LAJMI I FUNDIT:

Mustafa përkujton heroin Sali Çekaj

Mustafa përkujton heroin Sali Çekaj

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka përkujtuar heroin e kombit Sali Çekaj, në 20 vjetorin e rënies së tij në Koshare.

Në një njoftim për media, thuhet se veprimtarinë ushtarake, Sali Çekaj e ndërlidhi me veprimtarinë e tij politike duke u bashkuar në rrugëtim me Presidentin Historik të Kosovës, Ibrahim Rugova për liri, pavarësi dhe demokraci.

“Me krenari kujtojmë Heroin e Kosovës, Sali Çekaj i cili ra 20 vite më parë në Betejën e Koshares për lirinë e Kosovës. Sali Çekaj veprimtarinë ushtarake e ndërlidhi me veprimtarinë e tij politike duke u bashkuar në rrugëtim me Presidentin Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova për liri, pavarësi dhe demokraci”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga LDK në emër të kryetarit Mustafa.


Sipas Mustafës, Sali Çekaj, me madhështinë e kontributit të tij për çështjen kombëtare, la gjurmë të pashlyeshme në historinë moderne të shtetformimit në Kosovë.

“Të gjithë qytetarët e Kosovës e nderojnë dhe respektojnë veprën e Heroit Sali Çekaj dhe veprën e tij e ruajmë si trashëgimi të Kosovës”, thuhet tutje në komunikatë. /Telegrafi/