Një gjyqtare e Gjykatës së Lartë është pezulluar nga detyra, ndërsa për bashkëshortin e saj është lëshuar një urdhër arresti pasi dyshohen si të përfshirë në një skemë korruptive.

Sipas prokurorisë bëhet fjalë për gjyqtaren Majlinda Andrea dhe bashkëshortin e saj Odhise Andrea të cilët dyshohet se kanë marrë një shumë prej 50 mijë euro për një vendim gjyqësor.


Bashkëshorti i gjyqtares, Odhise punon si këshilltar në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë

Bashkë me ta urdhër arresti është lëshuar edhe për tre persona, dy prej tyre palë në gjykimin për të cilin janë dhënë lekët ndërsa personi i tretë është sekseri që ka dhënë lekët.

Sipas prokurorisë mësohet se gjyqtarja dhe bashkëshorti i saj janë larguar nga Shqipëria, ndërsa tre personat e tjerë janë arrestuar mbrëmjen e sotme.

Të arrestuar janë Ilia Qabiri, Petraq Dashi dhe Eleni Lino. Këta tre shtetas dyshohet se i kanë paguar gjyqtares Majlinda Andrea 50 mijë euro për të dhënë një vendim në favor të tyre në një proces njohje prone që ishte në gjykim pranë Gjykatës së Lartë. Shuma e parave i është dhënë bashkëshortit të gjyqtares.

Dyshohet se hetimi ndaj gjyqtares dhe bashkëshortit të saj është dekonspiruar.

Ky cilësohet si skandal i radhës në nivelin më të lartë të trupës gjyqësore, në një kohë kur politika po mundohet të realizojë një reformë në drejtësi me ndihmën e ndërkombëtarëve.