Site icon Telegrafi

A mund të agjërojnë personat me sëmundje të zemrës?

Dr. Kushtrim Shala, Mjek specialist kardiokirurg

Gjatë muajit të Ramazanit, personat me sëmundje të zemrës bëjnë pyetje të tilla si “A ka ndonjë dëm në agjërim?”, “Si duhet t’i përdor ilaçet e mia gjatë agjërimit?” e pyetje të tjera

Dr. Kushtrim Shala
Mjek specialist kardiokirurg
e-mail: dr.kushtrimshala@gmail.com
tel: +38348587588

Agjërimi gjatë një periudhe të caktuar kohore është një traditë fetare e zakonshme e praktikuar nga disa besime në mbarë botën. Për muslimanët, agjërimi i muajit hënor të Ramazanit është praktikë që përfshin abstenimin nga ushqimi, pijet, aktivitetet seksuale nga agimi deri në perëndimin e diellit. Gjatë Ramazanit, muslimanët hanë zakonisht 2 vakte në ditë: një kur përfundojnë agjërimin e tyre të përditshëm në perëndimin e diellit, i njohur si iftar, dhe tjetri është një vakt i lehtë para agimit ( lindjes së diellit), i njohur si syfyr. Përveç ndryshimeve në oraret dhe zakonet e marrjes së ushqimit, gjithashtu modelet e gjumit mund të ndryshojnë gjatë Ramazanit duke përfshirë zgjatja e orëve të zgjimit gjatë natës që mund të çojë në mungesë gjumi gjatë këtij muaji. Për më tepër, disa pacientë rregullojnë apo ndryshojnë orarin e tyre të mjekimit për t’iu përshtatur agjërimit praktik. Prandaj, agjërimi gjatë Ramazanit është në thelb një ndryshim drastik në stilin e jetës për një muaj të plotë hënor (29 ose 30 ditë). Kjo mund të kontribuojë në ndryshime biokimike dhe fiziologjike tek personat që agjërojnë e që nganjëherë mund të jenë drastike sidomos në ata persona për të cilët ka një ndryshim të theksuar të zakoneve dietike dhe të gjumit nga ato normale në periudha të tjera të vitit.

A mund të agjërojnë Ramazanin personat me sëmundje të zemrës?

Gjatë muajit të Ramazanit, personat me sëmundje të zemrës bëjnë pyetje të tilla si “A ka ndonjë dëm në agjërim?”, “Si duhet t’i përdor ilaçet e mia gjatë agjërimit?” e pyetje të tjera.

Në fakt, nuk do të ishte e drejtë të përgjithësohej nëse pacientët me sëmundje kardiake mund ose nuk mund të agjërojnë. Sepse sëmundjet e zemrës, ose më mirë sëmundjet kardiovaskulare, variojnë nga çrregullime të thjeshta të ritmit, si palpitacionet e zemrës, deri te (pamjaftueshmëria) dështimi i zemrës në fazë të avancuar. Prandaj, është e nevojshme të merret një vendim duke vlerësuar individualisht secilin pacient që prezenton ankesa me natyrë kardiake. Me fjalë të tjera, nuk është e drejtë të përgjithësohet se të gjithë të sëmurët me zemër nuk mund të agjërojnë; pra duhet marrë një vendim sipas llojit dhe ashpërsisë së sëmundjes.

Për më tepër, në gjendjen shëndetësore të personit ndikojnë gjithashtu klima në të cilën zhvillohet agjërimi, kohëzgjatje e agjërimit (ndërmjet syfyrit dhe iftarit), lloji i ushqimeve të ngrëna në iftar dhe syfyr, sasia e ushqimit, si dhe nëse ka një ndërprerje në marrjen e medikamenteve.

Cilat janë përfitimet e shëndetit kardiovaskular nga agjërimi?

