I akuzuari i dytë në këtë rast, Fisnik Blakaj, është dënuar me 11 vjet burg dhe 25 mijë euro gjobë, raporton Kallxo.com.
Betim Blakaj dënohet me tetë vjet burg dhe 10 mijë euro gjobë, ndërsa Ergyn Dogani me tetë vjet burg. Dënimi prej 5 vjetësh burg dhe 8 mijë euro gjobë iu shpall Ymer Fazlisë.
Gjykata gjithashtu dënoi Nazmi Thaçin me 4 vjet burg si dhe Jakup Blakçorin e Sefedin Shalën me nga 1 vit burg.
Ndryshe, sipas aktakuzës, grupi i udhëhequr nga Natali Velija dhe Fisnik Blakaj shpërndante paratë nëpër një rrjet të kompanive private të ndërtimit që nuk paguanin obligimet ndaj shtetit.
Aktakuza e ngritur ndaj grupit përshkuan se si qindra mijëra euro shpërndaheshin nëpër rrjetin e kompanive të tyre për të fshehur origjinën e parave. Sipas akuzës, qëllimi i tyre ishte që ta fshehin natyrën dhe origjinën e parave të vjedhura.
Në aktakuzë thuhet se Natali Veliaj dhe Fisnik Blakaj themeluan e udhëhoqën grupin kriminal ku bënin pjesë edhe Betim Blakaj, Nazmi Thaçi, Ergyn Dogan dhe Imer Fazlia. Jakup Blakqori, Sefedin Shala dhe Hashim Shala.
Grupi akuzohej për përfshirje në krim të organizuar në rastin e skandalit të kontratës së furnizimit me pasaporta të Ministrisë të Punëve të Brendshme nga kompania austriake OESD.
Shtetasja gjermane Natali Velija, e pandehura kryesore në këtë çështje fillimisht akuzohej për nëntë vepra të ndryshme penale duke përfshirë krimin e organizuar, pastrimin e parave, vjedhjen e rëndë, mashtrimin, shmangien nga tatimi, shpërdorimin, keqpërdorimin e besimit, falsifikimin dhe rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve. /Telegrafi/