LAJMI I FUNDIT:

Mushica e Haliti ndihen të pastër, paralajmërojnë ankesë

Mushica e Haliti ndihen të pastër, paralajmërojnë ankesë

Dy futbollistët nga Kosova të skuadrës Bylisi nga Ballshi, Kushtrim Mushica dhe Ahmet Haliti, mohojnë të kenë kurdisur ndeshjen e xhiros së 11-të të Superligës së Shqipërisë ndërmjet Tërbunit dhe Bylisit (4:2) e zhvilluar më 18 nëntor të këtij viti.

Portieri Mushica dhe mbrojtësi Haliti të shtunën u suspenduan për gjashtë muaj nga Komisioni i Etikës i Federatës Shqiptare të Futbollit për "komplotim në influencim të rezultatit të ndeshjes Terbuni – Bylis, në kundërshtim me etikën sportive".

Si Mushica ashtu edhe Haliti të dielën në një prononcim për gazetën vendimin e KE të FSHF-së e kanë vlerësuar të pabazë, shkruan sot Koha Ditore.

Mushica ka thënë se është i gatshëm të përballet me çdo gjë në mënyrë që e vërteta të dalë në shesh.


"Pres ta marr vendimin me shkrim e pastaj do të bëj hapin tjetër. Ka qenë goditje e rëndë për mua. Nuk bëhet fjalë për një gjë të tillë. Sikur të ishte e vërtetë që ne kemi bërë diçka, atëherë do të na dënonte klubi. Jam i gatshëm të përballem me çdo gjë që e vërteta në fund të dalë në shesh. Kam mbështetjen e klubit. Klubi do të ankohet në vendimin e marrë nga komisioni i etikës", ka thënë Mushica për gazetën.