LAJMI I FUNDIT:

Mundësia e dyfishtë e Evropës

Mundësia e dyfishtë e Evropës
Ilustrim

Kemal Dervis dhe Caroline Conroy

Evropa duhet të marrë një vendim. Mund të mos bëjë asgjë ndërsa nacionalizmi dhe autoritarizmi lulëzojnë nga Shtetet e Bashkuara (me qasjen “Amerika e Para” e Donald Trump) deri Kina (e cila po lëviz nga sistemi një-partiak te regjimi me një lider). Ose mund të udhëheqë rigjallërimin e vlerave demokratike dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, në një kohë kur ndryshimi i shpejt teknologjik kërkon reforma madhore politike, ekonomike dhe sociale.


Disa e shohin ngritjen e populizmit – kryesisht të krahut të djathtë – në Bashkimin Evropian si një shenjë që, larg nga gatishmëria e rolit të liderit, BE-ja mund të jetë duke u shpërbërë. Por situata e BE-së është më e ndërlikuar seç e bëjnë pesimistët të duket – dhe jo aq e ftohtë.

Vjeshtën e shkuar, sondazhi Eurobarometri Special 467 tregoi se 75 për qind e të anketuarve e shihnin BE-në pozitivisht. Megjithatë shumica e të anketuarve mendojnë se jeta e fëmijëve të tyre do të jetë më e vështirë se ajo e tyrja, dy e treta besojnë se BE ofron shpresë për të ardhmen e Evropës – një rritje me gjashtë përqind nga viti 2016.

Të rinjtë duket se janë dakord. Pjesa e të rinjve (15-39 vjeç) që e shohin BE-në pozitivisht është veçanërisht e lartë. Dhe pavarësisht shqetësimeve për ‘deficitin demokratik’ të BE-së, ky grup duket se rrit potencialin për pjesëmarrje politike.

Besimi në të ardhmen e BE-së u rrit majin e kaluar me zgjedhjen e presidentit francez Emmanuel Macron. Nëse Macron mund të sigurojë bashkëpunimin e Gjermanisë për programin e tij të reformimit evropian, perspektivat e BE-së do të forcohen më tej.

Ndërsa zgjedhjet federale shtatorin e kaluar në Gjermani nuk prodhuan rezultat të fortë pro-BE – Alternativa për Gjermaninë e ekstremit të djathtë është tani partia opozitare më e madhe, pasi siguroi 13 për qind të votave – gjithsesi partitë kryesore të moderuara fituan me më shumë se 60 për qind të votuesve. Koalicioni i ri qeveritar i Gjermanisë është të paktën po aq pro-Evropian sa ai para tij dhe një Evropë e fortë mund të mbetet trashëgimi e kancelares Angela Merkel.

Zgjedhjet e fundit në Itali – ku partia anti-emigrante Liga (me bazë elektorale në veri) dhe lëvizja Pesë Yjet me anim nga populizmi i majtë (me mbështetje në jug) fituan së bashku mbi 50 për qind të votave – gjë që është shqetësuese. Megjithatë duke marrë parasysh antagonizmin mes dy partive, ka gjasa që një koalicion qeveritar të përfshijë në fund Partinë Demokratike Pro-Evropiane. Së fundmi, çfarëdo pengesash që Italia, me ekonominë e vet në borxhe, i nxjerr integrimit të mëtejshëm të BE-së, këto nuk kanë gjasa të jenë të pakapërcyeshme nëse ushtrohet lidership i fortë francez dhe gjerman.

Sigurisht, Brexit nuk do të jetë i lehtë për Evropën. Por, në përgjithësi Evropa nuk shfaqet më një kontinent në krizë. Edhe në Greqi, që ka rikthyer rritjen e PBB, një shumicë e të anketuarve mbështesin tani BE-në.

Në këtë kontekst, BE-ja mund të përballet me dy mundësi që lidhen me njëra-tjetrën. Së brendshmi, mund të miratojë reforma që nxisin efikasitetin institucional dhe përparojnë integrimin. Së jashtmi, mund të qëndrojë pro bashkëpunimit ndërkombëtar, të drejtave të njeriut dhe shoqërisë së hapur.

Evropa duhet të bëjë progres në mundësinë e parë nëse do të arrijë të dytën dhe kjo nënkupton forcim të eurozonës. Në këtë aspekt, Macron ka ofruar tashmë propozime ambicioze: një buxhet eurozone të ndarë, një ministër finance eurozone përgjegjës për të dhe një parlament eurozone (të përbërë nga anëtarë të Parlamentit Evropian dhe parlamentarë vendas) për t’i kërkuar llogari ministrit.

Përpara se të formohej një qeveri e re koalicioni në Gjermani, një grup pune franko-gjerman u krijua për të marrë në konsideratë propozimet e Macron. Tani që administrata e re e Merkel është në pushtet, do të shohim sa e gatshme është Gjermania të mbështesë kohezionin më të madh në eurozonë.

Në aspektin afatshkurtër, duket se nuk ka gjasa që qeveria e re të mbështesë propozimet e Macron në formën e tyre aktuale. Por mund të mbështesë kompletimin e bashkimit bankar dhe disa mekanizma për koordinim më të gjerë të politikave ekonomike të eurozonës.

Në aspekt afatgjatë, disa nga reformat e Macron duhet të jenë të mundshme, veçanërisht nëse vendet e eurozonës lejohet të përparojnë pa miratimin unanim të 27 vendeve anëtare. Ndryshime të tilla – kombinuar me bashkëpunim më të madh ushtarak dhe inteligjence – do të mbushin projektin evropian me një dinamikë të re, me më shumë entuziazëm, pa përmendur ndjesinë më të madhe të sigurisë te shtetasit e Evropës.

Një BE më e integruar dhe më e sigurt do të jetë e pozicionuar mirë për të qenë më efektive në skenën ndërkombëtare. Me Tregun e Përbashkët Evropian që ka një PBB më të madhe se Kina apo SHBA, BE-ja mund të veprojë si një “shtyllë” e tretë në një rend të ri botëror. Modeli i saj i hapjes ekonomike, kohezionit social dhe institucioneve të forta mund të ofrojë një alternativë ndaj tendencave izolacioniste dhe nacionaliste që po kërcënojnë bashkëpunimin global.

Mos u gaboni: një fusha si tregtia, ndryshimi klimatik, rregullimi i sektorit financiar, politikat e konkurrencës dhe siguria kibernetike, bashkëpunimi ndërkombëtar mbetet kritik. Dhe do të bëhet i domosdoshëm teksa përparimet në inteligjencën artificiale dhe bioteknologji ngrenë shqetësime etike që mund të zgjidhen efektivisht vetëm në nivel ndërkombëtar.

Rendi botëror liberal që u ngrit nga rrënojat e luftës së dytë botërore mund të ndihmojë në parandalimin e katastrofave të ardhshme në përballimin e testit më të vështirë. Duhet të riafirmojmë rëndësinë e ndërkombëtarizmit, hapjes dhe demokracisë në këtë epokë digjitale, ndërsa miratojmë politika dhe rregulla për realitetin e ri. Evropa, me eksperiencën e saj unike në një model demokratik të qeverisë mbikombëtare, duhet të udhëheqë. Bota – veçanërisht të rinjtë – i kanë sytë nga ajo. /Project Syndicate/reporter.al/