Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka mbajtur sot një konferencë për media lidhur me punën e Komisionit hetimor për tekste shkollore.
Armend Muja nga Grupi Parlamentar i LVV-së theksoi se Komisioni hetimor në vazhdimësi ka shkelur Rregulloren e Kuvendi dhe Ligjin për hetim parlamentar.
“Arsyeja pse e kemi thirrur këtë konferencë për shtyp ndërlidhet me Komisionin Hetimor për tekste shkollore. Komisioni Hetimor në vazhdimësi, përfshirë edhe mbledhjen e fundit ka shkelur Rregulloren e Kuvendit… Komisioni gjithashtu sa i përket kuorumit dhe vendimmarrjes i cili kryesohet nga Dreshaj ka bërë shkelje të vazhdueshme sa i përket Ligjit për hetim parlamentar”, tha ai.
Muja theksoi tutje se Dreshaj dhe anëtarët e tjerë në vazhdimësi kanë sabotuar në muajin e fundit Rregulloren e kuvendit dhe Ligjin për hetim parlamentar duke marr vendime, mbajtur mbledhje dhe marr njerëz në intervista jashtë konsensusit dhe vendimmarrjes së Komisionit për hetim parlamentar.
Ai tha se në mbledhjen e fundit pa pasur numra për vendimmarrje anëtarët e kishin hartuar draft raportin, i cili sipas tij është hartuar në zyrat e PDK-së për t’ia paraqitur më pas Kryesisë së Kuvendit.
“…Prezantuan një raport që shpejt e shpejt e kishin hartuar në zyrat e PDK-së për t’ia paraqitur Kryesisë së Kuvendit.
Ndërkaq, edhe deputeti tjetër i LVV-së, Arbër Rexha tha se Ligji për hetim parlamentar është shkelur kryesisht në çështjet e vendimmarrjes, pasi sipas tij, në këtë situatë nuk mund të mbahen as mbledhjet pa shumicën e thjeshtë të anëtarëve që janë prezent.
Ai tha se do të kërkojë nga kryetari i kuvendit që mbledhja e fundit të mos konsiderohet e mbajtur. /Telegrafi/