Studimet e kryera në individë të shëndetshëm tregojnë për efektet e dobishme të agjërimit. Për shembull, është vërejtur se tek individët e shëndetshëm, nivelet e HDL (kolesteroli i mirë) rriten gjatë Ramazanit dhe javët e ardhshme në krahasim me para Ramazanit, ndërsa nivelet e LDL (kolesteroli i keq) ulen. Gjithashtu është treguar se agjërimi zvogëlon inflamacionin, i cili është i rrezikshëm për shëndetin tonë. Kur agjëroni siç duhet, duke kufizuar marrjen e përditshme të kalorive, bie rezistenca dhe rritet ndjeshmëria ndaj insulinës dhe toleranca ndaj stresit bëhet më e lehtë. Është raportuar se edhe ata që agjërojnë të paktën një ditë në muaj kanë më pak aterosklerozë.

Një tjetër aspekt pozitiv i agjërimit për pacientët me problem në zemër është efekti i tij psikologjik. Ai që agjëron gjatë Ramazanit përpiqet të disiplinohet edhe ndaj dëshirave të tij, të qëndrojë larg emocioneve, mendimeve dhe sjelljeve negative. Qetësia shpirtërore e arritur është e rëndësishme në lehtësimin e depresionit, i cili haset shpesh te pacientët me problem në zemër.

A e rritë agjërimi i Ramazanit incidencën e gjendjeve akute kardiake?

Disa studiues hulumtuan nëse agjërimi i Ramazanit ka një efekt në incidencën e pranimeve në spital me sindromë akute koronare duke arritur ne konkludim se agjërimi i Ramazanit nuk e shton barrën e sëmundjeve akute kardiake. Incidenca e sindromeve akute koronare, dështimit kongjestiv të zemrës, fibrilacionit atrial dhe infarktit të miokardit ishte e ngjashme gjatë Ramazanit dhe muajit pasardhës në krahasim me muajt e tjerë

Në një studim tjeter që përdori një bazë të dhënash të të gjithë pacientëve të pranuar në një departament të Kardiologjisë në Katar ku mbi 95% e të rriturve të Katarit praktikojnë rregullisht agjërimin rezultoi se nuk kishte ndryshim signifikant në incidencën e sindromeve akute koronare para, gjatë ose pas ramazanit tek të gjithë pacientët që u paraqiten dhe u identifikuan gjatë një periudhe 10 vjeçare. Të njëjtët studiues gjithashtu studiuan nëse agjërimi i Ramazanit ka ndonjë efekt në numrin e shtrimeve në spital sa i përket dështimin kongjestiv të zemrës dhe rezultoi se numri i hospitalizimeve me pamjaftueshmësi kongjestive të zemrës nuk përbën dallim signifikant në muajt para, gjatë ose pas Ramazanit. Nuk kishte ndryshime të signifikante në klasën NYHA as në ndonjë nga parametrat hematologjikë ose biokimikë gjatë agjërimit të Ramazanit.

Megjithatë, agjërimi në ditët e nxehta dhe të gjata të verës mund të shkaktojë probleme për shumë pacientë me problem të zemrës. Humbja e tepërt e lëngjeve dhe kripës mund të çojë në rënie ekstreme të presionit të gjakut, të fikët, apo edhe sulm në zemër dhe dështim të zemrës si rezultat i ushqyerjes së mangët të vet zemrës. Kjo mund të jetë edhe më e theksuar te pacientët e moshuar.

A është i dëmshëm agjërimi për pacientët kardiovaskular?

Në përgjithësi, dihet se sëmundja nuk përparon ndryshe dhe nuk ka përkeqësim të dukshëm te të sëmurët nga zemra që agjërojnë sipas rregullave, krahasuar me ata që nuk agjërojnë gjatë Ramazanit. Në fakt, agjërimi i kryer në përputhje me rregullat jep rezultate të dobishme për pacientët. Për shembull, te pacientët me hipertension, agjërimi shkakton ulje të presionit të gjakut dhe humbje peshe, me kusht që të vazhdojnë mjekimet e tyre. Sa i përket Agjërimit dhe shëndetit kardiovaskular është e rëndësishme të vazhdohet me marrjen e medikamenteve të përdorura pa ndërprerje dhe të ushqyerit saktë gjatë periudhave të iftarit dhe syfyrit. Megjithatë, pacientët e zemrës duhet të marrin vendimin për të agjëruar duke u konsultuar me mjekun e tyre dhe të veprojnë në përputhje me rekomandimin e tij. Kjo sepse në shumë pacientë, terapia me ilaçe do të duhet të riorganizohet dhe të rregullohet doza gjatë agjërimit.

