LAJMI I FUNDIT:

“Naivët” dhe “të rrezikshmit” e kufijve!

“Naivët” dhe “të rrezikshmit” e kufijve!

Melihate Tërmkolli

Qasja e presidentit të Kosovës, si institucion, bart rreziqet më të mëdhatë, në çdo aspekt, në çështjen e hapur kohëve të fundit për “korrigjimin e kufijve” me Serbinë. Deklaratat e tij “për kompromise të dhimbshme”, për “korrigjim të kufijve”, për “bashkim të Luginës me Kosovën”, për “planin B”, përbëjnë burim të panikut dhe terrorizimit të qytetarëve, dhe jo vetëm.

Nuk ka naivitet më të madh dhe më të rrezikshëm sesa të mendohet që Serbia është bërë miqësore ndaj Kosovës dhe ajo tani do të pranojë t’ia kthejë Kosovës, Preshevën, Medvegjën e Bujanovcin, e të mos kërkojë asgjë.

Nuk ka naivitet më të madh e më të rrezikshëm se të hysh në pazare kufijsh (për territore) me Serbinë, derisa Serbia nuk e njeh Kosovën në kufijtë që na ka njohur gjithë bota.

Nuk ka naivitet më të madh se të besosh, që edhe po të arrihet ndonjë marrëveshje me Serbinë, edhe me garanca ndërkombëtare, që Serbia do të jetë tepër miqësore dhe e zbaton pikë për pikë (u provua në këto shtatë vite, si e sa i zbaton marrëveshjet të cilat u bënë krejtësisht sipas dëshirës së saj dhe me garanca ndërkombëtare po ashtu).

Nuk ka naivitet më të madh e të rrezikshëm se të besosh që me protagonistët e bisedimeve shtatëvjeçare me Serbinë, të cilët demoluan Kosovën së brendshmi, ata do të dinë të bëjnë diçka të mirë për Kosovën, pa i demoluar edhe kufijtë e jashtëm në emër të “korrigjimit të kufijve”.

Është një logjikë e thjeshtë: derisa nga bisedimet shtatëvjeçare me Serbinë, lejuan dhe pranuan ndërhyrjen e Serbisë në sovranitetin e Kosovës dhe ndarjen me të, rrjedhimisht tani duan ta ndajnë edhe territorin, përmes “korrigjimit të kufijve”, duke vënë në lojë ndjenjat më sublime të shqiptarëve të Luginës për bashkim me Kosovën dhe pastaj të gjithë së bashku, bashkim me Shqipërinë.

Është tepër e qartë se i vetmi synim dhe interes i Serbisë në këto dekadat e fundit është zhbërja e Kosovës, edhe si shtet, edhe si territor, edhe si popullsi.

Janë të vetmit, presidenti i Serbisë, presidenti i Kosovës dhe kryeministri i Shqipërisë, të cilëve po iu ngutet të hyjnë në bisedime me Serbinë për një “marrëveshje historike”, për “korrigjim të kufijve”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kaherë e ka bërë të qartë dëshirën për “zhbërje “ të Kosovës, sepse Kosova e pavarur po paraqitet pengesë për marrëdhënie “vëllazërore” me serbët e Serbinë. Madje, ai nuk ka hezituar edhe të vendosë në emër të Kosovës (Marrëveshja për autostradën Nish- Durrës, me gjasë kalon, jo përmes tokës, jo nëpër Kosovë)!

Përndryshe, Kosova, nuk ka asnjë arsye për ngutje në këtë proces. Është Kuvendi i Kosovës ai që e përcakton së paku platformën e bisedimeve.

Rendi i gjërave e do që Serbia ta njohë Kosovën e Pavarur, të ndalojë agresionin kundër Kosovës, me të cilën do të tregonte një minimum besueshmërie për të biseduar me të për çështje tjera, edhe për “korrigjim të kufijve”.

Rendi e do që të arrihet marrëveshje për status të barabartë si për serbët e Kosovës ashtu për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc.

Rendi e do që Serbia të detyrohet të pranojë gjenocidin kundër shqiptarëve e Kosovës, të ushtruar në mënyrë sistematike për më shumë se një shekull, dhe të detyrohet t’i kthejë pronat e tokat e okupuara, të uzurpuara e të aneksuara përmes gjenocidit (deri në Nish).