Edhe pse Komuna e Gjakovës ka ndërtuar rreth 4 mijë metra kanale për ujitje në katër vjetët e fundit, fermerët e disa fshatrave si Dobroshi dhe Rracaj, ende përballen me mungesë uji për kulturat bujqësore. Ata detyrohen të përdorin pompa për të siguruar ujë, duke e quajtur këtë proces të kushtueshëm dhe të lodhshëm. Zyrtarët komunalë premtojnë se do ta përfundojnë edhe pjesën e mbetur të rrjetit të ujitjes për ta rritur rendimentin dhe lehtësuar punën e fermerëve.

Vetëm gjatë katërvjeçarit që po e lëmë pas, komuna e Gjakovës ka ndërtuar rreth 4 mijë metra kanale për ujitje. Mirëpo, ato nuk po mjaftojnë pasi që  fermerët e disa fshatrave po detyrohen që të gjejnë rrugë tjera për ujitjen e bimëve të tyre.


Njëri prej tyre është Ramadan Fazliu nga Dobroshi i cili ka të mbjella rreth 5 hektarë me misër, thotë se kjo mënyrë e ujitjes përveç që e kushtueshme është tepër e lodhshme.

“Në mungesë të kanaleve për ujitje duhet me motorë për me e marrë prej Trravës me e qit në kodër me vaditë. Siç po e shihni edhe vet ara veç është duke u ujit me vonesë se nuk kemi pas mundësi më herët diku me marrë ujë, se po duhet me u kombinuar me fshatrat tjera deri sa të na vije radha, kështu që po e provojmë edhe shansin e fundit për me marrë diçka prej misrit”, tha Ramadan Fazliu, fermer nga Dobroshi.

Fermerët thonë se Komuna ka hapur shumë kanale mirëpo ata kërkojnë që të përfundojnë  edhe pjesa e mbetur e kanaleve për ujitje, në mënyrë që të rritet edhe prodhimi i tyre.

“Ju po e shihni edhe vet se në çfarë gjendje janë arat. Është tokë pjellore për mbi 50-60 hektarë këtej janë të pa bëra”, tha Beqir Beqiraj, fermer nga Rracaj.

E drejtori i drejtorisë për Bujqësi Gani Hajdari tha se në realitet janë bërë punë të mëdha në hapjen e kanaleve  për ujitje  duke premtuar se në të ardhmen e afërt do të hapen të gjitha kanalet tjera në mënyrë që fermerëve t’iu lehtësohet puna.

“Ne kanalet e bujqësisë i bëjmë në ato regjione ku ka kërkesa edhe ku janë toka lavërtare, me misër, me pemë e perime dhe produkte të  tjera. Nuk është kurrë e mjaftueshme, sepse në këtë zonë ka kërkesa, ka edhe fermerë shumë të vyeshëm edhe ne gjithmonë duhet të ju rrimë karshi kërkesave të tyre dhe të vazhdojmë me punimet në kanalet e ujitjes duke e ditur se e rrisim prodhimin e të mbjellave të tyre”, tha Gani Hajdari, drejtor i DBZHR në Gjakovë.

Zyrtarët komunal në Gjakovë thonë se bujqësia dhe blegtoria në këtë komunë janë mbështetur edhe përmes shumë projekteve të tjera zhvillimore./RTK