LAJMI I FUNDIT:

Nëse Assadi bie, radhën e kanë Putini dhe mullahët

Nëse Assadi bie, radhën e kanë Putini dhe mullahët
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, gjatë një takimi në Teheran (foto: Alexei Druzhinin)

Burimi: The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Sulmi i rrufeshëm i rebelëve sirianë, që solli marrjen nën kontroll të qytetit të dytë më të madh të Sirisë, Alepos, është një shembull klasik i mënyrës se si ligji i pasojave të paqëllimshme mund të shkaktojë ndryshime dramatike në skenën globale.

Me kaq shumë trazira në Lindjen e Mesme, lufta civile e zgjatur në Siri, e cila filloi në vitin 2011, është kthyer në një spektakël dytësor. Kjo ndodh pavarësisht faktit që diktatori sirian, Bashar al-Assad, është akuzuar për krime lufte për rolin e tij në vdekjen e rreth 500 mijë njerëzve gjatë konfliktit dhe për detyrimin e gjysmës së popullsisë prej 25 milionë banorësh të vendit që të braktisin shtëpitë e veta.


Ndërsa Siria përmendet herë pas here në kontekstin më të gjerë të fushatës së ashpër ushtarake të Izraelit kundër grupeve terroriste të mbështetura nga Irani në Gazë dhe Liban, kjo zakonisht ndodh si pasojë e dëmeve kolaterale. Një shembull është bombardimi – në prill – nga Izraeli i Konsullatës iraniane në Damask e cila operonte si një qendër për planifikimin e operacioneve terroriste.

Sa i përket regjimit të Assadit, shqetësimi kryesor ka qenë shmangia e përfshirjes në fushatën ushtarake të Izraelit kundër Hezbollahut në Libanin jugor. Kjo është një detyrë e vështirë, duke pasur parasysh që shumica e armëve të grupit terrorist transportohen nga Irani përmes aeroportit të Damaskut.

Përpjekja e dëshpëruar e Assadit për të mos u përfshirë në një konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak me Izraelin, ka bërë që regjimi i tij të hezitojë të reagojë, edhe kur aeroplanët luftarakë izraelitë kanë sulmuar objektiva në territorin sirian. Këmbëngulja e Assadit për të qëndruar neutral në luftën e Izraelit me Hezbollahun, bëri që administrata Biden të konsideronte seriozisht rivendosjen e marrëdhënieve me regjimin, në këmbim të përfundimit të aleancës së tij të gjatë me Iranin.

Pas marrjes së papritur të Alepos nga opozita siriane, si dhe të zonave të tjera në veri të Sirisë, këto konsiderata diplomatike do të shtyhen në plan të dytë. Ky zhvillim ka zhytur regjimin e Assadit sërish në krizë.

Rreth një dekadë më parë, kur diktatori sirian u përball për herë të fundit me një mundësi reale për t’u përmbysur, regjimi i tij u shpëtua nga mbështetja e marrë nga aleatët në Teheran dhe Moskë. Irani e konsideronte jetike mbajtjen e Assadit në pushtet, për të vazhduar përpjekjet e tij për të shtrirë ndikimin e terrorizmit në botën arabe. Ndërkohë, Kremlini, lidhjet e ngushta të të cilit me Damaskun datojnë që nga epoka sovjetike, ishte i interesuar të ruante bazat e tij në Siri, veçanërisht objektin detar në Tartus – e vetmja bazë operacionale e Marinës Ruse në Mesdhe.

Vendimi i presidentit rus Vladimir Putin, pas kërkesës së Iranit, për të ndërhyrë ushtarakisht në Siri ndihmoi në ndryshimin e rrjedhës së konfliktit në favor të Assadit. Bombarduesit rusë shkatërruan bazat e rebelëve në qytete si Alepo, ndërsa forcat iraniane, përfshirë Hezbollahun nga Libani fqinj, udhëhoqën ofensivën tokësore.

Fatkeqësisht për Assadin, këta aleatë kanë pak gjasa të shpëtojnë sërish regjimin e tij në të njëjtën shkallë, veçanërisht për shkak të ndryshimeve në peizazhin gjeopolitik global gjatë vitit të fundit. Humbjet e mëdha që ushtria ruse ka pësuar në Ukrainë, që nga pushtimi i Putinit në shkurt 2022, do të thonë se Moska nuk është në gjendje të devijojë burime të çmuara për të mbajtur Assadin në pushtet. Prania ushtarake e Rusisë në Siri është reduktuar ndjeshëm krahasuar me nivelin e vitit 2015, pasi trupat janë dislokuar në frontin ukrainas.

Edhe Irani ndodhet nën presion të madh pas humbjeve të mëdha që Hamasi dhe Hezbollahu kanë pësuar në Gazë dhe në Liban. Ndërsa Teherani ka premtuar mbështetje për Assadin, gjetja e mjeteve për ta bërë këtë është problematike, duke pasur parasysh humbjet e Hezbollahut gjatë muajve të fundit.

Pozitat e dobësuara të Iranit dhe Rusisë, padyshim që ndikuan në kohën për vendimin e rebelëve për të nisur sulmin ndaj Alepos. Ata e dinin se, pa mbështetjen e Teheranit dhe Moskës, forcat e Assadit do të kishin vështirësi për t’u mbrojtur.

Manovrat e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, i cili ndjek një agjendë islamike për të rikrijuar lavdinë e Perandorisë Osmane, janë një konsideratë tjetër e rëndësishme në dramën që po zhvillohet në veri të Sirisë. Erdoğani është kundërshtar i ashpër i enklavës kurdë të mbështetur nga ShBA-ja e të krijuar në kufirin sirian si rezultat i fushatës për shkatërrimin e të ashtuquajturit kalifat të Shtetit Islamik. Duke mbështetur rebelët, ai synon të pengojë krijimin e një shteti kurd dhe njëkohësisht të ushtrojë presion mbi regjimin laik të Assadit.

Si do të zhvillohet kjo enigmë tepër komplekse gjeopolitike, varet si nga axhenda e vetë rebelëve, përfshirë synimet për territor, ashtu edhe nga aftësia e Assadit dhe aleatëve të tij për të shmangur kolapsin.

Rënia e Assadit padyshim do të përbënte një katastrofë strategjike për Rusinë dhe Iranin. Për Putinin, humbja e bazave ushtarake në Siri do të shtonte poshtërimet nga Ukraina, ndërsa për Iranin, humbja e aleatëve të tij terroristë në Gazë dhe Liban do të përkeqësohej.

Rusia dhe Irani do të shpresojnë dëshpërimisht për të shpëtuar Assadin. Dështimi për ta bërë këtë do të kishte pasoja të thella jo vetëm për diktatorin sirian, por edhe për regjimet autokratike në Moskë dhe Teheran. /Telegrafi/