LAJMI I FUNDIT:

Ne, tradhtarët

Ne, tradhtarët

Zulfu Livaneli

Dua të shkruaj për gjendjen në Turqi dhe më kujtohet titulli i paharrueshëm i romanit të Erich Maria Remarque: “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”. Në vendin tim zakonet thjeshtë vazhdojnë, politika e jashtme dhe ushtria keqpërdoren për qëllime të politikës së brendshme. Kësisoj, sërish bëhen përpjekje që turqit të entuziazmohen me fjalime nacionaliste, dhe kjo bëhet për shkaqe taktike elektorale. Temat e politikës së jashtme që përdoren për këtë qëllim ndryshojnë. Herë pas here për këtë shërben Qiproja, pastaj sërish Rusia, nganjëherë Greqia – dhe tani Siria dhe kurdët. Por sistemi që qëndron pas kësaj nuk ndryshon. Dilet në gjueti për vota duke e ndërsyer popullin me një gjuhë nacionaliste.


Vitin e ardhshëm do të mbahen zgjedhje jashtëzakonisht të rëndësishme në Turqi. Presidenti i shtetit zgjidhet drejtpërdrejtë nga populli, dhe kandidati që dëshiron të fitojë duhet të marrë më shumë se gjysmën e votave. Recep Tayyip Erdogan-i po përpiqet të sigurojë fitoren e tij elektorale duke i polarizuar zgjedhësit. Ai po e krahason operacionin aktual ushtarak turk në Sirinë veriore me luftën çlirimtare turke në vitet ‘20 të shekullit të kaluar, e cila në sytë e popullit është e shenjtë. Erdogani po shfaqet në rolin e kryekomandantit. Me partinë ultranacionaliste MHP përkrah tij ai po krijon një “Front Nacional” dhe po përpiqet që partinë opozitare kemaliste CHP dhe partinë kurde HDP t’i identifikojë me PKK-së (parti kurde e akuzuar për terrorizëm): këtu është “Fronti Nacional”, aty gjenden “tradhtarët e vendit”.

Tradhtarë të vendit shpallen të gjithë ata që nuk e përkrahin luftën dhe parullat vulgare nacionaliste. Unë jam njëri prej tyre. 170 njerëz – mes tyre ish-ministra, deputetë, autorë dhe artistë – para fillimit të operacionit turk në Siri përpiluan një letër të pasherr për deputetët e parlamentit turk. Në atë letër ne apeluam që të sundojë arsyeja dhe të kërkohet një zgjidhje paqësore. Letra u quajt “tradhti kombëtare”, në televizion dhe në gazetat e afërta me qeverinë ne u përbuzëm në aspektin social. Një kërkesë e pafajshme për paqe u lartësua në krim të tmerrshëm.

Shoqata e Mjekëve turq përpiloi po ashtu një deklaratë të tillë, edhe ajo u mallkua nga qeveria. Policia bastisi selinë e Shoqatës së Mjekëve dhe arrestoi udhëheqjen e saj. Kjo metodë është e njohur: qeveria e barazon veten me “atdheun” dhe e akuzon tërë opozitën si “tradhtare”. Më e keqja këtu është se propaganda ka efekt. Vala nacionale në popull ka arritur nivele të rrezikshme. Intelektualët konsiderohen si të thuash tradhtarë të lindur. Dhe shumë njerëz të afërt me qeverinë janë pothuaj të gatshëm që të fillojnë gjuetinë në rrugë ndaj “tradhtarëve”.

Për fat të keq qeveria nuk po i ofron zgjidhje asnjë pjese të shoqërisë. Në vend të kësaj ajo po provokon ata që duan dialog në vend të gjakut dhe lotëve. Dikur thuhej se Turqia është e ndarë në tri pjesë: fundamentalistë fetarë, laikë dhe kurdë. Rritja e tensioneve mes këtyre grupeve tani po e helmon atmosferën në vend dhe po shkakton një gjendje të mungesës së shpresës – për të gjithë. Madje edhe ata intelektualë që më herët i kam kritikuar për shkak se përkrahnin Erdoganin, sot janë në burg, në ekzil apo diku ku shpresojnë se do të harrohen.

