’ia japin deri në fund.

Një qeveri teknike e drejtuar nga ekspertë të fushave përkatëse dhe kuptohet Parlamenti ekzistues, që përfaqëson votën e popullit, të paktën deri-diku, derisa vendi të rimarrë forcat – së pari për të siguruar integritetin territorial duke dalë faqebardhë në bisedimet me Serbinë, së dyti zhvillimin ekonomik, e së treti, integrimin e shpejtë evropian derisa ende ka milet që do të rrijë në shtëpi të vetë pa marrë rrugët e botës – do të shpëtonte shumëkënd nga skandali i ardhshëm, Thaçin nga akuza si uzurpator i pangopur i pushtetit, Haradinajn nga akuza si shkelës i fjalës së vetë vetëm për ta marrë pushtetin, opozitën nga goditja fatale, popullin nga pesimizmi ekstrem, vendin nga drejtuesit amatorë të cilëve vetëm politika u dha tërë këtë pushtet mbi jetën tonë e, në fund, ne gazetarëve nga temat bajate politike të cilat na kanë zaptuar trurin.

Por, meqenëse kjo nuk do të ndodhë e nuk ka si të ndodhi në një vend si ky i yni, ku fiton “Kush është më i forti, kryetar patrioti”, shpresoj që mayat mos t’ia kenë qëlluar se deri në 21 dhjetor, kemi pak kohë, shumë pak, për t’i thënë klasës sonë politike: Haram ju qoftë që nuk na lejuat një ditë të jetojmë si zot në shtëpinë tonë, sikur kurrë mos ta kishim merituar.