LAJMI I FUNDIT:

Mungesa e kamerave dëmton sigurinë e qytetarëve dhe hetimet policore

Mungesa e kamerave dëmton sigurinë e qytetarëve dhe hetimet policore

Pamjet nga kamerat e sigurisë së bizneseve private dhe ato në kompleksin memorial të familjes Jashari në Prekaz, të Skenderajt, u bën shkak për arrestimin e dy personave si të dyshuar për vrasjen e Ilir Zeqirit.

Para dy javësh, Zeqiri ishte gjendur i djegur në veturën e tij, në një pjesë tjetër të këtij fshati dhe organet e hetuesisë, në Kosovë, kanë ndjekur një pistë hetimesh duke u bazuar në filmimet e kamerave të sigurisë.

Ende nuk ka ndonjë vendim të gjykatës, lidhur me dy personat e dyshuar dhe këtë rast në përgjithësi. Megjithatë, ky rast, krahas shumë të tjerëve, përsëri ka vënë në pah rëndësinë e kamerave të sigurisë, të cilat mungojnë në pjesën më të madhe të qyteteve, në Kosovë.


Në Policinë e Kosovës thonë se vendosja e kamerave të sigurisë nuk është përgjegjësi e tyre, por e qeverisjeve në nivel lokal dhe qendror. Megjithatë, zëdhënësi i këtij institucioni, Baki Kelani, vlerëson se kamerat e sigurisë do t’ia lehtësonin punën organeve të rendit dhe hetuesisë.

“Vendosja e kamerave, qoftë në nivel komunash apo në nivel të rrugëve rajonale, magjistrale dhe autostradë, kudo që ato vendosen ato ndihmojnë Policinë e Kosovës. Së pari, ato ndihmojnë në çështjet e identifikimit të personave apo automjeteve që mund përfshihen në raste, qofshin ato penale apo edhe raste të kundërvajtjeve. Kështu që në aspektin e punës policore, vendosja e kamerave të sigurisë është pozitive”, thekson Kelani.

Të domosdoshme, e vlerëson vendosjen e kamerave, eksperti i sigurisë Avni Islami.

Ai thotë se institucionet shtetërore është dashur ta kryejnë këtë punë kohë më parë, pasi sipas tij, në mungesë provash, shumë raste kanë mbetur pa u zbardhur.

“Një ndër prioritetet e organeve të sigurisë, është dashur që qysh moti të vendosen kamerat e sigurisë, madje edhe ato tre-dimensionale, të cilat do ta mbulonin mbi 90 për qind të kryeqytetit dhe qendrave tjera urbane, kur krimi i organizuar, plaçkitjet, vrasjet, kontrabanda me armë, përdorimi i drogës etj, janë nga ato që po e rrezikojnë shoqërinë në vendin tonë. Shumë herë kemi hasur raste, edhe vendet publike, ku kryhen plaçkitjet, vjedhjet, madje edhe vrasjet kanë ndodhur, e që në të shumtën e rasteve po mbesin të pazbuluara për shkak të mungesës së provave në vendin e ngjarjes dhe për shkak që mungon një pamje filmike e kamerave sigurisë në vendngjarje,” vlerëson Islami.

Përkundër se një pjesë e madhe e bizneseve private, kanë vendosur kamerat e tyre të sigurisë, Islami thotë se ato nuk janë të mjaftueshme.

Ai thekson se Qeveria e Kosovës duhet ta prioritizojë këtë çështje dhe të marrë hapa të shpejtë e konkret në këtë drejtim, me qëllim të rritjes së nivelit të sigurisë dhe efikasitetit të hetimeve.