Gjenerata jonë e ka kaluar jetën me puçe ushtarake, në burgje, me torturë sistematike apo në ekzil. Kemi humbur miq nga vrasjet e pasqaruara. Një kohë të gjatë armata për ne ka qenë pengesa më e madhe për demokraci. Kur i krahasojmë puçet ushtarake të forcave të armatosura turke me puçet në vendet e tjera, shohim një dallim të çuditshëm. Në Spanjë, Portugali apo në Amerikën Latine oficerët dhe regjimet e tyre fashiste qëndruan kryesisht me dekada në pushtet. Në Turqi ata që në ditën e marrjes së pushtetit premtonin se së shpejti do t’ia dorëzonin qeverisjen civilëve. Madje edhe kur e shpallnin grushtin e shtetit – të shoqëruar me simfoni të Beethovenit – ata silleshin si të turpëruar dhe ngurrues, ndryshe nga Frankot, Salazarët dhe Pinoçetët.

Në të vërtetë ushtria pas puçit të vitit 1980 dhe dhënies fund të regjimit të saj edhe më tutje ka ndikuar në mentalitetin dhe në jetën politike në vend; por ne nuk shihnim më epoleta oficerësh. Më kujtohen fotografitë e puçistëve krenarë të juntës ushtarake në Greqi, pranë tyre dinjitarët ortodoksë, të cilët tundnin temjanicat dhe bekonin ushtarët. Fashizmi i atjeshëm bazohej në trinomin armë, kapital dhe fe. Puçistët gëzonin përkrahje nga kapitali i madh dhe nga feja. Për këtë arsye diktaturat zgjatën aq shumë.

Në Turqi deri më tani ka munguar njëri prej këtyre tre elementëve. Ushtria dhe kapitali i madh pajtoheshin me reflekset e tyre nacionaliste, por për shkak të traditës laike të ushtrisë feja mbeste jashtë këtij solidariteti. Por ushtria gjithsesi kishte simpati për fenë. Gjatë Luftës së Ftohtë ajo përkrahu fundamentalistët fetarë – kundër armikut numër një: të majtës. Gjeneralët thoshin: “Gishtat në tespihe janë më të mirë se gishtat në këmbëzën e pushkës”. U hapën shumë shkolla fetare, por përkrahja ishte më shumë diskrete.

Sot pikërisht këtu shohim një ndryshim cilësor. Të gjithë faktorët për një fashizëm klasik janë të pranishëm: feja ka lidhur aleancë me nacionalizmin. Edhe kapitali është në anën e tyre, ndonëse shumë ndërmarrje kanë ndërruar pronarin. Pra, mund të llogaritet se fashizmi, i cili po i shkel me këmbë demokracinë dhe të drejtat e njeriut, do të ekzistojë më gjatë. Në aspektin afatshkurtër unë nuk kam shpresë për ndryshime në Turqi.

Në trend

Më shumë
Ronaldo largohet papritur nga Arabia Saudite dhe kthehet në Evropë?

Ronaldo largohet papritur nga Arabia Saudite dhe kthehet në Evropë?

Ndërkombëtare

"Kurrë në jetë nuk kam pas tokë, vetëm kur e pash që mi kanë bartur 10 hektarë", Peci citon serbin që i ishte bartur pronësia me një vendim të vitit 1976

Lajme
Nuk fshihen më, ish-konkurrentët e Big Brother VIP Albania konfirmojnë romancën?

Nuk fshihen më, ish-konkurrentët e Big Brother VIP Albania konfirmojnë romancën?

Magazina
I dyshuari për vrasjen në Pejë ishte i dënuar për dhunë në familje, prokurori Qavolli: Vrasje makabre, i pandehuri është ndaluar për 48 orë

I dyshuari për vrasjen në Pejë ishte i dënuar për dhunë në familje, prokurori Qavolli: Vrasje makabre, i pandehuri është ndaluar për 48 orë

Lajme
Gjira reagon për vrasjen e gruas në Pejë: Ku s’dul kurrë një femër që e mbyt burrin, s’është që se lypni edhe ju

Gjira reagon për vrasjen e gruas në Pejë: Ku s’dul kurrë një femër që e mbyt burrin, s’është që se lypni edhe ju

Magazina
Gruaja që u vra në Pejë ishte punëtore shëndetësore që 20 vjet, Drejtoria e Shëndetësisë: Do të mbetet në kujtime për urtësinë

Gruaja që u vra në Pejë ishte punëtore shëndetësore që 20 vjet, Drejtoria e Shëndetësisë: Do të mbetet në kujtime për urtësinë

Lajme
Kalo në kategori