Muzeu i Nënë Terezës në Prizren së shpejti pritet ti hapë dyert për vizitorët me orar të rregullt. Shënimi i përvjetorit të 17-të të pavarësisë së Kosovës është njëri prej opsioneve për funksionalizimin në baza ditore të këtij institucioni kulturor.
Aktualisht, Muzeu menaxhohet nga CHwB Kosova në bashkëpunim me Komunën e Prizrenit dhe MKRS-në, bazuar në Marrëveshjen e Bashkëpunimit të nënshkruar në nëntor të vitit të shkuar.
Edona Rugova nga CHwB Kosova ka bërë të ditur se për shkak të fushatës zgjedhore dhe zgjedhjeve parlamentare, data zyrtare për hapjen e Muzeut me orar të rregullt pritet të caktohet në muajin shkurt.
“Data e saktë e hapjes do të bëhet publike pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Sidoqoftë, Muzeu është në dispozicion për vizita të organizuara që duhet të caktohen paraprakisht përmes CHwB-së, deri në caktimin e datës së saktë të hapjes”, ka thënë ajo për Telegrafin.
Rugova ka sqaruar se Muzeu do të ofrojë për vizitorët ekspozitën për jetën e Nënë Terezës.
“Ekspozita momentale e muzeut përfshinë informata dhe dokumente për jetën personale dhe veprimtarinë e Nënë Terezës, duke përfshirë fëmijërinë e saj, misionin dhe në përgjithësi jetën e saj. Informatat dhe dokumentet historike janë rezultat i një hulumtimi dy vjeçar i CHwB Kosova, udhëhequr nga historiani Jahja Drançolli. Po ashtu, janë siguruar të drejtat e përdorimit dhe licencat për të gjitha fotografitë e ekspozuara. Ekspozita është e shtrirë në tri katet e muzeut në mënyrë kronologjike”, ka deklaruar ajo.
Krahas kësaj, Rugova ka shpjeguar se muzeu parashihet të jetë destinacion për aktivitete të ndryshme edukative dhe kulturore.
“Gjatë vitit të parë të hapjes, do të punohet në zhvillimin e një strategjie të punës dhe veprimtarisë, në të cilin do të përfshihen aktivitete me komunitetin artistik, organizata kulturore e edukative si dhe partneritete të tjera”, ka thënë Rugova për Telegrafin.
Muaj më parë, pjesëtarët e komunitetit patën kërkuar përshpejtimin e hapave drejt funksionalizimit të këtij Muzeu.
Këshilltari nga radhët e Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës, që është pjesë e grupit të kuvendarëve të LDK-së, Marin Përgjoka pat vlerësuar se qëndrimi mbyllur i kësaj ndërtese në radhë të parë është humbje për turizmin e qytetit.
Historia e ndërtimit të këtij Muzeu është e gjatë, pasi projekti i kontraktuar në vitin 2010 nga MKRS-ja me raporte zyrtare kishte përfunduar në vitin 2012. Tek në mesin e vitit 2014 ishte dhënë drita e gjelbër për pranimin teknik të objektit, por përkundër kësaj Muzeu nuk ishte funksionalizuar.
Ekspozita dedikuar jetës dhe veprës së Nënës Terezë në Prizren qe hapur me 5 shtator 2022, në 25-vjetorin e kalimit në amshim të saj, raporton Telegrafi.
Nënë Tereza është bërë simbol i humanizmit në botë si pasojë e angazhimit të gjatë në shërbim të sëmurëve e të varfërve. Ishte fituese e çmimit Nobel për Paqe dhe vite më vonë u shenjtërua nga Vatikani. Ajo ndërroi jetë më 5 shtator të vitit 1997 në Kalkutë të Indisë.
Ndërtesa e Muzeut të Nënë Terezës gjendet afër Katedrales së Zojës Ndihmëtare në Prizren, në lagjen ku dikur kishin jetuar të parët e Gonxhe Bojaxhiut. /Telegrafi/