Cilët pacientë kardiovaskular nuk rekomandohet të agjërojnë?

Agjërimi mund të jetë i dëmshëm, veçanërisht për pacientët që vazhdojnë të vuajnë nga sëmundje kardiovaskulare si dhimbje gjoksi dhe gulçim. Pacientët me dështim/pamjaftueshmëri të avancuar të zemrës nuk duhet të agjërojnë kurrë. Është e pasigurt për pacientët që marrin doza të larta të diuretikëve të agjërojnë, veçanërisht gjatë verës.

Pacientët që kanë pësuar infarkt në 6 muajt e fundit, pacientët që kanë dhimbje gjoksi për shkak të sëmundjeve të zemrës, pacientët që kanë bërë balona, stente ose operacion bypass në enët e gjakut të tyre të zemrës gjatë 6 muajve të fundit rekomandohet të shmangin gjithashtu agjërimin. Agjërimi mund të jetë gjithashtu i rrezikshëm tek pacientët që janë në rrezik të aritmisë së pakontrolluar ose kërcënuese për jetën. Pacientët me hipertension rezistent, pra ata me presion të lartë të gjakut pavarësisht trajtimit me ilaçe, nuk duhet të agjërojnë derisa presioni i gjakut të bjerë në normale. Pacientët që kanë vetëm hipertension të kontrolluar dhe presioni i gjakut i të cilëve mbetet në nivele normale me ilaçe, mund të agjërojnë, me kusht që t’i marrin ilaçet e tyre rregullisht çdo ditë. Të gjithë pacientët kardiovaskular, duhet të konsultohen me mjekun e tyre nëse mund të agjërojnë apo jo.

Si duhet të organizohet trajtimi medikamentoz i pacientëve me probleme në zemër gjatë agjërimit?

Para muajit të Ramazanit duhet të bëhen titrimet e nevojshme në trajtimet medikamentoze të pacientëve, pasi mosmarrja e rregullt e barnave ose ndërprerja e mjekimeve gjatë agjërimit do të shkaktojë përkeqësim të sëmundjes. Nuk ka ende studime klinike dhe për këtë arsye nuk ka rekomandime udhëzuese se si duhet të përdoren medikamentet e zemrës gjatë agjërimit. Megjithatë, rregulloret mund të bëhen duke marrë parasysh kohëzgjatjen e veprimit të barnave. Trajtimi i pacientëve që përdorin një dozë të vetme medikamenti në ditë (si pacientët me hipertension dhe aritmi) mund të rregullohet duke e zhvendosur dozën e barit në syfyr ose iftar. Gjëja e rëndësishme këtu është që të merrni ilaçin në të njëjtën kohë çdo ditë. Përndryshe, do të ketë rritje të presionit të gjakut.

Ata që përdorin hollues gjaku përveç aspirinës (pacientët me fibrilacion atrial, valvula protetike ose stentë, etj.) duhet të konsultohen me mjekun specialist për agjërimin para Ramazanit. Në këta pacientë, shpesh do të jetë e nevojshme të rregullohen apo edhe të bëhen ndryshime në dozat e barit. Disa medikamente për hollimin e gjakut, të tilla si ato që merren dy herë në ditë në iftar dhe syfyr, mund të mos jenë të mjaftueshme për hollimin e gjakut. Në fakt, një ilaç që ka një efekt 12-orësh gjatë periudhës ndërmjet iftarit dhe syfyrit, që zgjat afërsisht 17 orë, do të humbasë efektin e tij në 5 orët e fundit, gjë që mund të shkaktojë mpiksjen gjakut të pacientit ose goditje në tru. . Kjo është një situatë shumë e rëndësishme pasi do të rritet mundësia e dëmtimit të pacientit sidomos nëse pacienti është i moshuar dhe agjëron në një mjedis shumë të nxehtë, andaj paraprakisht pacienti që dëshiron të agjërojë duhet të konsultoj mjekun specialist.

