Kaosi njihet si një gjendje apo rrethanë konfuze dhe e paorganizuar, një pështjellim i gjërave para krijimit të një forme te rregullt të rrjedhjes së gjërave. Anarkia, në anën tjetër, njihet si një paligjshmëri dhe ç’orientim i përgjithshëm që rezulton nga mungesa apo dështimi i qeverisë. Ka shumë mendime rreth asaj se sa janë të ndërlidhura kaosi dhe anarkia mes veti: ka të tillë që mendojnë se anarkia është kaos për arsye se rregullat i përcakton Qeveria dhe nëse ka anarki, atëherë nuk ka as rregulla dhe as Qeveri, dhe kjo mungesë e rregullave çon drejt në gjendje kaotike. Por, ka edhe të tillë të cilët mendojnë se anarkia nuk çon domosdoshmërisht në gjendje kaotike, sepse ajo mund edhe të perceptohet si mungesë e qeveritarëve, por jo edhe si mungesë e rregullave.

Por si perceptohen kaosi dhe anarkia tek ne, dhe ku gjendemi ne në mes të kaosit dhe anarkisë? Përvjetorin e tretë të pavarësisë, Kosova e priti pa qeveri, pa buxhet të miratuar për vitin 2011, pa institucione dhe kompetenca të qarta dhe pa lidership të fortë politikë. Kështu ishin shprehur edhe analistët politikë ne atë kohë. Kjo situatë padyshim se ishte një situatë kaotike me shpresë që pas zgjedhjeve të dhjetorit 2010 gjërat do të binin në vend të vet dhe çdo gjë do t’i kthehej normalitetit. Për dëshpërim të të gjithëve, zgjedhjet nuk u kurorëzuan me asgjë “të mirë”. Të gjithë mbetëm spektatorë të një loje të ndyrë politike ku përzgjedhja e Presidentit u bë pa kuorum, pa kundërkandidat dhe me ndërprerje të votimit gjatë procesit të zgjedhjes së Presidentit. Kjo e dërgoi çështjen e Presidentit për të dytën e herë në Gjykatën Kushtetuese, e cila gjeti se ka pas shkelje të Nenit 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, vendim ky i cili Kosovën e ktheu sërish në pikën fillestare. Kështu edhe njëherë Kosova mbeti pa President, me ushtrues detyre, lidership të frustruar dhe konfuz, me një buxhet të aprovuar ku parashihet privatizimi i një ndër aseteve më të rëndësishme të vendit, me shërbyes civil të pakënaqur dhe të zhgënjyer nga premtimet për rritje të pagave të cilët me duar në xhepa të zbrazëta formuan kolona në banka me shpresën që së paku do të mund t’i marrin pagat pa rritje e të mos besojnë më në përralla, me arrestime e akuza për korrupsion dhe krime lufte dhe në pritje të rënies së Qeverisë për herë të dytë brenda pak muajve, dhe ringjalljes së shpresave edhe njëherë tek populli se do të shkojmë në zgjedhje të reja dhe gjërat më në fund do ta marrin kahun e drejtë.


Dhe tani shtrohet pyetja, se ky kaos a rrjedhë si pasojë e gjendjes anarkike që ka mbizotëruar në Kosovë tash e sa vite në krye me Qeverinë aktuale, dhe si pasojë e dështimeve recidive të kësaj Qeverie për t’i përmbushur obligimet e veta që dalin nga Kushtetuta, duke i thyer vazhdimisht rregullat të cilat vet është dashur t’i respektojë, apo kjo gjendje kaotike është krijuar me qëllim që t’i hapet rruga Qeverisë së tanishme për ta shpjerë vendin drejtë një sistemi diktatorial, me President të zgjedhur dhe të diktuar nga Qeveria? Pyetja tjetër është se a do të pranojmë ne të ngelim spektator pasiv në tërë këtë rrëmujë politike dhe prapë të shpresojmë se kaosi do të kthehet në rregull e jo në mjetë qëllimkeq?

Kosova ka Kushtetutën, ka ligjet themelore dhe edhe pse jo të përkryera, ato megjithatë ekzistojnë. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut garantohen për çdo qytetar të Kosovës pa dallim race, gjinie, feje apo përkatësie etnike. Rregullat ekzistojnë, por ato edhe shkelen dhe anashkalohen sepse Kosova po ashtu ka edhe njerëz qëllimkeq, jo-atdhedashës dhe të pandërgjegjshëm, të cilët interesat e veta personale i vënë para interesave kombëtare dhe për këtë janë të gatshëm ta paguajnë çdo çmim. Prandaj, Kosova ndodhet diku në mes të anarkisë dhe kaosit, por nëse së shpejti nuk gjendet një strategji dalëse nga kjo situatë, vendi do të shkojë shumë shpejtë drejtë e në fund të pusit.

Mënyra më e mirë për të dal nga kjo gjendje është duke mësuar nga gabimet. Mirëpo, për të mësuar nga gabimet, së pari duhet pranuar se gabimet janë bërë. Përderisa fajin kryesor e ka qeverisja aktuale për gjendjen në të cilën e kanë sjellë vendin, përgjegjësinë solidare e kemi po ashtu edhe ne, populli i Kosovës, i cili kemi heshtur, vëzhguar, bindur dhe besuar në çkado që na është servuar me vite. Kosova është shtëpia jonë, aty ku fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë, dhe gjenerata të tëra do të vijnë pas, dhe për çfarëdo mungese apo parregullsie me të cilën do të ballafaqohen, do të na fajësojnë neve, gjeneratën e anarkisë dhe kaosit, që nuk kemi bërë më shumë.

Një thënie thotë se liria, dhe jo nënshtrimi janë shërim për anarkinë, njësojë sikurse religjioni, e jo ateizmi që është shërim nga besëtytnia [Edmund Burke] .

(Autorja është ligjëruese në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Juridik)