Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme mund ta ndryshojnë situatën.

“Unë s’jam pjesë e opozitës, por kërkoj zhvillimin dhe shkuarjen e vendit përpara. Zgjedhjet ka mundësi që ta ndryshojnë situatën, ashtu do të mund të dilet nga kriza. Të dy palët akuzojnë njëra tjetrën, pozita thotë se i ka fajet opozita, kurse opozita thotë se pozita i ka fajet”, tha Hasani.


“Në çdo vend opozita kërkon zgjedhje, kjo po ndodh kudo në Ballkan, edhe në Kroaci edhe në Serbi. Ne duhet të krijojmë mundësi për të dalë nga kriza”.

Hasani ka folur edhe për qeverisjen e kryeministrit Isa Mustafa.

“Kemi një vit e gjysmë të qeverisjes, qeveria në shumë pika kështu nuk e ka treguar veten si institucion serioz. Sot qytetarët e kanë humbur shpresën në Kosovë dhe në Institucionet e Kosovës. “Për këtë situatë përgjegjësi kanë partitë politike, ato të cilat janë në kuvend. Ato kanë premtuar 200 mijë vende pune, kurse janë punësuar shumë pak veta. Institucionet nuk kanë mundur të gjenerojnë, pasi Kryeministri dhe ministrat nuk janë treguar të mirë në punën e vet”.

“Ka arsyetime se na kanë penguar protestat e opozitës, por kur ti je në pozitën që gjeneron atëherë nuk ka arsyetim. Qeveria duhet të ngul këmbë në zhvillimin e vendit, duhet të ngul këmbë në Bruksel se pse kemi mbetur të izoluar, pse s’po ka investime etj”.

Hasani ka thënë se nuk ka asgjë kundër kryeministrit Mustafa, por thotë se faj për këtë gjendje kanë dy partitë më të mëdha në qeverisje.

“Ata na kanë kritikuar në fushatë se ne jemi burra të këqij, por ai pas zgjedhjeve u bashkua me ne sepse kusht e ka pasur vetëm pushtetin. Ne kemi qenë në qeveri dhe kemi pas probleme, kurse ai u bashkua me neve”, tha ai.