Në pacientët që përdorin Warfarine apo Sintrom për të holluar gjakun, nivelet e INR-së rriten me agjërim dhe mjeku do të duhet të rregullojë dozën dhe të bëjë matje të shpeshta INR-së. Përndryshe, gjakderdhja mund të ndodhë si pasojë e agjërimit te këta pacientë.

Çfarë duhet t’i kushtojë vëmendje një person i sëmur me zemër që mund të agjërojë?

Duke qenë se Ramazani përkon me agjërim në periudha të ndryshme qoftë dimrit ose verës, si temperatura, ashtu edhe periudha e gjatë e agjërimit shtojnë rëndësinë e rekomandimeve ushqimore për pacientët me sëmundje të zemres.

Duke marrë parasysh që humbja e lëngjeve do të jetë e madhe gjatë motit të nxehtë, duhet të sigurohet marrja e mjaftueshme e lëngjeve ndërmjet iftarit dhe syfyrit. Nëse një person humbet ujë dhe kripë të tepërt përmes djersës për shkak të nxehtësisë dhe nuk merr mjaftueshëm lëngje nga jashtë, presioni i gjakut mund të bie dhe rrjedhja e gjakut në organet vitale mund të reduktohet. Për këtë arsye duhet të qëndroni larg ambienteve të nxehta gjatë agjërimit dhe të shmangni kryerjen e punëve të rënda në vapë.

Një gabim tjetër që shohim shpesh tek pacientët tanë që agjërojnë gjatë Ramazanit është ngrënia e vakteve të rënda dhe të mëdha. Ndërsa disa pacientë hanë shumë dhe e teprojnë në iftar për shkak të efektit të urisë afatgjatë, të tjerët hanë shumë në syfyr për t’i bërë ballë urisë gjatë agjërimit. Megjithatë, pas një vakti të rëndë, zemra fillon të rrahë më shpejt dhe presioni i gjakut rritet. Disa hormone të liruara në gjak për shkak të vakteve të rënda kanë efekt në koagulimin e gjakut. Grumbullimi i gjakut në organet e tretjes pas një vakti të rëndë mund të zvogëlojë gjithashtu rrjedhjen e gjakut në organet vitale. Si rezultat i gjithë kësaj, mund të bëhet më e lehtë që të ndodhë një atak në zemër. Prandaj, jo vetëm ajo çfarë hamë në iftar dhe syfyr por edhe sasia e saj është shumë e rëndësishme për shëndetin kardiovaskular.

Gjatë Ramazanit, vizitat në urgjencë shtohen në orët e para pas iftarit. Mendohet se kjo varet nga ushqimet që konsumohen në iftar. Pacientët kardiovaskularë duhet të hanë tre vakte (me sasi më të vogël ) në vend të dy gjatë Ramazanit. Këto tre vakte duhet të jenë në formë iftari, 2-3 orë pas iftarit dhe syfyri.

Nuk duhet harruar se agjërimi është në fakt vetëpërmbajtje “vetëdisiplinë” dhe duhet të hahet me moderim duke filluar nga iftari. Kjo është e rekomanduar jo vetëm për pacientët kardiovaskular, por edhe për njerëzit e shëndetshëm. Pas prishjes së agjërimit duhen shmangur karbohidratet e përpunuara, ushqimet me sheqer dhe ushqimet e pasura me yndyrë dhe nuk duhet harruar se ngrënia e tepërt mund të shkaktojë probleme serioze. Fatkeqësisht, shumica e pacientëve tanë shtojnë peshë pas Ramazanit, u rritet presioni i gjakut dhe niveli i yndyrës në gjak rritet, pasi kaloritë që konsumojnë gjatë periudhës së iftar-syfyrit janë më shumë se nevojat kalorike të tyre gjatë gjithë ditës.

Çfarë duhet të hamë në iftar dhe në syfyr?

