Ndryshimet që përfliten prej javësh në Policinë e Shtetit të Shqipërisë dhe në Ministrinë e Brendshme kanë prekur Drejtorinë e Qarkut të Vlorës.
Kreu i policisë së këtij qyteti Gentian Shehaj është larguar nga detyra dhe është transferuar në Tiranë.
Ish-kreu i policisë së Vlorës është ngarkuar me një detyrë të re në Akademinë e Policisë. Shehaj drejtonte policinë e qytetit bregdetar nga viti 2017.
Burime të Policisë së Shtetit thanë se në vend të Shehajt në drejtimin e policisë së Vlorës është emëruar Artion Duka, ish drejtues i forcës së posaçme operacionale në policinë e shtetit.
Duka u përball me hetimet e prokurorisë në vitet 2017-2018 lidhur me pajisjen IMSI-Catcher e cila dyshohej se ishte përdorur për përgjime të pa autorizuara në Tiranë.
Pas hetimeve më tepër se një vjeçare çështja e hapur ndaj Dukës dhe ish-kreut të policisë Haki Cako është pushuar nga ana e prokurorisë për shkak se pajisja përgjuese nuk është gjetur për t’u ekspertuar./Ora News/