Pas njoftimit që bëri kryetari i Prishtinës, Përparim Rama se nga nesër nuk do të ketë transport publik në kryeqytet, Trafiku Urban i Prishtinës ka dalë me një njoftim.

Trafiku Urban ka njoftuar qytetarët se ndërprerja e qarkullimit të transportit publik i të gjitha linjave po bëhet për shkak të vështirësive financiare dhe mungesës së karburanteve.


“Gjatë ditëve të fundit jeni njoftuar për vështirësitë financiare me të cilat po përballet ndërmarrja. Si pasojë e këtyre vështirësive dhe mungesës së karburanteve, përkundër vullnetit tonë, jemi të detyruar të ndërpresim qarkullimin e të gjitha linjave të Trafikut Urban, duke filluar nga e hëna, 24.11.2025”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin e saj, ndërmarrja shprehu keqardhje për pasojat që kjo ndërprerje mund t’u shkaktojë qytetarëve dhe bëri të ditur se shërbimi do të rifillojë menjëherë pas lëshimit të mjeteve nga Ministria e Financave, të cilat do të mundësojnë shlyerjen e obligimeve financiare të Komunës së Prishtinës ndaj ndërmarrjes.

“Qarkullimi do të rifillojë menjëherë pas lëshimit të mjeteve nga Ministria e Financave, të cilat i mundësojnë Komunës së Prishtinës të shlyejë obligimet e saj financiare ndaj ndërmarrjes,” thuhet në njoftim.

Trafiku Urban sqaron se, edhe pse ka bilanc pozitiv dhe stabilitet financiar, vonesat e Komunës së Prishtinës në shlyerjen e detyrimeve kanë krijuar një situatë të paqëndrueshme për ofrimin e shërbimit publik.

Ndërmarrja kërkon ndjesë për shqetësimin e qytetarëve dhe thekson se ndërprerja do të zgjasë deri në përmirësimin e situatës financiare.

“Dëshirojmë të sqarojmë se ndërmarrja ka bilanc pozitiv dhe stabilitet financiar; megjithatë, vonesat e Komunës së Prishtinës në shlyerjen e obligimeve ndaj nesh kanë krijuar këtë situatë të paqëndrueshme,” thuhet në njoftim. /Telegrafi/