Në këto vakte është e nevojshme të zgjidhni ushqime që treten ngadalë. Vaktet e përbëra nga fibra, perime dhe fruta të pasura me proteina do të treten për një kohë të gjatë (rreth 8 orë) dhe do t’ju bëjë të ndiheni të ngopur për një kohë të gjatë. Përkundrazi, ushqimet me sheqerna dhe me miell që përmbajnë karbohidrate të përpunuara do të treten në një kohë të shkurtër (rreth 3 orë) dhe do t’ju bëjnë të ndiheni të uritur për një kohë të shkurtër. Në vend të karbohidrateve të përpunuara (ushqime me sheqer, pasta, simite, bakllava, makarona, biskota, reçel etj.), duhet të preferohen ushqime si pjata me perime, fasule, bizele, thjerrëza. Duhen shmangur pijet freskuese acidike. Nuk duhet agjëruar pa ngrënë vaktin e syfyrit.

Si rezultat, pacientët kardiovaskular duhet t’i kushtojnë vëmendje shëndetit të zemrës gjatë Ramazanit. Nuk duhet marrë vendimi për të agjëruar pa u konsultuar me mjekun e tij. Edhe pse pacienti mund të agjërojë, ai duhet të kujdeset për shëndetin e tij duke ngrënë në mënyrë korrekte dhe të moderuar në iftar dhe syfyr, dhe duke pirë lëngje të mjaftueshme, pa lënë mënjanë ilaçet e tij, pasi të jetë caktuar regjimi medikamentoz nga mjeku i tij, pa harruar se agjërimi është vetëdisiplinim. /Telegrafi/

Referencat:
1.Kul s, savas e, Öztürk Za, Karadag g. does ramadan fasting alter body weight and blood lipids and fasting blood glucose in a healthy population? a meta analysis. J relig Health 2014;53:929 42.
2.Meo sa, Hassan a. Physiological changes during fasting in ramadan. J Pak Med assoc 2015;65 5 suppl 1:s6 14. 15.Chamsi Pasha H, ahmed WH. The effect of fasting in ramadan on patients with heart disease. saudi Med J 2004;25:47 51.
3.al suwaidi J, Zubaid M, al Mahmeed Wa, al rashdan i, amin H, bener a, et al. impact of fasting in ramadan in patients with cardiac disease. saudi Med J 2005;26:1579 83.
4.Khafaji Ha, bener a, osman M, al Merri a, al suwaidi J. The impact of diurnal fasting during ramadan on the lipid profile, hs CrP, and serum leptin in stable cardiac patients. Vasc Health risk Manag 2012;8:7 14.
5.salim i, al suwaidi J, ghadban W, alkilani H, salam aM. impact of religious ramadan fasting on cardiovascular disease: a systematic review of the literature. Curr Med res opin 2013;29:343 54.
6.Mousavi M, Mirkarimi s, rahmani g, Hosseinzadeh e, salahi n. ramadan fast in patients with coronary artery disease. iran red Crescent Med J 2014;16:e7887.
7.abazid r, Khalaf H, sakr H, altorbak n, alenzi H, awadZ,et al. effects of ramadan fasting on the symptoms of chronic heart failure. saudi Med J. 2018 apr; 39(4): 395–400.
8.Temizhan a, dönderici o, ouz d, demirbas b. is there any effect of ramadan fasting on acute coronary heart disease events? int J Cardiol 1999;70:149 53.
9.al suwaidi J, bener a, suliman a, Hajar r, salam aM, numan MT, et al. a population based study of ramadan fasting and acute coronary syndromes. Heart 2004;90:695 6.
10.al suwaidi J, bener a, Hajar Ha, numan MT. does hospitalization for congestive heart failure occur more frequently in ramadan: a population based study (1991 2001).int J Cardiol 2004;96:217 21. 11.Habbal r, azzouzi l, adnan K, Tahiri a, Chraibi n. Variations of blood pressure during the month of ramadan. arch Mal Coeur Vaiss 1998;91:995 8.
Exit mobile version