Site icon Telegrafi

Në librarinë “Dukagjini” promovohet libri “Pse s’ma ka thënë njeri më parë” i autores Julie Smith

Në librarinë “Dukagjini”, të enjten u mbajt promovimi i librit “Pse s’ma ka thënë njeri më parë”, i autores dhe psikologes, Julie Smith.

Për të folur për librin, të pranishëm ishin përkthyesi nga origjinali Eris Rusi, psikologu Florent Osmani dhe drejtoresha ekzekutive e “Hajde folim”, Liridona Osmanaj.

“Pse s’ma ka thënë njeri më parë“ është një libër i mbushur me këshilla praktike se si mund t’u bëjmë ballë ulje-ngritjeve në jetën tonë.

Foto: Telegrafi

Në një prononcim për Telegrafin, përkthyesi nga origjinali, Eris Rusi tha se libri erdhi si propozim nga shtëpia botuese “Dukagjini” pas hapësirave të bashkëpunimit të mëparshëm që kanë patur dhe vetë natyra e tekstit e tërhoqi sepse sipas tij nuk hynte në kategorinë e teksteve letrare që ai ka përkthyer më parë.

“Ky libër erdhi si një propozim nga shtëpia botuese “Dukagjini” pas hapësirave të bashkëpunimit të mëparshëm që kemi pasur dhe vetë natyra e tekstit mua më tërhoqi sepse nuk hynte në kategorinë e teksteve letrare që unë kam përkthyer më parë, por bëhej fjalë për një zë të veçantë, për një zë psikologjikë i cili i flet individit dhe mënyrës sesi individi mund të gjejë vetën e vete në një shoqëri e cila është edhe e trazuar edhe kaotike edhe sfiduese dhe ndonjëherë arrin që të zhbëjë identitetin e njeriut kundrejt të jetuarit në normalitet”, tha mes tjerash përkthyesi i veprës.

Duke folur për planet e tij, ai tha se bashkëpunimi i tillë me librarinë “Dukagjini” do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Ne kemi nisur një bashkëpunim sepse tanimë për mua nuk është më sfidë por edhe kënaqësi profesionale hapësira dhe koha e përkushtuar ndaj autorëve të cilët vendosin në thelb të teksteve të tyre njeriun, me botën e pasur që ai ka, problemet që ai mund të ketë dhe rrugë-zgjidhjet që janë të pafundme që qëndrojë para nesh, mjafton të dimë t’i lexojmë dhe të gjejmë përgjigjet e duhura për to”, u shpreh në fund Rusi. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version