Site icon Telegrafi

Mourinho kërkon vetëm fitoren ndaj Milanit, flet edhe për rikthimin e mundshëm të Spinazzolas

Derbi i xhiros së 11-të në Serie A do të zhvillohet në kryeqytetin italian Romë.

Roma e Jose Mourinhos do të jetë nikoqire e Milanit në një sfidë që pritet të jetë e zjarrtë në Olimpico.

Rëndësinë e këtij takimi e di trajneri i Romës, Jose Mourinho që ka kërkuar vetëm fitoren nga djelmoshat e tij.

Special One ka vlerësuar Milanin, por ka lavdëruar edhe lojtarët e tij që gjithmonë duan vetëm fitoren.

“Personalisht më pëlqen të luaj kundër ekipeve më të mira dhe mendoj se këtë ndjenjë ja përcjell edhe lojtarëve për t’u përballur me ekipe që janë më lartë se ne në renditje. Nuk ka problem për këtë çështje, ka vetëm motivim”.

“Kur isha në Itali, Pioli nuk ishte trajner në Serie A. Puna e tij është e ngjashme me atë që duhet të bëj unë te Roma. Ai ka shumë meritë në atë që ka bërë dhe po bën”, tha Mourinho.

Tutje trajneri portugez tha se gjithmonë, pa marrë parasysh kundërshtarin ai dëshiron fitoren.

“Gjithmonë. Jo vetëm kundër Milanit. Vetëm atë gjë duam. Me Napolin pamë një skuadër që donte të fitonte nga fillimi deri në minutën e fundit dhe që në goditjen e fundit të këndit dukej se po luanin me jetën e tyre. Nuk ndryshon asgjë kur luan kundër Milanit apo Venezias. Kjo është diçka që i sjell njerëzit në stadium”, u shpreh Special One.

Portugezi ka gëzuar tifozët e Romës, duke thënë se rikthimi i Leonardo Spinazzolas është në rrugën e duhur.

“Spina është mirë dhe procesi i rikuperimit po shkon mirë. Ata që e kanë operuar, e kanë kontrolluar së fundmi dhe mbrojtësi nuk ka bërë asnjë hap prapa. Preferoj të mos e zbuloj se kur mund të jetë i gatshëm të luaj, por kemi lajme pozitive”, përfundoi Mourinhos. /Telegrafi/

Exit mobile version