Mustafa i reagon Emilija Rexhepit: Lexoje me kujdes letrën e LDK-së para se të hedhësh akuza të pabaza

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, i është përgjigjur ashpër zëvendëskryeministres Emilija Rexhepi, pasi kjo e fundit akuzoi kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për përjashtim të komuniteteve pakicë nga Qeveria tranzicionale.
Rexhepi kishte deklaruar se Abdixhiku “përjashtoi nga Qeveria tranzicionale komunitetet pakicë”, një akuzë që Mustafa e cilësoi si të pavërtetë dhe të pabazë.
“Emilija Rexhepi është mirë ta lexojë të gjithë letrën, ngadalë e me kujdes, para se të postojë akuza pa asnjë bazë. Nuk hidhet poshtë rezoni për qejfin e Albinit”, shkroi Mustafa në një reagim publik.
Ai e bëri publike letrën e LDK-së, ku sipas tij qartësisht përfshihen edhe komunitetet joshumicë në propozimin për Qeverinë tranzicionale.
“Qeveria Nacionale e Tranzicionit, e formuar nga të gjitha partitë shqiptare dhe, në përputhje me dispozitat kushtetuese, edhe nga përfaqësues të partive të komuniteteve joshumicë, do të ketë afat të caktuar (deri në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri), qëllime të qarta politike dhe ekzekutive, program dhe agjendë ekzekutive të dakorduar, si dhe kryeministër dhe kabinet përfaqësues dhe unifikues”, thuhet në letrën e publikuar nga Mustafa.
Ai ka kërkuar nga Rexhepi më shumë përgjegjësi në deklarime dhe shmangie të sulmeve të pabazuara që, sipas tij, i shërbejnë interesave politike të partisë në pushtet.







