“Pavarësisht se në disa pjesë të qytetit janë të vendosura kamera private, ato nuk e kanë shikueshmërinë e mjaftueshme, nuk janë të dedikuara që të marrin pamjet filmime nga Policia e Kosovës, në mënyrë që të vije tek zbulimi i kryerësve të veprave ose keqbërësve. Kësisoj, mendoj se secila komunë, por në këtë rast do të duhej edhe Qeveria e Kosovës, me prioritet, ta marrë vendosjen e kamerave të sigurisë, në mënyrë që dukuritë negative, pra, plaçkitjet e armatosura, vjedhjet e rëndomta. Por, edhe të përcillet krimi i organizuar, ku në të shumtën e rasteve kostoja do të ishte shumë më lirë me vendosjen e kamerave të sigurisë, sesa përdorimi i aparaturave speciale për përgjimin, hetimin dhe arrestimin e kryerësve të veprave penale,” shton Islami.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës nuk kanë dhënë asnjë përgjigje lidhur me atë se kanë ndonjë plan konkret, vetë ose bashkë me komunat apo edhe Ministrinë e Infrastrukturës, për vendosjen e kamerave të sigurisë në të gjitha qytetet e Kosovës.

Ndërsa, në një përgjigje të shkurtë përmes telefonit, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se komunat janë duke bërë vendosjen e kamerave të sigurisë me vetiniciativë.

Ndërkohë, nevojën për pasjen e një sistemi të kamerave të sigurisë, e thekson edhe eksperti i sigurisë në komunikacionin rrugor, Nol Dedaj.

Madje, mos-realizimi i një projekti të tillë, deri tani, e bënë atë skeptik edhe për të ardhmen.

“Sigurisht që është e rëndësisë së madhe sa i përket sigurisë në komunikacionin rrugor, sidomos në qytete. Ndërsa jashtë vendbanimeve është e pamundur që këta (institucionet shtetërore) të vendosin kamera, për shkak se nuk janë të përgatitur për përcaktimin e vendeve të rrezikshmërisë së nivelit të lartë, pastaj edhe për pikat e zeza aty ku konsiderojmë se janë vendet ku ndodhin më shpesh aksidentet. Pra, për të vendosur (kamera) jashtë vendbanimit nëpër rrugë nacionale, regjionale dhe autoudha, duhet të përcaktohet niveli i rrezikshmërisë së lartë dhe aty të vendosen kamerat. Derisa institucionet tona këtë hap paraprak nuk e kanë bërë dhe nuk janë fare të përgatitur për ta bërë”, vlerëson Dedaj.

Ka vite që institucionet qeverisëse, në nivel lokal dhe qendror në Kosovë, përmendin vendosjen e kamerave të sigurisë në qendrat urbane. Por deri tash vetëm një pjesë e vogël zonave urbane të qyteteve janë të mbuluara nga kamerat e sigurisë, të cilat monitorohen nga organet shtetërore./rel/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pejani vendosi dy GPS në veturën e të dashurës dhe shpërndau fotografi denigruese në emër të saj – kërkohet paraburgim

Pejani vendosi dy GPS në veturën e të dashurës dhe shpërndau fotografi denigruese në emër të saj – kërkohet paraburgim

Kronika e Zezë
Vizita e Rutte në Kosovë – policia me masa të shtuara të sigurisë për delegacionin e NATO-s

Vizita e Rutte në Kosovë – policia me masa të shtuara të sigurisë për delegacionin e NATO-s

Lajme
Driton Selmanaj kërkon rinumërim të përgjithshëm të votave dhe përsëritje të votimit të diasporës

Driton Selmanaj kërkon rinumërim të përgjithshëm të votave dhe përsëritje të votimit të diasporës

Lajme
Rikthehen për dy muaj kontrollet në pikën kufitare Kosovë-Shqipëri

Rikthehen për dy muaj kontrollet në pikën kufitare Kosovë-Shqipëri

Lajme
Rama tregon pse u mbulua monumenti i Skënderbeut në Tiranë

Rama tregon pse u mbulua monumenti i Skënderbeut në Tiranë

Lajme
I djegin 400 trupa me arra dhe i dëmtojnë sistemin e ujitjes - policia nis hetimet

I djegin 400 trupa me arra dhe i dëmtojnë sistemin e ujitjes - policia nis hetimet

Kronika e Zezë
Kalo në kategori