LAJMI I FUNDIT:

Nata e Vitit të Ri për diabetikët

Nata e Vitit të Ri për diabetikët
Dr. Rreze Serhati Morina, endokrinologe

Dr. Rreze Serhati Morina
Endokrinologe
tel. 049667722

Ju arritët t’i ‘mbijetoni’ darkave të fundvitit që ishit me kolegët e punës, me shumë ushqime e pije; me tavë, patate dhe salcë, pastaj ndoshta makarona dhe prodhime deti (nëse ishte restoranti italian).

Ndoshta, ishin edhe petullat dhe donutët dhe të gjitha këto bëjnë që rrobat tuaja tash të jenë shumë të ngushta dhe zhgënjimi me pamjen tuaj të jetë i madh!


Jemi para një feste më të madhe shoqërore të njohur si nata e Vitit të Ri; zakonisht shijohet me kënaqësi të tepruar për të ngrënë dhe pirë dhe me gjumë të pamjaftueshme.

Festimet nuk duhet të përqendrohen rreth ushqimeve me kalori të lartë, yndyrë dhe shumë sheqer.

Zakonisht në këtë periudhë të vitit shpesh jemi me nxitim, ngutemi që t’i mbërrijmë të gjitha punët, mund të kemi ankth dhe mungesë të energjisë.

Mundohuni që kënaqësinë ta merrni duke kaluar kohën më shumë për miqtë dhe familjen sesa duke shijuar ushqimet që e mbushin tavolinën.

Merrni një vendim të ndërgjegjshëm për të filluar ndryshimin përpara natës së Vitit të Ri duke ndjekur disa nga sugjerimet e mëposhtme.

Së pari konsultohuni me mjekun tuaj për t’u siguruar që rekomandimet e mia i përshtaten nevojave tuaja të veçanta shëndetësore.

Shumica prej nesh, rreth 20% të kalorive i marrim përmes pijeve. Kjo përqindje rritet festave për shkak të pijeve si pijet e gazuara, lëngjet e frutave ose koktejet e veçanta të festave.

Kini kujdes se sa pini!

Në ditët e sotme gotat e verës që zbrazen gjatë festave janë më të shumta, ashtu si pjatat që janë plot me ushqime.

Mos pini alkool ose pini birrë të lehtë apo verë të thatë.

Qëndroni të hidratuar sepse alkooli do t’ju dehidratojë dhe mos harroni të hani kur pini alkool.

Hani mëngjes ditën e fundit të vitit si dhe ditën e parë të Vitit të Ri (nuk duhet të anashkaloni kurrë mëngjesin).

Mosngrënia e mëngjesit mund të çrregullojë hormonet tuaja dhe të rrisë sheqerin në gjak.

Mos harroni të hani përsëri para se të dilni në shëtitje dhe përpiquni të përfshini në dietë proteina dhe karbohidrate që kanë fibra; mos rrini asnjëherë shumë të uritur ose shumë të ngopur.

Mos hani çfarëdo që gjendet mbi tavolinë.

Më shumë fibra ju bën të ngopeni më shpejt. Thuaj vetes “cilin ushqim duhet ta shmang nga kjo tryezë pa keqardhje?”

Përzieni ushqimet që kanë shumë ngjyra- merrni perime vjollcë, të kuqe, të verdha dhe jeshile.

Kërkoni ushqime të madhësisë së kafshimit, mini-servime, copa karkaleci ose salmon, copa ushqimi me kalori të ulët dhe përgjysmoni ushqimin përpara se ta vendosni në pjatë.

Merrni një pjatë, lërini skajet bosh dhe vendosni që nuk do ta mbushni pjatën sërish; bëni zgjedhjet tuaja dhe qëndroni në to, pra mos u joshni nga ushqimet e bollshme.

Vazhdoni me ushtrimet para dhe pas festës. Një shëtitje prej 30 minutash djeg rreth 200 kalori. Praktikoni stërvitjen me intervale. Shtoni stërvitje me rezistencë ose peshë; muskujt djegin më shumë kalori sesa yndyrë dhe sa më shumë muskuj të keni, aq më mirë do të digjen kaloritë e tepërta që i keni konsumuar!

Erëzat e festave janë të shijshme dhe plot me antioksidantë për të mbajtur sistemin tuaj imunitar të funksionojë gjatë periudhave argëtuese por stresuese. Shtoni në ushqime kanellë, xhenxhefil dhe mente.

Vishni veshje të përshtatshme në festë, të cilat do t’ju kujtojnë të ndaloni së ngrëni me tepri!

Mund të hani pak çokollatë të zezë – 70% kakao ose më shumë e cila është më e ulët në sheqer dhe karbohidrate.

Pushimet janë një kohë e mrekullueshme dhe ne zakonisht i presim me padurim gjatë gjithë vitit.

Mos e ndëshkoni veten nëse kohëpaskohe nuk i rezistoni tundimeve dhe rrëshqitni nga rutina e përditshme e të ushqyerit të kujdesshëm.

Mbani mend, nëse mund të jeni të arsyeshëm në 90% të kohës dhe të “mëkatojmë” 10% të kohës, do të jetë në rregull; ne jemi njerëz!

Gëzuar Vitin e Ri!

/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Shëndetësi Lajme
Kalo në kategori