Mundësi egjiptian vendos rekord botëror duke tërhequr 20 automjete

Mundësi egjiptian Ashraf Mahrous (43) vendosi një rekord të ri botëror duke tërhequr 20 automjete të lidhura në Al-Sharkia të Egjiptit, duke kaluar rekordin e mëparshëm të mbajtur nga kanadezi Kevin Fast, i cili kishte tërhequr 15 automjete.
Vendosjen e rekordit të ri e ndoqën përfaqësues të mediave, spektatorë dhe Komiteti zyrtar i Librit të Rekordeve Guinness.
Mahrous, i njohur me nofkën “Kabonga”, arriti t’i tërheqë automjetet për 10 metra.
“Kjo është pa dyshim një arritje rekord. Si e arrita? Para së gjithash, është një përpjekje e jashtëzakonshme – një forcë supernjerëzore. Dihet se Thor Bjornsson konsiderohet si më i forti, pasi kishte tërhequr 15 automjete, secila me peshë rreth 900 kg. Por sot, ne tërhoqëm 20, secila me peshë jo më pak se 1.000-1.002 kilogramë, e ndoshta deri në 1.750 kilogramë. Kjo është një arritje e vërtetë”, tha Mahrous.
Ky sukses është pjesë e një liste gjithnjë e më të madhe rekordesh Guinness nga Mahrous.
Në mars, ai kishte tërhequr një tren me peshë 279 tonë për gati 10 metra, ndërsa mban edhe tri rekorde të tjera: tërheqja e ngarkesës më të madhe në shina vetëm me dhëmbë, tërheqja e lokomotivës më të rëndë dhe tërheqja më e shpejtë e një automjeti rrugor për 100 metra në më pak se 40 sekonda. /AA/


















































