Nepotizmi, korrupsioni dhe varfëria janë çështjet më të mëdha që po ndikojnë në mirëqenien sociale në të rinjve të Kosovës. Kështu thuhet në raportin “Analiza e Pulsit Publik – Sfidat dhe Këndvështrimet e Rinisë në Kosovë”, prezantuar nga UNDP dhe USAID në Kosovë.
Në analizën e Pulsit Publik, thuhet se Kosova ka popullsinë më të re në Evropë, pasi 20 për qind e popullsisë vlerësohet të jetë mes 15 dhe 29 vjeç. Rezultatet tregojnë se 48 për qind janë pesimistë për të ardhmen e Kosovës. Të anketuarit nga grupmosha 25-35 vjeç e konsiderojnë situatën e përgjithshme politike si problemin kryesor në Kosovë.
Sipas raportit, varfëria, nepotizmi dhe korrupsioni janë tri sfidat kryesore me të cilat aktualisht ballafaqohen të rinjtë kosovarë.
“Shumica e të anketuarve apo 60.1 për qind e konsideronin mungesën e mundësive për punë si sfidën kryesore. Ata gjithashtu vlerësuan varfërinë me 49.3 për qind, nepotizmin dhe korrupsionin me 43.0 për qind në vendin e dytë dhe të tretë të sfidave me të cilat aktualisht ballafaqohen të rinjtë kosovarë”, thuhet në raport, shkruan Telegrafi.
Analiza tregon se shumica e të rinjve e konsiderojnë mungesën e mundësive për punësim si problem kryesor.
“Analiza aktuale zbuloi disa dallime të rëndësishme në baza etnike. 73 për qind e romëve të Kosovës dhe 69 për qind e të anketuarve shqiptarë të Kosovës e konsiderojnë mungesën e mundësive për punësim si problemin kryesor në Kosovë, ndërsa të anketuarit e etnive të tjera nuk e kanë raportuar këtë të jetë një sfidë e ngutshme. Shumica e turqve të Kosovës apo 83 për qind dhe 78 për qind e romëve të Kosovës e konsiderojnë varfërinë si sfidën kryesore, ndërsa pjesëtarët e etnive të tjera jo”, tregon raporti.
Gjithashtu, pothuajse 60 për qind e të anketuarve raportuan se ka gjasa që të konsiderojnë largimin nga Kosova në tre vitet e ardhshme dhe gjithsej 48 për qind e të anketuarve mendojnë se Kosova nuk po ecën as drejtimin e duhur e as në atë të gabuar. /Telegrafi/