Policia Rajonale e Ferizajt ka publikuar raportin mujor për dhunën në familje, ku theksohet se gjatë nëntorit 2025 janë regjistruar gjithsej 12 raste, duke shënuar një rënie të ndjeshme krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas statistikave zyrtare, rastet e raportuara për muajin nëntor 2025 janë shpërndarë si vijon:


  • 8 raste në Ferizaj
  • 2 raste në Kaçanik
  • 1 rast në Shtime
  • 1 rast në Hani i Elezit

Në të njëjtin muaj të vitit 2024, Policia kishte regjistruar 18 raste të dhunës në familje, prej të cilave:

  • 14 në Ferizaj
  • 2 në Shtërpcë
  • 1 në Kaçanik
  • 1 në Hani i Elezit

Krahasimi ndërvite tregon se rastet e dhunës në familje kanë pësuar ulje prej 33.3%, çka sipas Policisë Rajonale të Ferizajt, lidhet edhe me masat preventive, angazhimin e shtuar në terren dhe fushatat vetëdijësuese që po zhvillohen në vazhdimësi.

Policia u bën thirrje qytetarëve të jenë pjesë aktive e parandalimit të dhunës në familje, duke raportuar çdo rast të dyshuar ose të konfirmuar. Qytetarët mund të lajmërojnë policinë përmes:

  • Stacionit më të afërt policor
  • Aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”
  • Numrave të kujdestarisë: 192, 0290/326-250, 0290/322-406

Policia garanton se të gjitha të dhënat e raportuara trajtohen në mënyrë tërësisht konfidenciale. /Telegrafi/